‘Mbyllim dyqanet’/ Biznesi i vogël kundër TVSH, paralajmëron grevë si në 1991

Oct 18, 2017 | 19:00
SHPËRNDAJE

Kur qeveria ende nuk ka miratuar ligjin për përfshirjen e biznesit të vogël në skemën e TVSH-së, ky i fundit paralajmëron protesta dhe grevë urie si ajo e vitit 1991 në rast se skema miratohet. Kryetari i Shoqatës së Biznesit të Vogël dhe të Mesëm, Albert Nasto, tha për gazetën se miratimi i skemës së TVSH-së do të çojë në falimentimin e bizneseve dhe në humbjen e vendeve të punës.

nasto

Nasto shprehet se nëse qeveria nuk tërhiqet nga skema e TVSH-së, biznesi i vogël do të përshkallë- zojë protestat dhe do të hyjë në grevë urie. Kryetari i Shoqatës së Biznesit të Vogël shprehet se qeverisë do t’i kërkohet rritja e pragut të TVSH-së deri në 10 milionë lekë dhe miratimin e Paktit Kombëtar, që do të shërbejë si garanci kushtetuese për mosndryshim të taksave të biznesit të vogël sa herë ndryshojnë qeveritë.

PARALAJMËRIMI

Kryetari i Shoqatës së Biznesit të Vogël, Albert Nasto, paralajmëron se nëse qeveria miraton skemën e biznesit të vogël me TVSH, do të nisin protestat dhe grevat e urisë.

“Gjatë kësaj jave do të zhvillojmë takime me kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha, kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi dhe drejtoreshën e përgjithshme të Tatimeve, Vasilika Vjero, të cilëve do t’ua bëjmë të ditura arsyet pse e kundërshtojmë skemën e TVSH-së. Më pas do t’i kërkojmë Kryeministrit Rama një debat publik, ku do t’i paraqesim arsyet përse e kundërshtojmë skemën e TVSH-së. Çdo masë e jona do të jetë në varësi të reagimeve të Kryeministrit Rama.

Nëse kërkesat tona nuk merren parasysh, fillimisht do të nisim nga mbyllja e dyqaneve 1 deri në 2 orë në ditë. Më pas protesta do të përshkallëzohet me mbylljen e dyqaneve deri në 5 orë në ditë, më pas 1 ditë, 5 ditë, deri në 1 javë. Do të organizohemi me opozitën, me popullin dhe do të bëjmë çmos që Kryeministri Rama të na dëgjojë. Në rast të kundërt, ne do të hyjmë në grevë urie, që do të jetë e njëjtë me atë të vitit 1991. Pra, po shkojmë drejt hyrjes në grevën e madhe të urisë. Frika ime mbetet që situata mund të dalë jashtë kontrollit, sepse biznesi është i irrituar”, u shpreh Nasto.

KËRKESAT

Përveç moszbatimit të skemës së TVSH-së, biznesi i vogël kërkon që qeveria të ndryshojë pragun e TVSHsë, ku nga 5 milionë që është aktualisht, të shkojë 10 milionë lekë. Kryetari i Shoqatës së Biznesit, Nasto, shprehet se do të kërkohet edhe një Pakt Kombëtar, i miratuar nga Parlamenti, për mosndryshim të taksave të biznesit të vogël.

“Në takimin që do të zhvillojmë me drejtoreshën e Tatimeve, do t’i paraqesim propozimin tonë. Përveçse kërkojmë që të mos zbatohet skema e TVSH-së, kërkojmë që të rritet pragu i ndarjes së biznesit të vogël me biznesin e madh dhe ky prag të jetë 10 milionë lekë në vit. Gjithashtu, do të kërkojmë nënshkrimin e një Pakti Kombëtar që, sa herë ndryshojnë qeveritë, të mos ndryshojnë taksat për biznesin e vogël. Do të kërkojmë që ky Pakt Kombëtar të funksionojë si një kushtetutë, pra të miratohet edhe nga Parlamenti. Ky është një projekt i madh që do të propozohet prej nesh”, pohoi kryetari i Shoqatës së Biznesit të Vogël.

EFEKTET

Kryetari i Shoqatës pohon se efektet e zbatimit të skemës janë negative. Nasto paralajmëron se biznesi do të falimentojë pasi TVSH-ja e rrit koston dhe ulet xhiroja nga rritja e çmimeve.

“Ne do të bëjmë çmos si shoqatë të mbrojmë interesin e biznesit të vogël, pasi para familjeve tona ne nuk vëmë asgjë. Shoqata për Biznesin e Vogël e të Mesëm, në themelimin e saj është asistuar nga USAID-i dhe Ambasada Amerikane. Ne nuk bëjmë asnjë evazion, ne me dyqanet që kemi mbajmë familjet, kemi vetëm punësimin. Të përfshihemi në skemën e TVSH-së do të thotë të na rriten kostot, pasi deklarimi nuk mund të kryhet nga biznesi, por do t’i duhet të marrë një financiar. Po ashtu, me aplikimin e TVSH-së, edhe çmimet e mallrave ushqimorë do të rriten dhe xhiroja e biznesit do të ulet”, tha Nasto.

DORINA AZO/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura