Mësimi në pandemi/ Kreu i Sindikatës: Lodhje e stërmundim për arsimtarët, mbi 40 orë në javë. Drejtorët i detyrojnë mësuesit…

Sep 21, 2020 | 21:52
SHPËRNDAJE

NGA BESARTA BASHA/ Ka kaluar vetëm një javë mësim dhe mësuesit ndihen tejet të lodhur. Mësimi nën diktatin e koronavirusit ka sjellë orë të tejzgjatura në ambientet e shkollës, me maska, mësim deri në katër turne… katër herë shpjegim i së njëjtës temë mësimore, pa ngrënë e pa pirë.

halilajE gjitha kjo, pa më të voglin stimul. Kjo është panorama e javës së parë, që, sipas përfaqësuesve të arsimtarëve, është veçse maja e ajsbergut të një sërë problematikash të mbartura nga vitet e kaluara e të tjera, të lindura rishtazi bashkë me pandeminë.

PROBLEMATIKAT

Vendimi me protokollin e masave anti-Covid, i pashoqëruar me mbështetje financiare, për numrin 2 të Sindikatës së Pavarur të Arsimit të Shqipërisë, Isa Halili, po i çon shumë shkolla të shkojnë drejt kaosit të plotë. Mësuesit janë ata që po e mbajnë gjithë peshën e këtij vendimi të padetajuar. “Qeveria i ka hapur shkollat pa plan.

Nuk është punuar paraprakisht për një strategji të detajuar sipas shkollave, por ua kanë lënë në dorë drejtorëve. Këta të fundit nuk po tregohen fleksibël. Mësuesit po përjetojnë lodhje e stërmundim për shkak të orarit të zgjatur. Për të mos përmendur raste kur ata mbahen në shkollë edhe përtej përfundimit të mësimit”. Mësuesi i një lënde bërthamë në kurrikul, nga 20 orë mësimore në javë, sot kryen 40 të tilla.

Ndonëse me orë të shkurtuara, konceptet jepen të plota dhe mësuesit i duhet që në një kohëzgjatje më të madhe të përsërisë veten aq herë sa turne ka shkolla. Në rastin kur shkolla ka vetëm tri, një mësues duhet të paraqitet në shkollë në orën 07:45 dhe të largohet në 15:15.

“Janë shtatë orë e gjysmë qëndrimi me maskë ku nuk lejohet as ushqimi, as uji. Është thënë që orët shtesë do të paguhen, por ato vlerësohen në masën 250 lekë/orë, çka nuk e motivon aspak një mësues”, thotë Halili, duke kërkuar së paku dyfishim të orëve suplementare.

Veç kësaj, edhe ndër ta, ka kategori të rriskuara, për të cilët nuk mban askush përgjegjësi nëse infektohen në vendin e punës. “Kemi mësues që kanë kryer kimioterapi dhe ata nuk duhet të jenë në shkollë. Po ashtu, qindra të tjera janë mbi 60 vjeç”, nënvizon zv.presidenti i SPASH, teksa insiston për tamponim të vazhdueshëm të mësuesve, duke sjellë në vëmendje rastin e nëndrejtoreshës së shkollës “Ismail Qemali”, e cila rezulton e infektuar. Pavarësisht kësaj, sipas tij, asnjë prej mësuesve nuk është testuar.

“SHKOLLAT E TËRMETIT”

Problematikave të përmendura më sipër, i shtohen edhe të tjera në shkollat e shkatërruara nga tërmeti. Nxënës e mësues duhet të udhëtojnë kilometra më shumë për të arritur në shkollën më të afërt, me transport rastësor, i cili nuk siguron as kushtet minimale të sigurisë. E, përveç rrëmujës, nuk ka as transparencë.

“Durrësi është në kaos, me katër turne dhe nuk ka deklaruar askund marrjen e një ambienti me qira. Numërohen thuajse 120 shkolla në rang vendi të dëmtuara, për të cilat nuk po bëhet asgjë. Sipas udhëzimit, aty ku janë dy shkolla dhe punohet me katër turne, mësimi përfundon në 19:30. Mirë sot zhvillohet, por pas muajit tetor, është shumë e vështirë, sidomos në shkolla pa ndriçim e ngrohje. Në fshatra, tjetër problem është transporti ku nuk zbatohet kurrfarë protokolli”.

Këto probleme i kanë ngritur dhjetëra shkolla, që nuk mundësojnë dot zbatimin e masave në gjithë zinxhirin e tij. Sikur këto të mos mjaftonin, jo pak mësues janë përballur këtë javë me arrogancën e drejtorëve që u kërkojnë të blejnë dezinfektues, filtër pa të cilin nxënësit nuk duhet të futen në shkolla. Përgjegjësia në këtë rast u faturohet bashkive, por ka raste kur edhe ato dorëzohen.

“Qarku i Kukësit që mbulon tri rrethe: Kukës, Has dhe Tropojë, i ka kërkuar prefektit ndihmë financiare për dezinfektimin e shkollave, pasi nuk ka fonde për ta përballuar. Shteti duhet të caktonte një shumë të caktuar për periudhën Covid dhe t’ua delegonte bashkive”, deklaron Halili. Në tre rastet që është rishikuar buxheti i shtetit, arsimi nuk ka qenë pjesë e tij.

MBI 30 MËSUES TË INFEKTUAR NË PESË DITË

Ndonëse është kërkuar informacion, ministritë përgjegjëse, ajo e Shëndetësisë dhe Arsimit, nuk kanë bërë transparencë mbi situatën e infektimeve në arsim. Raste sporadike të zbuluara nga media nëpër rrethe dhe në kryeqytet rezultojnë mbi tridhjetë mësues, çka detyrimisht janë zëvendësuar përkohësisht nga lista rezervë që kanë zyrat vendore. Vatra infektimi vazhdojnë të jenë ende disa shkolla në kryeqytet dhe rrethina, Fier, Delvinë, Kolonjë e Bulqizë. Ndërsa në radhët e nxënësve nuk ka asnjë të dhënë, përveç tri shkollave publike në qytetin e Fierit. Ecuria e pandemisë në shkolla do përcaktojë mënyrën sesi do të zhvillohet mësimi: në klasë, i kombinuar ose online.

Skenari më i padëshiruar nga të gjithë, mësimi online, në rast se do të zbatohet, i gjen mësuesit totalisht të papërgatitur. Sipas zv.presidentit të sindikatës, gjashtë muaj kohë nuk i kanë mjaftuar qeverisë për të trajnuar arsimtarët. Një mbyllje e dytë do t’i çonte ata një hap pas, me mësim përmes rrjeteve sociale. “Asnjë trajnim për mësimin online. Mund të shkojmë në mbyllje prapë. Trajnimi është i detyrueshëm. Me ‘Whatsapp’ dhe ‘Facebook’ nuk mund të bëhet mësim.

Kanë nxjerrë një platformë për mësimin në kushte shtëpie, por duhet të ketë platforma nëpër shkolla”. Sipas udhëzimit, nëse ka shpërthim të virusit në një klasë a shkollë, ata do të mbyllen. Një vendim të tillë e merr Ministria e Shëndetësisë pas raportimeve nga Instituti i Shëndetit Publik. Ndonëse në shumë vende të tjera që hapën shkollat në një hap me ne ka pasur mbyllje klasash apo edhe shkollash, Shqipëria në javën e parë ia hodhi paq. Kjo ku sapo hymë është vendimtare, pasi periudha e inkubacionit të shfaqjes së shenjave të virusit është mbi një javë.

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura