Manuali për maturantët/ Pranimet në universitete, si përcaktohen fituesit

Jun 2, 2016 | 7:30
SHPËRNDAJE

Zbardhet mënyra e re e aplikimit dhe regjistrimit të maturantëve në universitete, në të parin vit të zbatimit të ligjit të ri të arsimit të lartë.

Studentët
Studentët

Në “Manualin e maturan- Aplikimi në “Matura online”, 10 degë në publik e privat tit 2016” që disponon gazeta, përcaktohet rrugëtimi që do të ndjekin këtë vit maturantët nga regjistrimi e deri në shpalljen e fituesve.

Aplikimi do të kryhet në rrugë elektronike nëpërmjet portalit “Matura shtetërore online”, i cili do të jetë i hapur në fund të muajit korrik dhe do të plotësohet sipas një kalendari datash të caktuara në rrethe.

Ndërsa muaji gusht do të jetë vendimtari, pasi universitetet, në bazë të kritereve që kanë përcaktuar tashmë, do të përzgjedhin më të mirët. Shtatori do të jetë muaji i regjistrimeve, në të cilin aplikantët, ndonëse shpallen fitues në disa degë, kanë të drejtë të regjistrohen në vetëm një program studimi.

FORMULARI I APLIKIMIT

Ndryshe nga viti i kaluar, formulari A2 do të ketë emrin “Formulari i Aplikimit në IAL”, në të cilin mund të aplikojnë maturantët që kanë plotësuar formularin e parë, atë A1/A1Z, si dhe rezultojnë kalues të vitit të fundit gjimnaz dhe në provimet me detyrim e me zgjedhje që do të jepen gjatë muajit qershor.

Aplikimi do të kryhet në fund të muajit korrik, pasi Agjencia Kombëtare e Provimeve të ketë hapur portalin “Matura shtetërore online”. Por, përpara se të bëhet një gjë e tillë, ata duhet të kenë kryer pagesën e faturës së aplikimit që gjendet në faqen e AKP, por vlera e saj ende nuk bëhet e ditur.

Dorëzimi i mandatpagesës në shkollën përkatëse të maturantit mundëson hedhjen në sistem të mesatares dhe të dhënave të tyre, proces i cili duhet të jetë mbyllur deri në fund të muajit korrik, kur përcaktohen datat e plotësimit online të Formularit të aplikimit.

“Në çdo mjedis ku ka akses interneti, si shkollë, zyrë, internet-kafe, smart phone etj., maturantit/kandidatit i jepet mundësia që të zgjedhë jo më shumë se 10 programe studimi nga lista e këtyre programeve që ofrohen nga IALtë shtetërore dhe private për vitin akademik 2016-2017”, përcaktohet në manualin e maturantit. Sistemi automatik skualifikon që në krye të herës aplikantët që nuk kanë mesataren 6 apo një mesatare të dytë për degë specifike.

“Nëse maturanti aplikues e ka mesataren e futur në sistem nga sekretaritë mësimore të shkollave të mesme <6.0, atëherë ai mund të përzgjedhë vetëm programet e studimit dyvjeçare (profesionale) që ofrohen nga disa universitete shtetërore dhe private. Nëse mesatarja e aplikuesit është >= 6.0, ai mund të përzgjedhë të gjitha programet e studimit të ofruara, përveç atyre rasteve kur IAL-ja ka përcaktuar mesatare më të lartë pranimi si kriter hyrës për atë program studimi”, përcaktohet në manualin e maturantit.

Pas aplikimit në portal, AKP u përcjell universiteteve numrin dhe gjithë të dhënat e aplikuesve për secilën degë. Ajo çfarë bëjnë universitetet në këtë moment është publikimi i listës së aplikantëve. Një vijë e kuqe përcakton fituesit e fazës së parë.

KUOTAT E VEÇANTA

Një tjetër risi e procesit të aplikimit në universitete këtë vit është se edhe kandidatët, për kuotat e veçanta, ku përfshihen kandidatët nga trojet, ata me statusin e të verbrit, jetimët, romët, ballkano-egjiptianët, studentët e huaj, do të duhet të aplikojnë njëlloj siç bëjnë maturantët e tjerë, veçse në një afat më të shtrirë kohor. aplikimi për kuotat të veçanta e të tjerë.

Ndryshe nga maturantët e tjerë, kategoritë e mësipërme edhe regjistrimin, edhe plotësimin e formularit të aplikimit e kryejnë të fundit. “Aplikimi i formularit A1Z kryhet në fund të muajit gusht. Plotësimi i formularit të aplikimit për kuota të veçanta në IAL kryhet në mesin e muajit shtator.

Për të qenë të sigurt që aplikimin e këtij formulari e bëjnë kandidatët që janë pjesëtarë të këtyre grupimeve, aplikimet bëhen në mjedise të autorizuar nga MAS, në prezencë të mbikëqyrësve të autorizuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit”, përcaktohet në manual. Rankimi i tyre do të bëhet sipas kriterit të mesatares. Fituesit e kuotave të veçanta i nënshtrohen procesit të regjistrimit njëlloj si maturantët e tjerë, me ndryshimin e vetëm që do të kenë vetëm një regjistrim përfundimtar në sekretaritë e fakulteteve.

BESARTA BASHA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura