Manu Chao, në ndihmë të fëmijëve

Apr 8, 2011 | 12:17
SHPËRNDAJE

Nuk ka ardhur vetëm për të promovuar këngët e tij, por edhe për t’u bërë pjesë e lëvizjes për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Këngëtari franko-spanjoll, Manu Chao, do të japë një koncert në datën 12 prill në stadiumin “Qemal Stafa”, në Tiranë. Para dhe gjatë koncertit organizatorët do të shesin produktet që kanë emrin apo fytyrën e këngëtarit Manu Chao, si bluza, kapele, varëse, byzylykë etj., dhe të ardhurat nga shitja do të shkojnë për të mbështetur mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve nga “ALO 116 – Linja Kombëtare e Telefonit për Fëmijët në Shqipëri”. Gjithashtu, në krah të skenës së Manu Chao, do të jetë e ngritur edhe një stendë, ku ofrohet më shumë informacion për “ALO 116” në Shqipëri. Ka qenë vetë këngëtari i cili ka kërkuar që koncerti i tij të marrë një aspekt më social. Dhe në fakt, kjo frymë ka shoqëruar turin e tij edhe në vende të tjera. Manu Chao vjen në Tiranë si pjesë e turit ballkanik, që përfshin koncerte në qytete të tjera, si Lubljana, Zagrebi, Sarajeva, Novi Sad, Prishtina, Sofja, Bukureshti dhe Stambolli. Mësohet se pjesë e programit të koncertit të tij janë disa nga hitet më të njohura botërore si, “Me gustas tu”, “Mi vida”, “Klandestino”, “Bongo bong, je ne t’aime plus” etj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura