“Me Berishën ishim shokë, tani e kam frikë”/ Publikohet për herë të parë dëshmia e mjekes: Si më internoi mua dhe bashkëshortin kur ishte sekretar partie

Dec 7, 2021 | 23:52
SHPËRNDAJE

berisha-margarita kostaqi

Për herë të parë hidhet dritë mbi dëbimin nga Tirana të mjekëve të njohur Milto dhe Margarita Kostaqi në vitin 1982.

Dëshmia e mjekes (e ndarë nga jeta në 2011-ën) dhe 9 personave të tjerë, zbulon veprimet e Sali Berishës, asokohe sekretar partie, i cili i shikonte çiftin e mjekëve si kundërshtarë të tij.

Emisioni Investigativ “Fiks Fare” hedh dritë mbi një nga ngjarjet më të bujshme të viteve ’80, me protagonist kryesor Sali Berishën, në atë kohë sekretar partie, i cili me veprimet e tij ka arritur që të internojë një nga mjeket më të njohura të asaj kohe, znj. Margarita Kostaqi dhe bashkëshortin e saj mjek, Milto Kostaqi.

Për herë të parë, me zë dhe figurë u publikua dëshmia e mjekes, të ndarë nga jeta në vitin 2011, e cila tregon se njeriu kryesor për dëbimin e saj ka qenë ish-kolegu Sali Berisha, me të cilin në atë kohë kishte edhe një raport njerëzor.

Ndërkohë, 9 kolegë dhe të njohur të saj, kanë treguar ndër vite të gjithë historinë, ku e përbashkëta e tyre ka qenë vetëm një emër; ish-Presidenti dhe ish-Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha.

Historia e Margarita Kostaqit, dhe bashkëshortit të saj Milto Kostaqit, fillon në ish-vilën qeveritare nr.30, atje ku në vitet ’80 banonte kryeministri i atëhershëm i Shqipërisë, Mehmet Shehu, dhe familja e tij. Mbrëmjen e 18 dhjetorit të vitit 1981, ish-kryeministri Mehmet Shehu gjendet i vrarë në dhomën e gjumit. Pas këtij fakti, gjithë njerëzit që punonin me të kaluan në sitën e partisë dhe të Sigurimit të Shtetit. Të njëjtin fat pati dhe grupi i mjekëve që punonte pranë kryeministrit. Ata u larguan. Midis tyre edhe mjeku Milto Kostaqi, burri i Margarita Kostaqit.

Për çudinë e të gjithëve, në vend që të përjashtohej nga partia Milto Kostaqi, u përjashtua bashkëshortja e tij, Margarita, e cila punonte si mjeke kardiologe në Spitalin nr.1, Tiranë, sot QSUT. Margarita Kostaqi kishte mbaruar shkëlqyeshëm Fakultetin e Mjekësisë dhe ishte e specializuar në Francë për kardiologji. Ajo gëzonte një autoritet të padiskutueshëm, falë aftësive profesionale dhe karakterit të saj. Vdekja e kryeministrit shqiptar dhe largimi i Milto Kostaqit nga klinika e bllokut, ku ai punonte si mjek i Mehemet Shehut, ishte rasti më i mirë për të hequr qafe gruan e tij, që kontrollonte pavijonin e kardiologjisë, ku punonte edhe Sali Berisha.

berisha-mjekja-internim

Margarita në 2010-ën: Ishim shokë me Berishën, tani e kam shumë frikë!

Në vitin 2010, Margarita Kostaqi, ka dëshmuar kalvarin e saj të jetës, uljet dhe ngritjet në karrierë, ku në fokus ka qenë vendimmarrja e vitit 1981. Në momentin e kësaj dëshmie, në krye të qeverisë ishte Sali Berisha, për të cilin tha se “atë e kam frikë, atëherë jo se ia përmblodha të tëra, por unë tani kam frikë, nuk dua të përzihem”. Kardiologia, e cila ka ndërruar jetë në vitin 2011, ka treguar me detaje jetën e saj, ndërsa tha se ka dy fëmijë një vajzë dhe një djalë. Në 2010-ën tregoi se, edhe pse mjekë të njohur, nuk kishte një shtëpi, të cilën e kishin shitur në kohën e fajdeve shumë lirë. Ajo tregoi se ka qenë e dëbuar, të padëshirueshëm, ku fillimisht kanë tentuar që ti çojnë në Kryevidh, por më pas shkuan në Durrës, me “ndihmën” e Muho Asllanit, i cili në atë kohë ka qenë Sekretar Partie në Durrës. “Pas 2 vitesh na dhanë shtëpi, se venim e vinim çdo ditë në Tiranë. Për ne ishte ndryshim i madh, por njerëzit na pritën jashtëzakonisht mirë. Njerëzit na kanë mbajtur në pëllëmbë të dorës, prandaj kemi qëndruar gjithë kohën” ka dëshmuar Margarita, teksa thotë se marrëdhënia me njerëzit ishte shumë e mirë, ndërsa me partinë shumë e diferencuar. “Të partisë lanë djalin 4-5 vjet pa shkollë. Populli, po të hynim ne në një kafene, ngriheshin në këmbë” pohon ajo, ndërsa tregon se edhe pas ’90-ës kanë vijuar që t’i shohin “si të persekutuar”. “Deputetët e PD-së kanë qenë të diferencuar, meqenëse sekretar ishte Saliu dhe ne u dëbuam nga Saliu, edhe ushqehesh urrejtja” vijon mjekja, e cila hezitonte që të fliste në publik.

“Nuk dua. Pse të flas? Është një gjë e kotë, fëmijët u rritën, u martuan. Unë po të përmend do të më ngrihet tensioni, do të vdes. Nuk e kam takuar asnjëherë që atëherë. Nuk më ka kërkuar dhe nuk e kam kërkuar. Përse ta kërkoj? Që ti më ke çuar atje?! Shumë gazetarë më kanë kërkuar për të shkruar dhe i kemi përzënë. Është pemë pa kokrra, njerëzit e dinë se kush është fajtori. U bënë 9 mbledhje partie për të na përzënë. Motivacioni ishte për Milton, kur vrau veten Mehmet Shehu. Unë dola se isha mendjemadhe, kryelartë, hedh hapin me forcë, egoiste, karrieriste, këto budallallëqe. Por themeli ishte Milto. Bëja ekon dhe filloja t’i përjashtoj nga diagnozat. Sepse të bëje ekon atëherë, diagnozat paloseshin me vesh. Përkrahje gjeti tek Ylli Popa, i cili tani kërkon falje. Por nuk ka kuptim më. Ky qe sekretar i Byrosë së Fakultetit, unë isha pedagoge dhe isha në organizatë” pohon mjekja, teksa kujton se me Salin ka qenë koleg dhe shok. “Punonte me mua. Ç’do fitoj? Mjeke jam, e qetë jam, me punë të mirë jam. U ndjeva keq kur u bë rehabilitimi. Jo i përndjekur, i internuar. Kur doja të çoja djalin që të vazhdonte juridikun, nuk iu dha as me demokracinë. Desha një vërtetim që ishim të dëbuar, shkova në Ministrinë e Brendshme dhe më thanë se nuk jeni të regjistruar, pasi ishte shkruar ‘largoheni me dëshirën e vetë’. Nga pedagoge e parë, Shefe Katedre unë isha e larguar me dëshirë?! Çdo gjë e piketuar, e rregulluar. Kështu që unë nuk kam të drejtë asgjë. Shqetësohem kur e kujtoj. Ashtu më kanë dëbuar me kamionët e Gardës. Mblidh plaçkat një orë e më parë me urdhër të Hekuran Isait. Fillimisht më kanë përjashtuar mua, pastaj Milton. Tre herë e kanë kthyer përjashtimin tim. Herën e katërt u ngrit Tafaj, ‘po mirë’ – më tha – ‘duhet të ishte edhe ti një çikë vigjilente për burrin’. I thashë pse nuk del tamam, urdhëro teserën, e dija se çdo të hiqja për fëmijët dhe hoqa dorë” tregon kardiologia, teksa kujton se fëmijët kanë vuajtur shumë, por ajo bashkë me burrin jo, pasi “populli na respektonte, kishim një kënaqësi të jashtëzakonshme”. Më tej thotë se nuk ka arritur që të mbrojë dizertacionin. “Do ta mbroja në 20 tetor dhe në 2 tetor më sollën në Kavajë. E kam në kuti. Ia kam lënë këtij të ma vërë me vete në varr” pohon ajo, ndërsa thotë se me Berishën “talleshin shokët me të”. “Nuk e di sesi mbijeton ai njeri. Qenka i plotfuqishëm. Nuk e di, e ka nga Zoti ai fuqinë. I kam mjekuar vjehrrën, të shoqen, kemi ngrënë dreka, darka, shoqërinë e ngushtë. Ka pasur ego. Nuk mund të më shihte mua që të mbijetoja. I mjekoja babën me mustaqe, kur vinte nga Tropoja. Se më vinte si mjeke e mirë, nuk më hodhi poshtë nga profesioni mua, si karrieriste” shton Kostaqi.

Më tej pohon se Saliu thotë e bëri partia, nuk e bëra unë. “Por po ta bënte partia, duhet të më thërriste kur u bë President e kur u bë kryeministër. Më fal të thoshte. Të kërkonte falje. Më urdhëruan. Dhe unë jam dakord që e urdhëruan. Për një moment jam dakord, jo për logjikën, për një moment jam dakord, por do shtëpi? Se nuk kemi as shtëpi, e as katandi, ku e do punën ti dhe Milto? Po, jo, pu, pu, pu. Unë nuk dua të di që ai e di që unë ekzistoj megjithë fëmijë. Nuk dua. Kam frikë, tani unë atë e kam frikë. Atëherë jo, se ia përmblodha të tëra. Zhduku procesverbalet se ishin histori, por unë tani kam frikë, nuk dua të përzihem. Në atë kohë po, kam folur, të gjitha. Ai më tha kështu mua; ‘ke shkuar në Itali, ke takuar motrën të martuar me gjeneral Italian. Unë as që kisha njeri në Itali. Motra ishte në Durrës. Ka metoda e metoda kërcënimi. Është një liri e kërcënuar, nuk është një liri e plotë. Tani kam frikë nga e vërteta, e pësova një herë. Thashë të vërtetën dhe e pësova. Tani e kemi mbyllur burrë e grua, gjëja më e madhe është respekti i njerëzve. Ju lëmë një emër shumë të mirë fëmijëve, sa të merremi me këto cicmice. Më mirë të jemi të qetë. As rregullon, as prish punë. Mua më janë bërë mbledhjet në korrik të 1982 – shit, në tetor kam ardhur këtu. Nuk ekziston asnjë procesverbal. Nëpërmjet të tjerëve kam marrë vesh që nuk ekzistojnë. Janë me skena të studiuara, jo kot, me lëvizje të matura. Neve na pëlqen që heshtim. Pse të kërkoj? Nuk kam pse, çfarë do të fitoj? Jam 70 vjeç, nuk më duhet asgjë. Më duhet gjithë gëzimi i njerëzve, si jeni? Ku i keni kalamajtë?” përfundon Margarita Kostaqi.

berisha mjekja margarita

Kolegët: Promotor i mbledhjeve kundër Margaritës ishte Berisha

Koleget tregojnë se promotor i të gjitha mbledhjeve të partisë, për të përjashtuar Margarita Kostaqin nga partia, ka qenë Sali Berisha, në atë kohë kardiolog, në të njëjtin pavijon me Margaritën. Në ato vite, Sali Berisha, kishte tentuar të hynte në grupin e mjekëve të Mehmet Shehut, mirëpo pa dobi. Kur Mehmeti vrau veten, ai i drejtoi sytë nga një tjetër anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, Kadri Hasbiut. Mirëpo edhe ketu nuk pati sukses, derisa me ndihmën e Isuf Kalos filloi të punojë si mjek i familjes së Hysni Kapos. Për të gjitha këto lëvizje, atij i duhej të pastronte rrugën nga njerëzit më të aftë se ai, të cilët mund t’i zinin vendin, në pavijonin e kardiologjisë dhe si mjek në bllokun e udhëheqjes. Jo një e dy, po nëntë mbledhje partie, njëra pas tjetrës, me orë të tëra, janë bërë në organizatën e partisë së spitalit për të përjashtuar Margarita Kostaqin. Nuk ishte e lehtë. Nga pikëpamja profesionale, Margarita gëzonte autoritet të padiskutueshëm tek koleget, tek drejtuesit e spitalit dhe tek pacientët. Me sukseset e saj në punë, mburrej i gjithë pavijoni i kardiologjisë. Ajo zotëronte të rejat më të fundit në këtë fushë dhe kishte lidhje të forta si brenda ashtu edhe jashtë Shqipërisë. Atëherë perse mund të akuzohej Margarita Kostaqi?

Profesori i ndjerë Zabit Brokaj, në një intervistë për “Fiks Fare” para disa vitesh, tregoi për dëbimin e Margaritës nga Tiranë në Kavajë. “Margarita ishte një mjeke shume e zonja dhe me ambicie. Kjo ka qenë njëra nga anët që Berisha të jetë provokuar. E vërteta është që ai zhvillim ka qenë brenda dhe një klime. E cila ishte një klime politike në një kuptim të gjerë. Nën flamurin e luftës së klasave dikur mund të dënoheshe rreptë edhe të internoheshe dhe të pranoje të qëndroje aty. Në atë moment vërtet politik dhe dramatik qe një grup, natyrisht aktiv ka qenë Saliu padiskutim, është më se e njohur kjo duke u mbështetur pikërisht tek ajo që thashë, principi i luftës së klasave. Kjo mund të thuhet dhe sot e pas 100 vitesh. Tani pse ta bënte Saliu?! Dikush tjetër s’do e bënte kurrë” do të deklaronte profesori.

Anëtarët e PPSh-së: Përjashtimi pas 9 mbledhjeve

Pas nëntë mbledhjeve, njëra pas tjetrës në organizatën e partisë, Margarita Kostaqi përjashtohet nga partia. Motivacioni për moral të ulët në raport me pacientët, për shfaqje të huaja, karrieriste dhe mendjemadhe. Përjashtimi nga partia, nuk presupozon në çdo rast edhe largimin nga puna. Fiksi ka biseduar edhe me z. Muho Asllani, Anëtar i Byrosë Politike të K.Q. të P.P.Sh-së, sekretar i parë i rrethit të Durrësit. “Organizata e Partisë për gabime, të meta e faje, jepte 4 masa ndëshkimore. E para ishte vërejtje me shkrim. E dyta vërejtje e rëndë me shkrim. E treta kthim në kandidat partie dhe e katërta përjashtim nga partia. Organizata e partisë merrte masë, as nuk kishte të drejtë ta dëbonte, as nuk kishte të drejtë ta internonte, as nuk kishte të drejtë ta burgoste, as nuk kishte të drejtë të merrte mase shtetërore. Këto dy mjek që i dëbuan nga Tirana, por nuk e kam të qartë sepse unë nuk jam marrë me internim – dëbimet. Por përderisa i kanë dërguar në Kryevidh do thotë që janë internuar” thotë z.Muho Asllani. Asnjë nga këto katër masa që parashikonte statusi i partisë, nuk u mor parasysh për Margarita Kostaqin. Organizata e partisë, ku Sali Berisha ishte një nga drejtuesit e saj, nuk kishte të drejtë t’a largonte Margaritën nga spitali. Ajo nuk kishte të drejte t’a dëbonte nga Tirana dhe as t’a internonte apo të merrte masë shtetërore.

Ndërkohë, “Fiks Fare” ka biseduar vite më parë edhe me Dr. Sulejman Budën. “Këtu është i përfshirë me Sali, me Isuf. Implikohen shumë anëtarë të një organizate. Grupi akuzues ishte gjithë grupi i mjekëve që punonin në bllok në atë kohë. Isufi, Saliu, ky Gaqo-ja që ishte drejtor. Ajo qe trime, ajo i ka rezistuar në mënyrën më dinjitoze” ka thënë dr. Sulejmani. Ndërkohë, Jovan Sokoli, ish-sekretar i parë i Komitetit të Partisë në Kavajë ka thënë për “Fiks Fare” se Margarita kishte shkuar rastësisht në Kavajë. “Në fillim donin t’i çonin në Ishëm. E pyeta çfarë mjekësh dhe më thanë njëri për zemrën dhe tjetri për sëmundjet e brendshme. Po t’i sjellim në Kavajë se nuk kemi mjek. Ky ishte momenti dhe i dërguan në Kavajë” thotë Sokoli. Kështu, Margarita Kostaqi dhe familja e saj, falë rastësisë, nuk shkuan në fshat, por u vendosën në Kavajë. Në regjimet totalitare, transferimet nga një vend në një vend tjetër, kur je i dënuar, bëhen me ushtarë, me punonjës të sigurimit të shtetit, apo me militantë të partisë. Sipas pohimit të vetë Margaritës ajo ka ardhur në Kavajë me ushtarë të armatosur.

“Margarita”: Si e kujtojnë kolegët në Kavajë dhe zhdukja e dosjes

Në qytetin e Kavajës, familja e Margaritës u vendos në një pallat dy dhoma e një kuzhine, në katin e tretë, në një pallat të ndërtuar me parafabrikat. Ajo ka punuar në një klinikë, ndërsa ka qenë kardiologe për të gjithë qytetin dhe rrethinat e saj. Servete Muhja, mjeke, kolege me Margaritën thotë se në këtë qytet Margarita nuk ka pasur fare privilegje. “Ajo çau vetë. Kur ishin urgjenca, kjo njerëzit i vizitonte dhe në shtëpi. I ndiqte në dinamikë dhe gëzon respekt nga e gjithë popullsia e Kavajës. Kur shkoi të kërkonte që unë jam e internuar në Kavajë dhe a më takon gjë nga qeveria demokratike, i thanë që nuk ju kemi internuar por transferuar. Këto ia thanë pas viteve ’90, sepse deri në vitet ’90 ajo njihej e internuar” thotë Muhja.

Ndërkohë, Hakrie Doko, laborante e Margarita Kostaqit, ka treguar vite më parë për “Fiks Fare” se “kishim shumë punë në atë kohë, shumë vizita në spital të shtruar, në urgjenca, në poliklinikë”. Kozeta Katroshi, fqinja e Margaritës, thotë se “kanë qenë tepër të kulturuar dhe tepër të gjendur. Dera e tyre nuk pushonte natën edhe ditën”. Por, si e kujtonte Pranvera Bajaziti, ish-drejtoreshe e Spitalit të Kavajës këtë familje. “Ka qenë një shembull pozitiv. Nuk u pa me syrin e atij njeriu i cili erdhi i dënuar” pohon ajo.

E megjithatë Margarita Kostaqi kishte dosje. Dosja e saj qendronte në sektorin e sigurimit pranë Degës së Punëve të Brendshme, Kavajë. Sokol Baraj, ish-operativ i Ministrisë së Punëve të Brendshme në Kavajë tregon se “është njohur dhe me një dosje në ngarkim të dy mjekëve Margarita dhe Milto Kostaqi”. Sipas tij, ishte një dosje e çuditshme, pasi e tërë dosja ishte ngritur në bazë të mbledhjeve të organizatës të partisë në të cilat ata ishin përjashtuar nga partia dhe kishin marrë si masë largimin nga Tirana për në rrethin e Kavajës. “Them që ishte një dosje e çuditshme, sepse nuk ishte ngritur në bazë të parimeve mbi të cilat ngrihej një dosje. Më saktë mund të them ishte një fashikull. Një fashikull i cili nuk kishte ecur më tutje, pasi ishin bërë të tërë verifikimet e pretendimeve të ngritura në mbledhjet e organizatës së partisë në bazë të të cilave ata ishin përjashtuar dhe nuk kishin rezultuar të vërteta dhe kishte ngelur një dosje e fjetur” përfundon ai.

Isuf Kalo, “Kolegu” i Berishës në përjashtimin e Margaritës: Një çorbë e ndyrë!

Një prej kolegëve të Margaritës, protagonist në përjashtimin e saj, njësoj si Sali Berisha, tregoi për “Fiks Fare” vite më parë se gjithçka që ka ndodhur në vitin 1982 ishte një çorbë e ndyrë. “Është një histori e mbyllur e asaj kohe, mënyra se si bëheshin në atë kohë. Margarita ishte në një klinikë kardiologjike, ku kishte shumë konflikte midis grupeve brenda ne kardiologji. Margarita ishte e shkathët, e fortë, donte sukses, ishte kapricioze. Por unë të them të drejtën, them që ishte mjeke e mirë. E gjitha kjo histori se si funksiononte ishte një ‘çorbë e prishur’, Margarita ishte pjesë e saj. Ishte edhe pjesë edhe viktimë. Ajo çfarë i ka ndodhur Margaritës nuk ka qenë dramë, as persekutim i saj, as persekutim i fëmijëve. Ajo ishte një histori e trishtuar që i ndodhi. Margarita ndoshta do që ta bëjë veten pak martire që të hyjë tek të persekutuarit, por Margarita nuk ka qenë e persekutuar, ka qenë pjesë e elitës. Siç mund të dal unë tani i persekutuar që më hoqën një herë. Është pjesë e lojës, i ke hyrë asaj loje” ka treguar Kalo.

Ndërkohë, Fatos Panariti, ka pohuar se për “gjyqin” e Margaritës njoftohej nga Isuf Kalo. “Di të të them këtë që Margarita nuk e pyeste Saliun fare. As që ia fërshëllente. Saliu nga ana profesionale e shikonte si njeri të aftë që i dominonte klientelën dhe që shyqyr që më erdhi radha që ta eliminoj këtë person” thotë Panariti./TCH

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura