“Mezi e bindëm shokun Enver, të sjellim një mjek nga jashtë! Do vij si turist, pa e marr vesh njeri”- Urdhri për sëmundjen “Komandantit”: Pse u mbajt e fshehtë gjendja e diktatorit nga Nexhmija dhe Ramiz Alia

Apr 13, 2024 | 7:42
SHPËRNDAJE

Ramiz Alia: “Gjendjen shëndetësore të shokut Enver, tani për tani e dimë vetëm ne, asnjë njeri tjetër, prandaj askush nuk duhet të marrë vesh”!

enver hoxha1

******

Plot 39 vjet më parë, në mesnatën e 11 prillit të vitit 1985, pas dy ditësh në koma, pushoi zëmra e udhëheqësit kryesor të Shqipërisë komuniste, diktatorit Enver Hoxha, njeriut që e kishte qeverisur me dorë të hekurt vendin e tij, që nga nëntori i vitit 1944, kur ai erdhi në pushtet menjëherë pas largimit të forcave gjermane, gjë e cila shënoi edhe mbarimin e Luftës.

Vdekja e tij erdhi edhe si pasojë e një sëmundje (diabeti), që atij i ishte shfaqur që në vitet e para të pasluftës, e cila u bë shkak edhe për një infarkt akut, që ai pësoi në vitin 1973, duke i shpëtuar paq vdekjes, por që në fillimet e viteve ’80-të, iu acarua së tepërmi, duke i dhënë edhe mjaft komplikacione, kjo solli dhe vdekjen e tij në mesnatën e 11 prillit 1985.

or keqësimi i shëndetit të Enver Hoxhës, filloi që nga ditët e para të shkurtit të vitit 1984, gjë e cila shkaktoi një alarm të vërtetë tek “shokët e udhëheqjes”, duke bërë që Ramiz Alia, njeriun të cilin Enveri, pas eliminimit të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, në dhjetorit të vitit 1981, e kishte “pagëzuar dhe promovuar si pasardhësin e tij, të mblidhte disa herë në takime pune anëtarët dhe kandidatët e Byrosë Politike, për t’i informuar ata për situatën e rëndë shëndetësore, që po kalonte “Komandanti”, apo dhe komunikuar herë pas here, mbi sëmundjen e tij dhe “masat që po merrte Partia”, për ta kaluar atë situatë tejet të vështirë.

Veç të tjerash kjo gjë bëhet e ditur edhe nga disa dokumente me siglën “Tepër sekret e një rëndësie të veçantë”, të nxjerra nga Arkivi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së, (Fondi 14, Ap. O.U)

Gjëja e parë që bie në sy nga këto dokumente me proces-verbalin e mbledhjes së Byrosë Politike, të mbajtur në datën 17 shkurt 1984, është fakti se Ramiz Alia, tashmë kishte marrë në dorë “frenat” e shtetit shqiptar dhe në një farë mënyre ai ishte tashmë edhe “de facto” kreu i Partisë së Punës së Shqipërisë, duke vendosur vetë për gjithçka. Dhe tjetra që vihet re në këto dokumente, është preokupimi mjaft i madh i Ramiz Alisë dhe gjithë “shokëve të udhëheqjes”, për ta mbajtur sa më të fshehtë sëmundjen e Enverit dhe gjendjen shëndetësore të tij.

Pasi ka bërë një rezyme të gjendjes shëndetësore të Enver Hoxhës dhe ekipin e mjekëve shqiptarë që ishin angazhuar në atë drejtim, Ramiz Alia, ka diskutuar me “shokët e Byrosë”, edhe për mundësinë e sjelljes nga jashtë shtetit të disa mjekëve specialistë, kryesisht nga Franca, por nuk është pranuar nga vetë Enveri, dhe as nga Ramizi me Nexhmijen, pasi i druheshin lajmeve të shtypit botëror, sepse një gazetë greke, kishte shkruar se Enver Hoxha kishte vdekur.

Nisur nga këto, në ato mbledhje, Ramiz Alia i ka porositur “shokët e Byrosë”, që të kenë kujdes në ruajtjen e sekretit “për shëndetin e shokut Enver”, madje të mos bisedojnë as me familjarët e tyre dhe në shtëpi e në publik, të rrinë të qeshur, që populli të mos kuptojë gjë.

Por për më shumë, na njohin dokumentet i më poshtëm me proces-verbalet e mbledhjeve të Byrosë Politike të datës 17 shkurt dhe 11 nëntor të vitit 1984, të cilat po e publikojmë.

DOKUMENTI ARKIVOR ME PROCES-VERBALIN E MBLEDHJES SË BYROSË POLITIKE TË PPSH, MBI GJENDJEN SHËNDETËSORE TË ENVER HOXHËS

                                                              “Tepër sekret, i rëndësisë së veçantë”

Proces-verbal i mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, i datës 11 nëntor 1984

Këtë mbledhje të Byrosë Politike, e thirri Sekretari i Komitetit Qendror të PPSh-së, shoku Ramiz Alia, për të informuar shokët kryesorë të udhëheqjes së partisë, mbi gjendjen shëndetësore të shokut Enver.

Ata u mblodhën në sallën e vogël të pushimit, në katin e sipërm, dhe fjala e shokut Ramiz u stenografua.

SHOKU RAMIZ ALIA: Francezët anojnë më shumë në pikëpamjen që kjo gjendje, është pasojë e një embolie kardiake. Nga pikëpamja objektive, kjo nuk luan ndonjë rol, po specialistët francezë janë të bindur se të gjitha këto fenomene, kanë ardhur nga zemra. Vetëm në këtë çështje u bënë diskutime midis specialistëve francezë dhe tanëve, nuk pati ndonjë problem tjetër.

Mjekët tanë edhe për sa i përket fenomenit të heqjes zvarrë të këmbës dhe dredhjes së dorës, kanë menduar se mos kemi të bëjmë me ndonjë fenomen të sëmundjes së Parkinsonit. Edhe në këtë çështje, tanët nuk kon-kordonin me francezët.

Këta janë të mendimit se te shoku Enver, nuk kemi të bëjmë me këtë sëmundje. Heqja zvarrë e këmbës dhe dridhja e dorës, janë pasojë e dobësimit të organeve kardiovaskulare, sidomos dobësimit të zemrës.

Specialisti francez që foli për Parkinsonin, shprehu mendimin se e tillë është pikëpamja e tij, duke u bazuar në të dhënat që u paraqitën, se për të dhënë një mendim të saktë, ai kërkoi që ta shikonte vetë pacientin.

“Megjithëse nuk kemi të bëjmë me sëmundjen e Parkinsonit, – tha ai, – mendoj se kura kundër kësaj sëmundjeje, po të vërtetohet, është bërë mirë”.

Nga pikëpamja e terapisë, francezët rekomandojnë pra të njëjtat ilaçe të dhëna nga mjekët tanë, me ndonjë ndryshim fare të vogël, në dhënien e ndonjë ilaçi të së njëjtës familje.

Për shembull, ata e dinë se shoku Enver, e ka qejf përdorimin e kripës në ushqime, ndërsa mjekët tanë, e kanë këshilluar të mos e hajë.

Mirëpo, duke i dhënë ushqime pa kripë, ai nuk i ha. Mjekët francezë thonë se në kushtet e tij, sidomos neve, na intereson që pacienti ta hajë të tërë ushqimin e nevojshëm, prandaj le të marrë edhe ca kripë, se pas buke, i japim ilaç që ta shkarkojë.

Mirëpo ilaçi që iu tha për shkarkimin e kripës, atë e lodhte shumë. Kur tanët ua vunë këtë në dukje francezëve, ata e rekomanduan të përdorej një diuretic, me efekt të vonuar.

Këtu qëndronin ndryshimet në terapinë midis specialistëve francezë dhe mjekëve tanë. Asnjë gjë tjetër esenciale nuk ka midis tyre, dhe kjo është shumë pozitive, se tregon që trajtimi nga mjekët tanë, ka qenë dhe është shumë korrekt.

Megjithëse mjekimet edhe kundër Parkinsonit, shoku Enver i janë bërë në rregull, për të hequr merakun pardje biseduam me shokun Enver, që ta thërrisnin profesorin specialist për këtë sëmundje, por ai nuk ishte dakord, madje siç më tregoi Nexhmija, një ditë më parë, kishte biseduar edhe ajo vetë për këtë çështje me të.

“Përse të vijë”?!- na tha ai. Po ne i shprehëm mendimin se, nuk humbasim ndonjë gjë sikur të vinte, se francezët tani i dinë të gjitha këto që dinë mjekët tanë dhe ne do të marrim masa, që asnjeri të mos e marrë vesh një gjë të tillë, duke e sjellë mjekun francez si turist.

Sidoqoftë, me ca zor, por e bindëm. Kjo as shton as pakëson gjë, se mjekimet i janë bërë në rregull edhe kundër Parkinsonit, madje francezët thanë se keni bërë shumë mirë, që ia keni filluar edhe këtë kurë, mbasi ilaçi i përdorur, nuk sjell asnjë dëm edhe sikur mos ta ketë këtë sëmundje.

Të gjitha këto që jua thashë, shoku Enver i di, po jo në këtë shkallë shqetësuese që ju tregova. Kështu, për specialistin francez, që është thirrur të vijë, nuk i kemi thënë se do ta vizitojë për Parkinsonin, po për të parë mënyrën e dhënies së kurave.

Edhe për insuficiencë e theksuar kardiake, gjithashtu nuk i kemi folur me atë seriozitet që është gjendja e tij, dhe duhet njohur se kjo gjendje është shumë serioze, prandaj duhet të jemi të gjithë shumë të ndërgjegjshëm, megjithëse shokut Enver, ia kemi treguar në mënyrë të moderuar gjendjen e tij.

Terapia e re që është filluar, t’i bëhet, mund të sjellë ndonjë përmirësim, dhe ne urojmë që shoku Enver ta marrë veten. Po këtë do ta shikojmë. Në këto kushte, natyrisht edhe gjendja e tij shpirtërore ka ndryshuar. Shoku Enver është bërë i ndjeshëm. Ja, kur vajta pardje dhe po i flisja për pusin e ri fontanë, që është hapur, filloi të ngashërehet dhe u prek shumë.

Gjithashtu, sa sheh diçka në TV, preket. E tillë është edhe sëmundja. Në këtë gjendje ne kemi ndjekur e do të ndjekim rrugën, që të mos e rëndojmë me punë shokun Enver, mbi mundësitë e tij fizike të tanishme; do ta ngarkojmë me aq sa mund ta përballojë, për të mos i sjellë asnjë vështirësi.

Unë jam përpjekur për ta mbajtur në korrent të punëve, natyrisht shumë shkurt dhe pa e futur në hollësi. I shkoj vazhdimisht në shtëpi dhe ai vetë më merr ndonjëherë në telefon. Edhe shokun Adil, e merr në telefon, dhe ky gjithashtu i dërgon vetëm ndonjë material të domosdoshëm.

Pra duke marrë parasysh gjendjen e rëndë shëndetësore të shokut Enver, jam përpjekur të mos e ngarkoj, por ta vë në dijeni për problemet e aspektit politik, pa e futur në detaje.

Këtë praktikë do ta ndjekim edhe në të ardhmen, që të mos e rëndojmë. Madje tani na del problemi i Spartakiadës, që do të bëhet me rastin e 40-vjetorit të Çlirimit, ku është e domosdoshme që ai të marrë pjesë, pasi me daljen e tij në publik, e kërkon interesi i Partisë.

Në këtë manifestim të madh fizkulturor, do të jetë tërë populli dhe rinia e Tiranës, që ka dëshirë të shikojë Komandantin. Për këto arsye u detyrova ta shtroj para jush këtë çështje, mbasi jemi përpara situatave të reja.

Ne i kemi marrë të gjitha masat, për të siguruar daljen e tij para publikut të kryeqytetit, pa i krijuar asnjë vështirësi, se ecjen në tribunën e stadiumit, ia kemi siguruar ta bëjë në rrugë fare të shkurtër dhe horizontale, vetëm 6-7 hapa, derisa të zërë vend në kolltukun ku do të ulet dhe andej nuk do të lëvizë më, deri në mbarim të manifestimit.

Ndonjë shok mund të ketë mendimin që të shtyhet edhe ca ditë më tutje Spartakiada, por duhet kuptuar mirë, se këtu nuk kemi të bëjmë me një sëmundje gripi, fjala vjen që zgjat ca ditë, i sëmuri përmirësohet dhe del përsëri në punë.

Gjendja e shokut Enver është ndryshe. Ai po kalon tani disa vështirësi më të mëdha, nga sa kishte përpara, gjë që e vutë re të gjithë në seancën e parë të Plenumit të 9-të të Komitetit Qendror të Partisë, megjithëse atë ditë ai erdhi në mbledhje me këmbët e veta, kurse tani e ka më të vështirë të ecë.

Sidoqoftë, çështjen e daljes së tij në manifestim, do ta shohim, vetëm dua të them se kjo ka rëndësi të madhe, mbasi të gjithë dëshirojnë ta shohin atje, dhe jo vetëm populli i Tiranës, po i tërë Shqipërisë.

Në stadium ne do të vendosim për këtë qëllim aparaturat e televizionit, si në të gjitha rastet e këtij lloji. Prandaj do të përpiqemi ta rregullojmë daljen e tij, me qëllim që populli të gëzohet.

Megjithatë, çështjen do ta shohim ditët e ardhshme. Unë mendoj që edhe sikur ta shoqërojë njeri për krahu, nuk ka gjë. Pastaj e marrin të gjithë me mend, që si mosha edhe sëmundja, i kanë këto fenomene.

Sidoqoftë, për pjesëmarrjen e tij në Spartakiadë, kemi akoma edhe shumë ditë kohë për të vendosur, prandaj të mos shpejtohemi.

Të them të drejtën, nuk mundja ta mbaja vetë këtë shqetësim, prandaj ju mblodha t’jua thosha të gjitha këto që ta dijë, Byroja Politike.

Megjithatë, mjekët tanë janë në krye të detyrës dhe vetë shoku Enver, me shumë rigorozitet zbaton të tëra kurat që i japin ata. Të gjitha këto që thashë, duhet t’i mbajmë për vete.

Tani të vëmë të tëra forcat, për të kryer në këto kushte detyrat. Ky do të jetë edhe lehtësimi më i madh për gjendjen e tij, që të mos e shqetësojmë për problemet e mëdha që kemi përpara dhe që na shqetësojnë të gjithëve, por ca më shumë atë.

Prandaj, sa më shumë suksese të kemi në punët e Partisë dhe të shtetit, aq më tepër do të ndikohet pozitivisht dhe në përmirësimin e gjendjes shpirtërore dhe fizike të shokut Enver.

Kjo do të jetë e mirë për të dhe kjo është tani detyra jonë kryesore. Të gjitha shërbimet ne po ia bëjmë e do t’ia bëjmë, dhe shpresoj që shoku Enver, ta kapërcejë këtë vështirësi në sajë të kujdesit që po tregohet dhe të ilaçeve që i janë siguruar, dhe për ta marrë veten, gjë që do të jetë me shumë rëndësi për Partinë. Nga Dashnor Kaloçi Memorie.al

Tiranë, më 15.10.1984

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura