Matematika, përgjigjet zyrtare për 9-vjeçaret

Jun 24, 2012 | 12:07
SHPËRNDAJE

Ministria e Arsimit: Si duhet të ishin përgjigjur 51 mijë nxënësit që dhanë provimin e Matematikës.

Gazeta boton çelësin zyrtar të testit për Provimin e Lirimit.

Edhe pse me vonesë, dje janë publikuar zyrtarisht përgjigjet e sakta të Provimit të Lirimit në lëndën e Matematikës. Gazeta boton sot përgjigjet e sakta që duhet të kishin dhënë nxënësit e klasave të nënta në mënyrë që të marrin dëftesën e lirimit. Pa këtë dëftesë, nxënësit e kanë të pamundur regjistrimin në gjimnaz. Ndërkohë që për shumë prej tyre rezultati mund të shërbejë si një mesatare e mirë për të konkurruar për bursa në shkollat private. Provimi i Matematikës u krye të premten në të gjitha shkollat e vendit dhe u dha nga të paktën 51400 nxënës. Testi ishte i ndarë në dy pjesë. Deri në pyetjen e 13-të përgjigjet ishin me zgjedhje, pra me shënimin e një alternative. Nga pyetje 14 deri në pyetjen e 25-të, përgjigjet duhet të ishin me zhvillim.
Vlerësimi i çdo përgjigjeje të dhënë nga nxënësi për kërkesën përkatëse do të mbështetet në skemën e vlerësimit të përgatitur nga Agjencia Kombëtare e Provimeve (AKP) prej hartuesve të testeve. Skema e vlerësimit është një standard vlerësues i njëjtë për çdo nxënës. Bashkë me testet për çdo provim, AKP-ja i dërgon Komisionit të Provimeve të Lirimit pranë drejtorive arsimore ose zyrave arsimore skemën e vlerësimit të testit dhe skemën e konvertimit të pikëve në nota. Provimet do të kalojnë në duart e dy vlerësuesve. Këta të fundit do të vendosin pikët, të diferencuar nga njëri-tjetri. Në rast se pikët e vendosura prej tyre ndryshojnë, atëherë caktohet një vlerësues i tretë, i cili jep edhe pikët (rrjedhimisht edhe notën) përfundimtare. Testi i Matematikës është i fundit për nxënësit e 9-vjeçareve që të marrin dëftesën e lirimit. Nxënësit kishin 2 orë e 30 minuta kohë për të plotësuar dhe zgjidhur 25 pyetjet. Sipas të dhënave, testi ishte i nivelit mesatar dhe mendohet të ketë kënaqur të gjithë nivelet e nxënësve.

Skema e vleresimit

ZIRINA LLAMBRO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura