Miratohet buxheti për 2020-n, s’preket fondi për pensionet e për kompensimin e pronave

Dec 6, 2019 | 15:02
SHPËRNDAJE

ADA HAZIZOLLI/ Për projektin e rindërtimit, pas situatës së krijuar nga tërmeti i 26 nëntorit, Qeveria “nuk do të vërë dorë” në fondin e parashikuar për skemën e sigurimeve shoqërore, si edhe për kompensimin e pronarëve.anila denaj kuvend1

Gjatë seancës së djeshme parlamentare, ku edhe u miratua në parim projektbuxheti për vitin e ardhshëm, ministrja e Financave, Anila Denaj, konfirmoi se nuk do të preket niveli i shpenzimeve për pensionet dhe për pronarët.

PENSIONET

Në buxhet janë parashikuar rreth 2.52 miliardë lekë ose rreth 25 milionë dollarë, të cilat do të përdoren për indeksimin e pensioneve. “Niveli i shpenzimeve për skemën e sigurimeve shoqërore për vitin 2020 parashikohet në masën 137.5 miliardë lekë ose 7.7% e PBB, raport thuajse i njëjtë me vitin 2019, nga i cili për indeksimin e pensioneve është parashikuar një fond prej 2.52 miliardë lekësh. Duhet të theksojmë se kjo skemë i rëndon tashmë më pak buxhetit të shtetit, krahasuar me 5-6 vite më parë, si pasojë e dy faktorëve kryesorë: së pari, uljes së nivelit të informalitetit në tregun e punës; dhe së dyti, rritjes së nivelit të punësimit dhe kontribuuesve”, tha ministrja Denaj.anila denaj kuvend

Mesatarisht, rritja që do të aplikohet do të jetë 2.5 për qind mbi masën e pensionit. Kjo shtesë, e cila zakonisht zyrtarizohet në muajin prill, do të aplikohet për pensionet e plota, ato të pjesshme dhe të reduktuara, pensionet familjare, të posaçme, të invaliditetit, pensionet e ish-ushtarakëve, profesorëve etj. Në buxhetin për vitin e ardhshëm, janë planifikuar që 1.45 miliardë lekë ose rreth 15 milionë dollarë të shkojnë për trajtimin suplementar të minatorëve, naftëtarëve dhe metalurgëve.

“Kjo skemë për vitin 2020 në buxhetin e saj përfshin: Mbulimin e efekteve financiare të skemave të reja të përfitimeve, naftëtarë, minatorë, të cilat, pas rishikimit, parashikohet të sjellin një efekt financiar të harmonizuar prej rreth 1.45 miliardë lekësh”, vuri në dukje Denaj. Ligji për trajtimin me pensione suplementare të këtyre tri kategorive u miratua në korrik të këtij viti.

Shtesa, e cila varion mesatarisht nga 12 deri 20 për qind, ka nisur të llogaritet prej muajit nëntor. Lidhur me numrin e kontribuuesve për skemën e sigurimeve shoqërore, ministrja tha se pritet të rritet duke sjellë në këtë mënyrë më shumë të ardhura në arkën e shtetit. “Numri mesatar i kontribuuesve në skemën e sigurimeve shoqërore parashikohet mbi 820 mijë persona, me një rritje në masën 4% më shumë se i pritshmi i vitit 2019”. PRONAT Ndërkohë, për skemën e kompensimit të pronarëve, për vitin që vjen, janë parashikuar 4.5 miliardë lekë ose rreth 45 milionë dollarë.

“Fondi për Kompensimin në Vlerë të Pronarëve: parashikohen në total rreth 4.5 miliardë lekë. Nga rreth 1.9 miliardë lekë që ky fond ishte në 2013, është rritur nga viti në vit dhe mendohet që në 2022 të shkojë në 5.5 miliardë lekë. Rritja e fondit të kompensimit në vlerë të pronarëve bëhet në mbështetje të reformës së ndërmarrë nga qeveria për trajtimin e ish-pronarëve, pjesë e së cilës është kompensimi në vlerë për t’u realizuar brenda periudhës 10-vjeçare, të parashikuar dhe në ligj”, theksoi ministrja Denaj.

Sa i takon fondit për vitin 2019, në arkën e ATP-së janë edhe rreth 35 milionë dollarë. Duke qenë se kanë mbetur vetëm tri javë nga mbyllja e këtij viti, atëherë mundësitë janë që këto para të transferohen për t’u përdorur vitin që vjen. Në fillim të këtij viti, agjencia ka përmbyllur edhe vlerësimin financiar për më shumë se 25 mijë vendime të formës së prerë. Vlerësimi është bërë bazuar në zërin kadastral që prona ka në momentin e konfiskimit, ndërsa çmimet për metër katror janë ato të konfiguruara në hartën e miratuar në 2016-n.

Përfundimi i vlerësimit ekonomik iu jep mundësi të gjithë atyre që janë njohur me masën e përfitimit, të paraqiten në agjenci për të aplikuar. Por, pavarësisht apelit të vazhdueshëm të ATP për të aplikuar dhe lehtësimit të praktikave për ndarjen e parave, sërish ka pasur një numër të ulët të pronarëve që kanë paraqitur kërkesë. Kjo, si pasojë edhe e ndryshimit të skemës.

Kujtojmë që me ndryshimet e bëra, pronarëve iu lind e drejta të kompensohen financiarisht vetëm për 20% të vlerës së faturës, por jo më shumë se 10 milionë lekë të rinj. Për pjesën e mbetur do të mbulohen nga fondi i tokës që ATP disponon.

PËR SEKTORIN E ARSIMIT:
Mbështetje e vazhdueshme për studentët në kuadër të Paktit me Universitetin;
Tekste shkollore falas për rreth 230-250 mijë nxënës;
Ndërtime të reja apo rikonstruksione për mbi 180 objekte arsimore;
Transport i 28-30 mijë nxënësve, djem dhe vajza, që kanë vendbanim mbi 2 km nga shkolla;
1300-1400 nxënës, djem dhe vajza, të arsimit parauniversitar nga shtresat sociale në nevojë me kuotë ushqimore;
Uljen e madhësisë së grupeve/klasave të fëmijëve në kopshte nga raporti aktual mesatar 18 fëmijë për një edukatore në raportin 15 fëmijë për një edukatore, duke siguruar
440 edukatorë shtesë për vitin 2020;
SEKTORI I SHËNDETËSISË
Rikonstruksionin e 120 qendrave shëndetësore për vitin 2020;
Ilaçe të rimbursuara për 1000 pacientë më shumë se sa vitet më parë;
Efektivitet të shtuar në shërbimet shëndetësore (Reduktimin e kohës aktuale prej 45 ditësh të pritjes për ekzaminime të rëndësishme (rezonancë, skaner) etj;
Shërbimi i kontrollit bazë (check-up) falas për 475 mijë pacientë në vit, 50% burra e 50% gra
Shërbim cilësor dhe gjithëpërfshirës për më shumë se 50% të nënave të reja dhe mbi 80% të foshnjave vajza e djem.
INVESTIMET NË BUJQËSI
1 miliard lekë investime për të mundësuar që programi i infrastrukturës, ujitjes dhe kullimit të jetë i mundur të parandalojë fatkeqësi
INFRASTRUKTURA
Në infrastrukturën rrugore, për periudhën 2020-2022, synohet kompletimi i disa segmenteve rrugore me financim të brendshëm, si Kardhiq–Delvinë, Elbasan–Banjë, By–Pass Shkodër, By–Pass Tepelenë, një pjesë e mirë e Unazës së Tiranës.
INSTITUCIONET E DREJTËSISË
Buxheti 2020do të plotësojë gjithashtu të gjitha nevojat financiare të të gjitha institucioneve të reja, të krijuara nga paketa e Reformës në Drejtësi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura