Meta sfidon Ramën e Bashën: Negociatat të bëhen të hapura, boll me populizëm

Jul 19, 2016 | 14:57
SHPËRNDAJE

“Negociata të hapur për gjithë publikun, moratorium të deklaratave politike, stop përbetimit se kush e do më shumë reformën në drejtësi, koha për transparencë”.

meta1

Me këtë deklaratë bërë nga kryesia e Kuvendit, kryeparlamentari Ilir Meta iu drejtua me kërkesë të prerë Ramës e Bashës, duke i ftuar të jenë të hapur në negociatat për reformën, në mënyrë që ajo të arrihet tani dhe jo në castin e fundit.

Meta njoftoi se pika e parë dhe më e rëndësishme e seancës plenare të së enjtes është pikërisht reforma në Drejtësi.

“Kjo është seanca më e rëndësishme e Kuvendit ndoshta pikërisht që nga dita kur u votua kushtetuta e vendit, sepse do na duhet të miratojmë me konsens ndryshimet kushtetuese që përbëjnë një kushtetutë të re që ristrukturon drejtësinë e dekadave të ardhshme për vendin. Sikurse jam informuar edhe unë, edhe ju, janë dy momente fare të vogla që kërkojnë dakordësinë e ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë”- tha Meta.

“E ftoj këtë tryezë, pavarësisht nga lodhja e pambarimtë, të vazhdojë punën dhe ajo që unë kërkoj si kreu i kuvendit është që diskutimet ti bëjë të hapura e transparente për mediat dhe shqiptarët, por edhe ndërkombëtarët. Deputetët e Kuvendit të enjten në 10:00 dhe opinion publik shqiptar kudo ndodhet ka nevojë të njihet me përmbajtjen e diskutimeve, populizmi nuk është transparencë. Kjo seancë nuk do të mbyllet pa miratimin e kushtetutës së re dhe në këtë frymë përgjegjshmërie dhe serioziteti ftoj edhe përfaqësuesit ndërkombëtar. Shpreh bindjen e plotë se kuvendi do e kthejë të enjten në një ditë suksesi kombëtar”- tha Meta.

 

Meta tjetër mesazh Ramës: S’ka Kushtetutë me vota të diskutueshme

Kreu i Kuvendit Ilir Meta ka dhënë një tjetër mesazh për kryeministrin Edi Rama, duke theksuar se nuk do të ketë ndryshime në Kushtetutë me vota të diskutueshme.

meta

 

Teksa në fjalën e tij pas takimit me liderin e opozitës Lulzim Basha nënvizoi se reforma do të miratohet ditën e enjte në Kuvend.

Kujtojmë që një ditë më parë Rama tha se mazhoranca i ka 94 votat për të miratuar reformën në drejtësi.

Deklarata e Metës:

Ua kam thënë prej kohësh që Reforma në Drejtësi do të votohet. U them të gjithëve të mos mendojnë as plan ‘b’, as plan ‘c’ as plan ‘ll’. Plani është me konsensus sipas Venecias sikurse ka thënë komisioneri Hahn sot. Jemi shumë pranë marrëveshjes.

Dua të falënderoj Ramën e Bashën pasi janë shumë konstruktivë, pavarësisht retorikave pas takimeve. Besoj se janë plotësisht të angazhuar për miratimin e saj sipas Venecias. Falënderoj ekspertët që u vendosën dje për të negociuar. Të enjten në 10 Kuvendi do fillojë me këtë çështje madhore.

Siguroj Uashingtonin zyrtar dhe Brukselin zyrtar se pavarësisht zhurmave mediatike këtu, Republika e Shqipërisë do hedhë një hap të vërtetë madhor dhe historik për dekadat që vijnë në drejtim të forcimit të shtetit ligjor, të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar vetëm përmes konsensusit dhe sipas Venecias. Nuk mundet të luftohet korrupsioni as me korrupsion dhe as me krim të organizuar.

Të enjten në 10:00 Kuvendi i Shqipërisë fillon dhe nuk do mbarojë derisa të miratohet kjo reformë.

Komisioneri Hahn tha se nuk ishte i informuar për takimin tuaj dje me Bashën e Ramën…

Prej kohësh kam kërkuar që pas raportit final të Venecias që të bëhej një takim mes Ramës e Bashës. Gjithnjë kam thënë se jam i gatshëm që votoj çdo gjë që arrihet me konsensus mes PD e PS dhe sipas Venencias. Këtë ia kam shprehur edhe BE e SHBA. Ua kam bërë të qartë që nuk mund të bëhet reforma në mënyrë jo shumë transparente dhe si telefon i prishur. Dje u kam thënë të gjithëve të jenë të qetë, të mos bëjnë politikë. Sepse politika nuk e ndihmon drejtësinë. Shqiptarët duhet të dalin të bashkuar pas të enjtes dhe me besim të plotë se Shqipëria do hedhë një hap madhor historik.

Basha tha se është prishur marrëveshja…

Do zgjidhen edhe dy çështjet sipas Venecias. Askush të mos shpresojë se do të minojë konsensusin dhe ti vërë një njollë Shqipërisë dhe të miratojë një kushtetutë të re me vota të diskutueshme.

Basha tha se do shkojë në Bruksel…

Unë jam gati të shkoj me të. Ai më premtoi se votat e PD do jenë për këtë reformë sipas Venecias. Gjërat janë tërësisht të zgjidhshme. U bëj thirrje të gjithëve edhe aktorëve vendas e ndërkombëtarë që të përqendrohen te çështja dhe te Venecia. Republika e pas 21 Korrikut është e të gjithëve dhe jo e disave.

Do ta bindni dot kryeministrin?

Kryeministri është më konstruktivi nga të gjithë ne. Ai thotë zgjidheni sipas SHBA-së dhe BE-së dhe ne kështu do ta zgjidhim.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura