Ministria hap garën për Teatrin Kombëtar, dalin emrat e kandidatëve të parë

Feb 12, 2018 | 11:30
SHPËRNDAJE

ALMA MILE

Ema Andrea, Laert Vasili dhe Genci Fuga janë deri më tani kandidatët e vetëshpallur për drejtor të Teatrit Kombëtar. Në përfundim të mandatit 4-vjeçar të drejtorit aktual të TK, Hervin Çuli, Ministria e Kulturës ka hapur garën për postin e drejtuesit të institucionit më të diskutuar të momentit.

Sipas objektivave të përcaktuara nga Ministria, drejtori i zgjedhur duhet të hartojë një program dhe kalendar të qartë me shfaqje repertori dhe prodhime të reja, në funksion të diversitetit artistik dhe zgjerimit të audiencave; Të nxisë e të zhvillojë dramaturgjinë shqipe në skenë; Të promovojë tendencat e ndryshme në skenën teatrore shqiptare duke siguruar një ekuilibër mes artistëve të afirmuar dhe atyre të rinj; Të marrë shkëmbime ndërkombëtare, veçanërisht të zhvillojë ato ballkanike dhe evropiane, etj..

Teatri-Kombëtar11

KANDIDATËT

Pas thirrjes së hapur, të publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Kulturës, por edhe në një situatë të nderë mes aktorëve të TK, por edhe gjithë komunitetit të teatrit me MK, kanë shpallur kandidaturën e tyre përmes njoftimeve në rrjetet sociale, aktorja dhe pedagogia e Universitetit të Arteve Ema Andrea, aktori e regjisori Laert Vasili dhe aktori e pedagogu Genci Fuga.

Këta dy të fundit kanë qenë dy nga zërat më aktivë kundër politikave të Ministrisë së Kulturës dhe më saktësisht të ministres Mirela Kumbaro. Ata kanë dalë kundër projektligjit “Për disa ndryshime në Ligjin Për Artin dhe Kulturën”, si dhe zhvendosjes së Teatrit Kombëtar në qendrën e re kulturore “Turbina”. Nuk përjashtohet mundësia që edhe drejtori ende në detyrë, Hervin Çuli, të rikandidojë për postin që ende mban.

Mund të thuhet se raporti i tij me ministren Kumbaro ka qenë pozitiv, madje është marrë edhe si shembull në realizimin e reformës institucionale, sidomos të lidhjes së kontratave me afat. Megjithatë, Çuli ende nuk prononcohet për vendimin e tij. Afati i dorëzimit të dokumenteve është data 22 shkurt pranë Zyrës së Protokollit në Ministrinë e Kulturës. Deri atëherë, me gjasë, do të dalin edhe emra të tjerë kandidatësh. Përpos përmbushjes së kritereve të vendosura për këtë post, pretendenti për post, duhet të propozojë një platformë për administrimin dhe promovimin e Teatrit Kombëtar.

KRITERET

Ministria e Kulturës, ka shpallur listën e kritereve që duhet të përmbushë kandidati për drejtor i Teatrit Kombëtar. MK ka përcaktuar objektivat që duhet të arrijë drejtori i ri, si më poshtë:

OBJEKTIVA TË POLITIKËS KULTURORE

Të zhvillojë marrëdhënie të qëndrueshme me institucionet arsimore, përmes projekteve qe nxisin përfshirjen dhe krijimtarinë e të gjithë grupmoshave në përgjigje të politikës së Ministrisë “Edukim Përmes Kulturës”; Të krijojë lidhje me strukturat ekonomike dhe ato të biznesit publik e privat për të ndërgjegjësuar dhe tërhequr një publik të ri; Të dëshmojë kreativitet dhe të ndërmarrë nisma frymëdhënëse për të fituar audienca të reja; Të ndërtojë programe të “Edukimit Përmes Kulturës”.

OBJEKTIVA NË ADMINISTRIM

Të sigurojë ligjshmëri dhe transparencë të kontratave individuale dhe procedurave të punësimit; Të ndërtojë një plan buxhetor financiar të qartë vjetor; Të bëjë të mundur rritjen e të ardhurave përmes burimeve të treta; Të ngrejë një sistem treguesish vlerësimi të punës së institucionit për të lehtësuar dialogun me Ministrinë e Kulturës prej nga varet; Të garantojë mundësi për angazhimin e të rinjve në skenën kombëtare. Kushtet që duhet të plotësojë kandidati në procedurën e konkurrimit publik: Të jetë shtetas shqiptar; Të ketë zotësi të plotë për të vepruar; Të zotërojë gjuhën shqipe të shkruar dhe të folur; Të jetë në kushte shëndetësore që e lejon të kryejë detyrën përkatëse; Të përmbushë kërkesat ligjore për nivelin arsimor dhe të zotërojë aftësitë e nevojshme profesionale për vendin përkatës të punës; Kandidati duhet të propozojë një platformë për administrimin dhe promovimin e Teatrit Kombëtar.

EMA ANDREA: E KAM PËR DETYRË TË LUFTOJ

Aktorja dhe pedagogia e Universitetit të Arteve Ema Andrea ka shpallur kandidaturën e saj për postin e drejtorit të Teatrit Kombëtar, përmes një postimi në “Facebook”. “Pronar-e sallash mund të bëhet çdokush që i jep lekë i Zoti i shtëpisë, por historinë që ka kaluar në ato salla nuk mund ta zhbëjë askush me koncepte tregtarësh! Problemi fillon kur nuk e sheh Teatrin si institucion historik e kulturor, por si sallë me qira, ku rëndësi ka fitimi dhe jo vlera kulturore krijuese e njerëzore! Teatrantët nuk janë as tulla e as tregtarë (me gjithë respektin), ndjesë për bezdinë e kandidimit tim! Më vjen keq, por e kam për detyrë të luftoj për parimet mbi të cilat u emërova modestisht Ema Andrea në shoqëri!”, shkruan ajo.

LAERT VASILI, KANDIDIM PËR HERË TË DYTË

Laert Vasili kandidon për të dytën herë për postin e drejtorit të Teatrit Kombëtar. Katër vjet më parë, ai “humbi” garën përballë Hervin Çulit, por, me gjasë, periudha e qëndrimit në Shqipëri ia ka qartësuar idetë në atë çka ai mendon të bëjë në krye të këtij institucioni. Përmes një statusi në “Facebook”, Vasili njofton: “Unë kandidoj sërish për drejtimin e Teatrit Kombëtar: Të dashur miq, Pas një sërë takimesh, dëgjimesh, propozimesh dhe falë këmbënguljes sime në bindjet e mia mbi Teatrin dhe të ardhmen e tij europiane vendosa të rikandidoj për postin e Drejtorit Artistik të Teatrit Kombëtar, duke iu përgjigjur kështu thirrjes së Ministrisë së Kulturës!”, shkruan aktori dhe regjisori Laert Vasili.

Genci Fuga, shpall kandidaturën, dorëhiqet nga SASE

Genci Fuga është shquar së fundmi si një nga opozitarët më të flaktë të ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro. Aktori e pedagogu i Universitetit të Arteve ka vendosur të kandidojë për të drejtuar një institucion që për momentin ndodhet në qendër të vëmendjes. Ai ka njoftuar gjithë miqtë e tij në rrjetet sociale për kandidimin për drejtor dhe dorëheqjen nga Sindikata e Artistëve të Skenës dhe Artit. “Meqë po kandidoj për Drejtor të Teatrit Kombëtar, ndjej si obligim moral e qytetar: Të tërhiqem, përkohësisht, nga anëtarësia në SASE!”.

Artistët, takim në Teatrin Kombëtar: Do përshkallëzojmë masat

Komuniteti teatror do rimblidhet sot në ambientet e Teatrit Kombëtar. Aktori Arben Derhemi, kryetar i Sindikatës së Artistëve të Teatrit Kombëtar, ka njoftuar dje një takim që do të zhvillohet sot. Të pranishme do të jenë të gjitha shoqatat artistike dhe grupet e interesit. Derhemi u ka bërë thirrje dhe të gjithë teatrove të rretheve të jenë të pranishëm në takimin e sotshëm.

Në njoftim sqarohet se “Diskutimi ka lidhje me mosreagimin publik të ministres karshi komunitetit dhe përshkallëzimin e masave tona”. Pak ditë më parë komuniteti teatror i mbështetur nga pedagogë, studentë dhe krijues të pavarur, nën drejtimin e Sindikatës së Artistëve të Skenës dhe Ekranit u mblodhën në një takim, ku diskutuan rreth projektligjit që parashikon disa ndryshime në Ligjin Për Artin dhe Kulturën, si dhe për zhvendosjen e Teatrit Kombëtar në qendrën “Turbina”.

Të gjithë të pranishmit firmosën një peticion, i cili i kërkonte ministres Mirela Kumbaro të pezullonte projektligjin dhe të takohej me artistët. Po ashtu, ata u shprehën kundër zhvendosjes së TK te “Turbina”. Nga ana tjetër, Kumbaro, e pyetur nga gazetarët, u përgjigj se është e gatshme t’i takojë artistët brenda kësaj jave. Po ashtu ajo i është përgjigjur përmes një letre të hapur edhe aktorit Robert Ndrenika, i cili akuzonte se në truallin e Teatrit Kombëtar do të ngrihet një kullë dhe TK do të jetë një aneks i saj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura