“Gratë të denoncojnë çdo formë dhune!”- Nëna me tre fëmijë dyshohet se është hedhur në lumin Bunë, Balla: RENEA, Forcat Kombëtare dhe peshkatarët vijojnë kërkimet

May 6, 2024 | 16:05
SHPËRNDAJE

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ka reaguar sërish për ngjarjen e rëndë në Shkodër, ku një nënë dyshohet se është hedhur në lumin Bunë bashkë me 3 fëmijët e saj, ndërsa deri tani është gjendur vetëm trupi i vajzës 9-vjeçare.

Buna-kerkime1-559x450

Ministri u ka bërë thirrje grave të denoncojnë çdo formë dhune, duke u shprehur se shpesh herë dhuna manifestohet në shtëpi, mbrapa dyerve të mbyllura, por kjo është një temë që duhet bërë publike.

Ndër të tjera, Balla ka bërë me dije se njësia e specializuar e RENEA, Forca Kombëtare e Sigurisë Publike, njësi të Policisë së Malit të Zi dhe peshkatarët e zonës janë duke vijuar kërkimin e përgjatë gjithë rrjedhës së lumit Buna.

Postimi i ministrit të Brendshëm Taulant Balla:

Njësia e specializuar e RENEA, Forca Kombëtare e Sigurisë Publike, njësi të Policisë së Malit të Zi dhe peshkatarët e zonës janë duke vijuar kërkimin e përgjatë gjithë rrjedhës së lumit Buna, ku dyshohet të jetë vetëmbytur një nënë dhe fëmijët e saj.

Siç kemi bërë edhe dje me dije, Policia e Shtetit ka ndaluar bashkëshortin dhe ka dyshime të forta se dhuna në familje, presioni psikologjik kanë shtyrë viktimën drejt këtij akti tragjik.

Gjej rastin t’i bëj thirrje çdo gruaje të denoncojë çdo lloj forme dhune. Dhuna shpesh manifestohet në shtëpi, mbrapa dyerve të mbyllura, por kjo është një temë që duhet bërë publike. Dhuna ndaj grave nuk është një çështje private.

Ajo na intereson të gjithëve. Dhe ne, e gjithë shoqëria, duhet t’i nxisim viktimat e dhunës ta denoncojnë. Nuk mund të ketë #AsnjëJustifikim ndaj dhunës – as në shtëpi, as në vendin e punës, as në jetën publike, as online. Askund!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura