Mësuesit e palicencuar, ja kushti për t’u futur në provim

Jun 28, 2015 | 14:20
SHPËRNDAJE

Mësuesit e diplomuar pas datës 12 janar 2011 dhe që kanë punuar gjatë kësaj kohe, qoftë në një institucion publik apo privat, mund të futen në provimin e shtetit vetëm nëse kanë të dokumentuar në librezë 12 muaj punë.

Mësuesit në testim

Është ky kushti që ka vendosur Ministria e Arsimit për mësuesit që punojnë të palicencuar. Po ashtu, një kategori e veçantë që do të përfshihen në testimin që do të zgjasë tri javët e para të muajit korrik janë mësuesit mbetës në sezonet e kaluara. Të dy kategoritë e lartpërmendura kanë afat deri më datë 30 qershor për t’u regjistruar për provim.

DOKUMENTET

Mësuesit e diplomuar pas 2011-s duhet të dorëzojnë pranë AKP-së disa dokumente: CV, librezë pune të noterizuar, diplomë të nivelit të parë, listë notash të noterizuar, diplomë masteri profesional apo shkencor, dëshmi penaliteti, raport mjekoligjor, vërtetim vendbanimi, kartë identiteti të noterizuar dhe vlerësim pune.

Edhe kandidatët për mësues që nuk kanë arritur të kalojnë në sezonet paraardhëse duhet të regjistrohen sërish duke dorëzuar pranë AKP-së këto dokumente: fotokopje të kartës së identitetit, vërtetim nga institucioni arsimor që ka zhvilluar praktikën profesionale 1- vjeçare, si dhe fotokopje të certifikatës së praktikës profesionale.

Në rast ndryshimi të mbiemrit, kandidatët duhet të kenë me vete certifikatën që vërteton ndryshimin e bërë. Me përfundimin e aplikimeve, Agjencia Kombëtare e Provimeve do të publikojë kalendarin me datat dhe orën e zhvillimit të provimit dhe secili nga kandidatët për më- sues duhet të paraqitet 30 minuta përpara.

Gjatë zhvillimit të testit, kandidatët duhet të kenë parasysh një sërë rregullash, si ndalimi i komunikimit, celularët apo çdo lloj objekti tjetër në ambientin e provimit. Gjatë kësaj kohe, ata mund të ushtrohen duke iu përgjigjur pyetjeve nga fondi i vënë në dispozicion të tyre, nga të cilat do të formohet dhe teza finale.

Është viti i tretë që mësuesia është futur në grupin e profesioneve të rregulluara me ligj. Kjo parashikon që ata nuk mund të ushtrojnë dot profesionin e tyre pa kaluar provimin e shtetit, i cili u jep të drejtën për të aplikuar për një vend pune. 

BESARTA BASHA 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura