Mësuesit e rretheve në provim, ja çfarë përmban teza

Jan 19, 2016 | 8:10
SHPËRNDAJE

Ministria e Arsimit ka gati tezën e provimit që do t’i nënshtrohen rreth 15 mijë mësues në 13 qarqe.

mesues ne testim
mesues ne testim

Vetëm katër ditë larg testimit, gazeta zbardh mënyrën se si do të hartohet teza dhe pesha që do të ketë secila nga katër fushat ku përqendrohet testi, i cili mat aftësitë e mësuesve në punën që kryejnë çdo ditë. Aktualisht, drejtoritë arsimore po hartojnë listën e mësuesve për të përllogaritur mjediset ku do të testohen. Vetëm pas rezultateve të tyre, MAS do të bëjë një analizë të detajuar me boshllëqet e mësuesve për t’iu dhënë secilit trajnim të posaçëm.

STRUKTURA E TESTIT

Ekspertë të Institutit të Zhvillimit të Arsimit kanë hartuar tashmë tezën me 30 pyetje që do t’i përgjigjen mësuesit në testimin që do të zhvillohet përreth një orë, më 23 janar, nga orën 11:00-12:00.

testiTë gjitha pyetjet do të jenë me alternativa, ndërsa dy pjesët e para të testit, planifikimi dhe mësimdhënia e të nxënit, do të kenë peshën më të madhe të pyetjeve. Kështu, rreth 30% e testit, ose më saktë nëntë pyetje do të jenë në lidhje me planifikimin e një ore mësimi, ku përfshihen: objektivat, burimet e të nxënit, situata nga jeta reale, sigurimi i koherencës dhe planifikimi i instrumenteve të vlerësimit.

Të njëjtën peshë në test, 30%, do të kenë pyetjet nga procesi i mësimdhënies, ku përfshihet metodologjia që përdoret, vlerësimi i të nxënit, teknikat e të pyeturit diskutimet, menaxhimi dhe klima e përgjithshme në klasë.

Dy pjesët e fundit të testit që kanë në total 12 pyetje janë në lidhje me etikën e komunikimit të mësuesve me nxënësit, prindërit, kolegët, si dhe aspekte nga zhvillimi profesional i tyre.

ANALIZA

Në varësi të rezultatit të mësuesve në provim, MAS përcakton fushat ku ai ka nevojë për zhvillim profesional. Sipas përfaqësuesve të Ministrisë, kjo është një mundësi për mësuesit më pak të përgatitur të zhvillohen nëpërmjet trajnimeve të dedikuara. Nëse edhe pas kësaj ata vijojnë të kenë të njëjtën performancë në mësimdhënie, duhet t’u hapin rrugën atyre më të aftëve profesionalisht.

Kjo ka qenë arsyeja që shumë mësues janë druajtur, që kur MAS njoftoi për testimin. Ndërsa kjo e fundit vazhdimisht ka theksuar se i gjithë procesi u jep mundësinë e kualifikimit.

“Duhet të vendosim standard dhe cilësi e të mos kemi analfabetë funksionalë, që do të thotë t’i japim shansin mësuesit të luftojë kundër këtij fenomeni, të mos kemi nxënës analfabetë”, citojnë burime nga MAS.

BESARTA BASHA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura