‘Mbreti Zog, s’më ndizte pasionin, bënte dashuri me protokoll’

Jun 30, 2013 | 12:00
SHPËRNDAJE

Tanja Visirova duke pozuar me kurorën mbretërore
Historia e rrallë e kërcimtares nudiste të kabaresë “Foli- Berzher” të Parisit, që fitoi dashurinë e mbretit të shqiptarëve (të paktën për disa vite). Detajet e panjohura nga jeta e kërcimtares, që për më shumë se tri vite jetoi në Pallatin Mbretëror në krah Ahmet Zogut, mes situatave shpotitëse dhe armiqësisë së shtatë kunatave. Gjithçka përmes kujtimeve të vetë Tanja Vivirovës, mbledhur nga gazetarja franceze Maria Krepo (Maria Craipeau). E zhdukur nga kujtesa e shqiptarëve qysh në fund të viteve ’30, Visirova bëhet e gjallë në vitin 1977, kur në mënyrë krejt të beftë i kërkon përfaqësisë shqiptare në Francë pension pleqërie dhe një copë tokë, si ish-gruaja e Mbretit Zog.

Ermira Isufaj
Nje gje dihej e sigurt. Deri përpara daljes në qarkullim të librit të gazetares franceze Maria Krepo (Maria Craipeau), të gjithë njihnin historinë e martesës së vetme të Mbretit të shqiptarëve Ahmet Zogu me konteshën Geraldina Appony. Por, kur në skenë u shfaq emri i Tanja Visirovës, kërcimtares nudiste të kabareve të famshme të Parisit mondan, historia nuk është se u ngatërrua, por mori tjetër kthesë. Sepse përpara Geraldinës, në jetën e Zogut ka ekzistuar një tjetër femër, e cilësuar si gruaja e parë e tij, pas një martese morganatike (pa kurorë dhe pa të drejtë trashëgimie), e cila ka ndarë për më shumë se tri vite shtratin në Pallatin Mbretëror. Nëse e dëgjon për të parën herë historinë e jetës dhe asaj që pasoi pas njohjes me Mbretin e shqiptarëve të kërcimtares ruse Tanja Visirova, ka vend për habi… Pas mantelit që mbante veshur në trup e që më së shumti e flakte tutje gjatë performancave skenike, krejtësisht e zhveshur, erdhi kapitulli i jetës që as nuk mund ta kishte imagjinuar. Shërbëtore, kuzhinier personal, parfume të shtrenjta, peliçe të rënda, me pak fjalë luks i shfrenuar. Domosdo, çdo dëshirë e saja ishte urdhër për njeriun që i qëndronte në krah, Mbretin Zog, me të cilin ajo bashkëjetoi nga viti 1929 deri në 1933, referuar librin me titull “Tanja Visirova”, të gazetares franceze Maria Krepo (në origjinal “Tania Visirova du Caucase au Folie Bergere”. Në faqet e tij përshfaqet e gjithë historia e panjohur e kërcimtares së famshme, e cila u kthye në fenomenin “La Visirova”, e për të cilin kish gjithnjë vend në faqet e para të shtypit francez të kohës. Ne kemi shkëputur pasazhet më interesante nga përditshmëria e Tanjës përkrah Ahmet Zogut, nga ceremonia e martesës dhe diamanti shtatë karatë e gjysmë, tek xhelozitë e jashtëzakonshme të Mbretit kundrejt gruas që donte, Tanjës. Gjithashtu, në rrëfimin mbresëlënës së saj, kërcimtarja ndan me lexuesit edhe detajet intime… Duket se protokolli u kushtëzonte në çift edhe oraret e të bërit dashuri, ndërsa rusja shkon përtej të zakonshmes, sidomos kur flet për Mbretin e shqiptarëve, i cili me sa duket, sipas librit, nuk ishte i aftë t’i zgjonte ndjenjat pasionante në shtrat, e sillej edhe në të tilla çaste si Mbret. Kjo histori plotësohet edhe nga dëshmia e ish-sekretarit të parë të Ambasadës Shqiptare në Paris, Idajet Hoxha, i cili është në proces pune të një libri kushtuar figurës së kërcimtares nudiste, që në vitin 1977 kish trokitur në dyert e Ambasadës tonë në Paris për të kërkuar një pension pleqërie, si ish-gruaja e Ahmet Zogut. 

Pjesë të shkëputura nga libri “Tanja Visirova”, me autore gazetaren franceze Maria Krepo

Po kthehesha pak nga pak në “La Visirova”, një titull fisnikërie që po zëvendësonte një tjetër. Nga rridhte ky emër? Emri i familjes sime ishte shumë i ngatërruar për t’u shqiptuar; nëna dhe unë kishim kërkuar diçka që të kishte të bënte me traditat e familjes sonë, por që duhej të ishte sidoqoftë i thjeshtë. Kontratën time të parë artistike unë e firmosa “Visirova”, emër që ishte bërë krejtësisht i imi. Ishin të tjerët që i shtuan këtë nyjën “La”.

Shtypi kishte nisur të bënte zhurmë për trupin tim nudo. Askush nuk shqetësohej të fliste se me çfarë e mbuloja të ashtuquajturën lakuriqësi. Kur pozoja për kartolinat, më zgjasnin një fustan, të cilin pa e vrarë mendjen shumë e vishja dhe e riktheja pas pozimit, kjo qe e gjitha. Pozoja kështu “fshehurazi” për të linjtat. Në atë kohë, dhe gjithnjë më pas nuk doja që emri im të përdorej nëpër botimet fine. (Pozoja lakuriq për reçipetat, më pas ato i vizatonin mbi gjoksin tim të riprodhuara në fotografi). Tani vishesha më mirë se në Rumani, kisha dy-tri fustane; por as që mund të mendohej të ndiqja modën. Në fillim të vitit 1929 nisa të dubloj artistë të ndryshëm nëpër skena erotike filmash, ku duhej të luaje çaste nudo. Filmi i parë i kësaj serie ishte “Gruaja dhe Pantini”, në të cilin i huaja trupin Konçita Montenegros. Unë jam edhe cigania që kërcen tek “Monte Kristoja”. Në tërë këta filma luaja skena kalimtare, por më në fund u bëra violina e parë me një rol të vërtetë; më kërkuan për të luajtur te “Kartakala, Mbretëresha e Ciganëve”. Më sugjestionoi shumë ky rol dhe kërkova të takohem me autorin e skenarit, por ky gjendej në Shën Mari dë la Mar, ku po zgjidhte vendet e xhirimit. Sakaq, e shoqëruar nga ime më, u nisa për në Bruksel, isha e ftuar që të kërceja në një mbrëmje zyrtare. Edhe shqiptarët ishin të ftuar në atë mbrëmje.

Po bëhej rreth një muaj që nga dita kur Ministri Fuqiplotë i Shqipërisë dhe deputeti më kishin bërë kërkesë që të shkoja për të kërcyer në Shqipëri në teatrin mbretëror të këtij vendi; duhet të kërceja për Mbretin Zog (të cilit ia dëgjoja për të parën herë emrin), që së afërmi, në tetor, festonte përvjetorin e parë të hipjes në fron. Në Bruksel, të dy burrat këmbëngulën dhe një herë në kërkesën e tyre. Duhej që të përgjigjesha menjëherë, puna ishte urgjente, në Shqipëri më prisnin. Do të merresha me rolin e Kartakalës, apo do të zgjidhja vallëzimin në Shqipëri?! As vetë nuk mund ta di se përse parapëlqeva të bëja një turne në këtë vend të largët. U sqarova shqiptarëve se ishte e vështirë të nisesha në muajin gusht, tani kisha nisur një grup numrash personalë në shfaqjet e “Foli-Berzherit”, ndaj edhe më lipsej një kohë e caktuar për të gjetur një zëvendësuese. Pak kohë më pas mundëm të niseshim për në Romë, ashtu të katërt: ime më, unë, ministri dhe deputeti. Roma ishte lënë si vendi ku do të firmosej kontrata.

Përpara se të niseshim, miqtë tanë në Francë u përpoqën të na ndalonin: “E ç’do të bëni në këtë vend të egër, ku as hekurudhë nuk ka?”. Kontrata u nënshkrua në Konsullatën e Shqipërisë dhe me kërkesën time, firmosa një angazhim tremujor. Të ardhurat nga kontrata i depozituam në një bankë të Parisit. Gjëja që më la vërtet përshtypje të çuditshme lidhej me faktin se shqiptarët nisën të më blinin veshje…

Specialen e plote e lexoni ne suplementin “Une Gruaja”, falas bashke me gazeten Panorama 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura