Opozita greke e cilëson provokim takimin e Ramës me emigrantët në Athinë, reagon kryeministri: Vizita nuk ka lidhje me çështjet e brendshme të Greqisë, por…

May 8, 2024 | 19:39
SHPËRNDAJE

Kryeministri Edi Rama, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Mitsotakis dhe opozitës greke lidhur e vizitën e tij në Athinë, në kuadër të turit të takimeve me shqiptarët e diasporës.

edi rama1

Nëpërmjet një reagimi në “X”, Rama i është përgjigjur akuzave të opozitës greke, e cila kritikoi ashpër qeverinë e tyre për vizitën jozyrtare të kryeministrit, duke theksuar se vizita e Ramës do të bëhet “në datën e përvjetorit të paraburgimit të Fredi Belerit”, ku dhe e cilësuan “veprim provokues, i cili evidenton mungesën e një politike koherente për Ballkanin Perëndimor të qeverisë Mitsotakis”.

Pas këtyre deklaratave, Rama thekson se vizita në Athinë nuk ka lidhje me çështjet e brendshme të Greqisë, zgjedhjet e Parlamentit Evropian në Greqi, apo ndonjë narrativë specifike që mund të zgjojë interesin e politikanëve grekë, e që nuk janë në axhendën e qeverisë shqiptare.

“Greqia mbetet një vend demokratik ku liderë nga vende të tjera demokratike mund të vizitojnë, të takohen me bashkatdhetarët e tyre dhe t’i lavdërojnë ata për punën e tyre të palodhur dhe kontributet e çmuara që ata japin jo vetëm për vendin ku ata jetojnë, por edhe në atdheun e tyre”, shkruan kryeministri.

Reagimi i Ramës

Është mjaft befasuese të dëgjosh deklaratat e opozitës greke, ndërkohë që mund ta kuptoj plotësisht perspektivën e përcjellë nga kryeministri grek. Kontrasti i fortë në pikëpamjet për të njëjtën çështje hedh dritë mbi arsyen pse disa janë në opozitë, ndërsa të tjerëve u është besuar qeverisja nga populli.

Megjithatë, siç theksoi me të drejtë kryeministri Mitsotakis, Greqia mbetet një vend demokratik ku liderë nga vende të tjera demokratike mund të vizitojnë, të takohen me bashkatdhetarët e tyre dhe t’i lavdërojnë ata për punën e tyre të palodhur dhe kontributet e çmuara që ata japin jo vetëm për vendin ku ata jetojnë, por edhe në atdheun e tyre.

Vizita ime e ardhshme në Athinë të dielën, më 12, nuk ka lidhje me çështjet e brendshme të Greqisë, zgjedhjet e Parlamentit Evropian në Greqi, apo ndonjë narrativë specifike që mund të zgjojë interesin e politikanëve grekë, por që nuk janë në axhendën e qeverisë shqiptare.

Deklaratat e opozitës greke

Opozita greke e kritikoi ashpër qeverinë e Mitsotakis për vizitën jozyrtare të kryeministrit Rama, duke theksuar se vizita e tij do të bëhet “në datën e përvjetorit të paraburgimit të Fredi Belerit”, ku dhe e cilësuan “veprim provokues, i cili evidenton mungesën e një politike koherente për Ballkanin Perëndimor të qeverisë Mitsotakis”.

“Vizta një veprim provokues, i cili evidenton mungesën e një politike koherente për Ballkanin Perëndimor të qeverisë Mitsotakis. Ai nënvizon zgjedhjet e tij komunikuese të deritanishme, të cilat dëmtojnë marrëdhëniet dypalëshe, nuk nxjerrin në pah realisht çështjen e shtetit të së drejtës në Shqipëri dhe nuk mbrojnë efektivisht të drejtat e minoritetit etnik grek në Shqipëri. Të drejtat që rrjedhin si nga e drejta ndërkombëtare ashtu edhe nga ajo komunitare, veçanërisht duke pasur parasysh perspektivën evropiane të vendit”, është shprehur SYRIZA.

Ndërkohë, edhe përfaqësuesi parlamentar dhe përgjegjës për Punët e Jashtme të PASOK-KINAL, Dimitris Manzos, e komentoi ashpër vendimin e kryeministrit shqiptar për të zhvilluar një “miting parazgjedhor” në Athinë për zgjedhjet shqiptare të vitit 2025, e cila zhvillohet pak ditë para zgjedhjeve evropiane, dhe në ditën e plotësimit të një viti nga arrestimi i Fredi Belerit, duke ia vendosur përgjegjësinë e qartë qeverisë greke dhe personalisht kryeministrit, Kyriakos Mitsotakis.

“Është një lëvizje provokuese me simbolikë të dukshme dhe mesazhe të qarta si për rastin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës dhe përfshirjen e tij në votën e Demokracisë së Re, ashtu edhe për marrëdhëniet greko-shqiptare në tërësi”, tha zoti Manzos në një deklaratë.

Ai theksoi se si “qeveria greke dhe kryeministri nuk mund dhe nuk lejohen të nënvlerësojnë ngjarjen, duke folur për një “zgjedhje të panevojshme” dhe një “vizitë private”, për të mos qenë një kryetar qeverie, por më tepër i një vendi fqinj, me të cilin marrëdhëniet kohët e fundit janë acaruar”.

Ai shtoi se “veprimet e zotit Rama, në kombinim me referimin e përfaqësuesit të Komisionit Europian për “çështjet dypalëshe”, në vend të çështjeve themelore të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, dëshmojnë pasojat negative të zgjedhjeve të dëmshme të qeverisë greke”.

“Demokracia e Re dhe personalisht zoti Mitsotakis, i cili ka vepruar jo si kryeministër por si kryetar partie, mban përgjegjësi të plotë për zhvillimet e mësipërme ”, përfundoi ai.

Deklarata e Mitsotakis

Kryeministri Mitsotakis ka thënë për mediat greke se Rama në Greqi nuk është i ftuar i qeverisë së tij, ndërsa shtoi se është drejtë e tij një vizitë e tillë, por dhe i është dukur dhe një zgjedhje e panevojshme për shkak të problemeve me marrëdhëniet greko-shqiptare.

“Është e drejtë e tij, një zgjedhje që më duket e panevojshme, prandaj thashë që është një zgjedhje e panevojshme. Ne kemi probleme me marrëdhëniet greko-shqiptare”, tha ai dhe shtoi se “çështja e ndalimit të Fredi Belerit është europiane, jo dypalëshe. Takimin nuk do e pengojmë”.

LEXO EDHE: “Nuk është ftuar nga qeveria!”- Vizita e Ramës në Greqi, reagon Mitsotakis: Vjen për të biseduar me bashkatdhetarët e tij

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura