Merret vendimi / Disa pallate të dëmtuara nga tërmeti në Tiranë do të shemben, Veliaj: Riparimi i tyre kalon 70% të vlerës së ndërtimit! Qytetarët do marrin apartamente të reja

Nov 24, 2021 | 18:27
SHPËRNDAJE

Pallatet e dëmtuara rëndë nga tërmeti i nëntorit, Veliaj: “Proces transparent, banorët do të marrin apartamente të reja, me kushte shumë më të mira”

erionveliaj

Disa ndërtesa të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit në Tiranë, do të shemben. Ky është vendimi i marrë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës gjatë ditës së sotme.

Kryebashkiaku Erion Veliaj u shpreh se këto ndërtesa do të shemben pasi kostoja e riparimit e kalon vlerën 70% të ndërtimit të tyre.

Veliaj tha se në këto raste, ligji shqiptar parashikon shembjen e tyre dhe rindërtimin nga e para.

“Sot marrim vendime jo të lehta për prishjen dhe ndërtimin nga e para të atyre pallateve që riparimi u kushton më shumë se 70% e kostos së ndërtimit. Siç thotë Ligji: vendimmarrja e Bashkisë së Tiranës për prishjen e detyruar të ndërtesave, në pronësi private apo publike, për ato raste kur ndërtesa është dëmtuar nga fatkeqësia natyrore dhe nuk mund të riparohet ose kur riparimi i saj kushton më shumë se 70 % e kostos së ndërtimit nga e para, do të merret përmes një procesi transparent dhe bazuar në parashikimet e aktit normativ nr. 9, datë 16.12.2019. Në 8 seanca maratonike, të cilat u transmetuan “live” për publikun, u prezantuan nga ekspertët akt ekspertizat e thelluara për pallatet e dëmtuara nga tërmeti. Një proces që sot po na ndihmon të marrim vendime të qarta, të drejta dhe të bazuar në konkluzione profesionale”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë kërkoi mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve në këtë proces. Ai deklaroi se ndërtesat e reja do të ofrojnë kushte më të mira se ato të vjetrat.

“Padyshim që është një temë e ndjeshme, vendimet për prishje nuk do të jenë aspak të lehta as për ne, as për familjet e prekura. Do të jetë një ndarje emocionale, sidomos për ata njerëz që kanë kujtime dhe jetojnë me nostalgji. Por dua t’i garantoj qytetarët që do të marrin diçka më të mirë, më të madhe, dhe më me vlerë se ajo që kishin. Ndaj lypset mirëkuptim, bashkëpunim dhe durim deri sa të vij dita e dorëzimit të çelësave të apartamenteve me kushte shumë më të mira dhe më moderne”, deklaroi Veliaj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura