Lufta e Tretë Botërore?

Nov 18, 2015 | 11:53
SHPËRNDAJE

myslym-pashajMYSLIM PASHA

1. Lufta, kjo përballje e armatosur në shoqërinë njerë- zore, paraqet ndeshje konfliktuale, kërcënim kolektiv, vdekje masive, shkatërrim, përkeqësim të infrastrukturës, rënie të ekonomisë. Ka kohë që flitet se jemi në luftë. Këto pyetje bëhen që nga konferencat botërore deri te bisedat në familje. Por s’thuhet askund se kjo është një Luftë Botërore. Ajo e shpërfaqi spektaklin e saj fantazmagorik më 11 shtator 2001. U hodh tej terminologjia e luftës, e luftës botërore, luftës konvencionale e armëve konvencionale, dhe armatimit e teknologjisë.

Janë përfshirë shtete të mëdha, superfuqi, pjesë kontinentesh, dhe një ankth e frikë, “transhetë” e sotme të saj, kudondodhur, në rrugë, në stadium, në avion, në ekspozitë të artit… në redaksi të mediumeve, “transhetë” nuk duken, ato janë të fshehura, shpërthyese e vrastare, ato lëvrijnë në shpirtin njerëzor në secilin ind të saj… kjo është lufta botërore e sotme. Erdhën e u trazuan termat: “Luftë”, “Taktikë”, “Strategji”, Armatim”, të gjitha mbeteshin të çala, të mekura, të tejshkuara, që s’mund t’i përqasnin me standardet shpjegimore të përvojës së shkuar të luftërave që bart njerëzimi, e kësilloj, me këmbëngulje nuk pranohet Lufta e Tretë Botërore, si luftë ndryshe.

U kujtuan dhe sërish ende kujtohen, se u bënë edhe paralajmërime profetike për atë që ndodhi më 11 shtator 2001. Megjithatë, për arsye të pashpjegueshme i përmbahet përcaktimit aq të cekët që George Bush bëri: Global War on Terrorism = Luftë Globale kundër Terrorizmit. Pas “Charlie Hebdo”, pas sulmeve në Muzeun “Bardo” në Tunizi, pas goditjes së dytë në Francë, në vijim froni i ISIS, ky “Iris” i syrit të Djallit njerëzor, duket se bota ngjan e dorëzuar dhe e dështuar në përpjekjen e saj të gjithësishme. Bashkësolidariteti me lidhje duarsh, shpatullash, tingëllimi i fjalimeve, programeve, bashkësitë e truprojave, tubimeve shumëngjyrore, nga shtetarë të lartë dhe klerikë, shpërfaqin groteskun, si për të ardhur keq, duke bërë lutje dhe ankime, çka na rrëfejnë, se jemi stepur e s’kemi forcë për të ndaluar “sëmundjen tonë konvulsive”, Luftën.

2. Ashtu sikundër vrima e zezë thuhet se e ka të kundërtën e saj, edhe vetë materia ka kundërmaterien; Njerëzorja, ka të kundërtën e saj Antinjerëzoren. Një vrimë e bardhë ka një vrimë të zezë… Përqasjet janë të shumta, dilemat po ashtu… Shfaqje e barbarisë, atavizmit dhe arketipit primitiv, sjell shëmbëllimin tragjik dhe antinjerë- zor. ISIS i sotëm është dalje eruptive e shëmbëllesës kundërnjeri, ëndrra arketipale nga ai kaos ku është nisur e ngjizur, i zi në flamur në stemë, në mbulim të tipareve, prej formacionesh të thyera, shfrim i egër, dehës, vrastar, shtypës, pasionant, hakmarrje nga humbëtira dhe shpirtra të ndrydhur, kulmi dehës që vetëshpërthen kamikaz, me atë gëzim lumturor, kthim në vdekje dhe përthithje prapë në vrimat e zeza.

Cila është kjo tërheqje për xhihadët radikalë? Është graviteti i vrimës së zezë, kudo që të jeni, nga cepi i globit në cepin tjetër. Ata janë rremba, në dukje të butë, të urtë, të fshehur që merren vesh pa asnjë doktrinë të shpallur, pa asnjë listë, kod, apo numër personal. Një urrejtje planetare shtegton duke sjellë historinë e së keqes njerëzore dhe luftës së saj, histori e jetës dhe mbijetesës, e armëve që nga gurët, zjarri, drurët, mbytja, futje në dhe të gjallë, nën thikë, nën shpatë, nën zgjedhë, në helm, në përdhunë dhe gjindja rrotull vështron spektaklin e tmerrit, si në teatrin antik.

Në botën tonë poshtë rekuizitës së zezë te ISIS i sotëm, ndëshkohen njerëz duke i vrarë me gurë, duke i kryqëzuar, e duke i hedhur nga katet e larta të pallateve, duke i varrosur të gjallë. Këto janë përmasa të papara të Luftës, formacionet kontinentale, ardhur nga thellësitë… makabër ku akti fundor është vetëshpërthim dehës… vetëvrasje në ekstazë, drejt koordinatës “zero”, ja shëmbëllesa e shfaqjes së pavetëdijes, e pranishme në shpirtrat njerëzore.

3. Lufta e Tretë Botërore u nismua më 11 shtator 2001. Ishte një spektakël i jashtëzakonshëm, si një përfytyrim dhe një fiksion gati, fantazmagorik. Sulmi ndaj SHBA-ve ishte ngjarja e topitjes së madhe. Shoqëria njerë- zore (fragmente të saj) ia përgatitën vetvetes këtë teatër luftarak makabër. U përzgjodh vetë njeriu- municion, u përzgjodhën objektivët kulturorë dhe ndërtimorë më të mrekulluara të kohëve zhvillimore moderne, shkëlqimi i Kullave Binjake, në shënjestër kulmore e vendkomandës së lartë Pentagon apo dhe objektivi i paarrirë i Shtëpisë së Bardhë.

Politikanë, strategë, teknicienë, filozofë e sociologë u shtangën, të fshehur në teoritë e tyre, pa mbarim, sikur të mos ndodheshin pranë njeriut, pranë vetvetes, në planetin e tyre, Tokë. Sfida ishte kulmore. Lufta u hap, fronti u përgjak dhe u zjarrmua, efekti ishte topitës, projekti ishte i mirëmenduar, dhe objektivi i parë, i realizuar. Më shumë se 3000 të vdekur, në një kohë të shkurtër, e bota u gjet e papërgatitur për atë që pjesa tjetër e saj kish përgatitur. Përndarë, në botën e gjallë planetare, në formacione gati mitike, si gejzerë dhe erupsione të zeza, dalë nga thellësia, poshtë magmës së Tokës dhe poshtë magmës civilizuese të njeriut.

Afganistan, Siri, Nigeri, Jemen, Libi, Somali, nga brigje të Nilit, rrotull Jerusalemit ku është Temple Mount pranë të cilit sot e kësaj dite, kacavirren judaizmi, krishterimi, feja romane dhe ajo islame, vijojnë beteja pa mbarim, që nga përfytyrimi i Moisiut e këndej. Në shkolla, në ambasada, prej Pakistanit deri në Australi, Indonezi, Kanada dhe Skoci, në Çeçeni, kthim në Madrid, New York, përflaken kafe, restorante, trena, metro, klube të natës dhe të ditës.

Në krahë të Mesopotamisë së lashtë, që ish djep qytetërimi duket ISIS, që kërkon Kalifatin… dhe në Afrikë: “Boko Haram” kapërcim në Somali “Al–Shabab”. Gjithçka me ideim, projektim, financim dhe zbatim. Ide me përnjohje, në shoqëri dhe natyrë, hedhur në harta, zbarkuar në kryerje aktesh, beteja ndryshe nga ato klasike ushtarake. Vdekja, frika kudo, te bashkësi krejt të pafajshme, pjesë të shoqërisë sonë njerëzore, tronditur nga ky instinkt i agresivitetit, instinkti i vdekjes. Ky nuk është vetëm një terrorizëm islamik, por edhe një shpërthim trysnie fatale që gjen mundësi, kur zinxhiri është gati në këputje… dhe përdor me zgjuarsi dhe djallizëm, islamin si kryefjalë, hap cipën e ndjeshme të njerëzimit, duke kërkuar për të sunduar dëshirat e rrezikshme të individit për agresion duke e zgjuar dhe çarmatosur atë…

4. Filozofia e luftës është komplekse. Herakliti thoshte: “Lufta është ati i të gjithë gjërave…”. Këtu ka rrënjën edhe thënia: “Lufta është e paevitueshme dhe i ka rrënjët në natyrën njerë- zore…”. Psikologjia dhe emocionet njerëzore bartin të shkuarën kriminale të njerëzimit: urrejtjen, kanibalizmin, masakrën dhe egërsinë irracionale. Historia e dhunës njerëzore ka lindur së bashku me Njeriun dhe prirja për luftë (që mund të mos jetë në rrënjën tonë biologjike), por shoqërore… e megjithatë Lufta është, te njeriu. Ai, e ka me vete atë dhe do ta ketë.

Denis Diderot thoshte se lufta është “një sëmundje konvulsive dhe e dhunshme…”. Shfaqjet radikale janë pjesë të traumës njerëzore. E sotmja nuk është thjesht “terror” po luftë ndryshe, në formacione, skalione jo standarde të cilat nuk përnjihen kaq lehtë, nuk kontrollohen, sepse ato hedhin poshtë secilën teori të “artit të luftës”, që nuk merr parasysh raport forcash. Kjo është një luftë e re. Në Botë, ka një çorientim me përmasa të mëdha. Grupe shoqërore po radikalizohen, urrejtja po rritet. Luftën e kemi përditë në gjeohapësirën planetare dhe ne thjesht vijojmë ta quajmë “terror”. Po a është e drejtë të quhet vetëm terrorizëm, si akte vetëm violente për të krijuar frikë se ato vijnë nga rrjedha fetare, me objektivë po kështu fetarë, politikë, ideologjikë?

5. Studiues të sotëm vënë në dukje se përbërësit sinergjitikë që lidhen me këtë sistem, do të mbeten sërish relativë, por duhet bërë ç’është e mundur për tolerancë dhe bashkëpunim, midis bashkësive njerëzore, në një vlerësim dhe gjykim të përbotshëm, në njohje dhe mbrojtje të vlerave që janë arritur. Sa të pafuqishëm duken shtetet dhe liderët e tyre, sa të cekët dhe të dorëzuar janë strategët ushtarakë! Apo në veten e tyre pavetëdija e racës njerëzore komandon marrjen e vendimeve që në mënyrë misterioze tërhiqen ndaj vrimave të zeza?!

Po njeriu ku është? “vetvetja” e papërkufizuar e tij? Një pjesë e racës njerëzore kërkon të shkatërrojë dhe shuajë pjesën tjetër. Kush është armiku? S’ka tjetër veç “vetvetes së qenies njerë- zore” në këtë ndeshje kozmike të forcave të kundërta të së mirës dhe së ligës që rrojnë brenda qenies sonë. Frojdi vjen të marrë pjesë në analizë “por instinkti natyror, agresiv i njeriut, armiqësia e secilit kundër të gjithëve dhe e të gjithëve kundër secilit i kundërvihet programit të qytetërimit. Ky instinkt agresiv është i prejardhur dhe përfaqë- suesi kryesor i instinktit të vdekjes …”.

Dje në një kthinë të G20-s, Obama dhe Putin ulën kokat të dëgjojnë njëri-tjetrin, Botët po mejtojnë se ç’duhet të bëjnë. Deri tash kanë dështuar, interesa politike janë ndërthurur, transhe të reja janë hapur në hallkën e dobët… Ata përsërisin të njëjtat gjëra dhe në “Kalifatin e zi”, në vend që të godasin objektivin, godasin njëri-tjetrin, ende luftojnë përkrah një “Asadi” që e shndërroi vendin e tij në përflakje Ferri. Duhet një çrrënjosje të asaj që ka pllakosur …dhe sërish nuk quhet luftë botërore. Hollande shpalli gjendjen e jashtëzakonshme.

Franca, pjesë e NATO-s, është në luftë, përditë hapen varre, pa një sistem koordinativ të caktuar, pa identitet të qartë në një gjeografi të frikshme. Liria ndodhet si nën gijotinë. Liria në rrezik… Cilën pjesë tragjike jeni duke vënë në skenë? A ka bota sot fuqi për ta sfiduar? Lufta e Tretë Botërore e kërkon një plan madhor, sikundër u bë edhe ndaj nazizmit. Pusi i Zi, kjo fontanë me gejzerë të zjarrit e të helmit, duhet të shkallmohet me furinë e përmbysjes.

*) Profesor në Universitetin Politeknik të Tiranës dhe Kolonel në lirim i FA.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura