“Luarasi”, Ruka: Formojmë profesionistë që në auditore

Feb 28, 2019 | 8:59
SHPËRNDAJE

Përpara se maturantët të plotësojnë formularin e parë që i çon në auditorët e universiteteve, kolegji universitar “Luarasi” ka ndërmarrë misionin e orientimit të tyre.

Stafi akademik i “Luarasi” me maturantët e “Petro Nini Luarasi”
Stafi akademik i “Luarasi” me maturantët e “Petro Nini Luarasi”

Për këtë arsye, prej ditësh ka nisur një tur takimesh me maturantët e kryeqytetit. Stafi akademik i udhëhequr nga rektori prof.dr. Et’hem Ruka u ndal te “Petro Nini Luarasi”, duke iluminuar të rinjtë mbi atë se çfarë bëhet në këtë universitet dhe përse “Luarasi” do të ishte zgjedhja e duhur për ta.

Midis avantazheve të të studiuarit në një ndër mjediset elitë universitare, pika e fortë, pa dyshim, përmendet akreditimi, certifikata që siguron besueshmërinë në tregun e punës për të diplomuarit në këtë universitet. “Do t’ju ftoja të shikoni një certifikatë, e cila tregon dhe flet më qartë dhe më mirë se çdo gjë tjetër se cili është universiteti ‘Luarasi’.

Studentët tanë nuk bëjnë vetëm leksione, çdo javë kemi aktivitete. Të rinjtë tanë janë vazhdimisht në vizita nëpër burgje, në Gjykatën e Lartë, në Gjykatën Kushtetuese, Parlament, Këshillin Bashkiak, me qëllim që të formohen si profesionistë që në bankat e shkollës”. I pozicionuar në një nga zonat më të preferuara universitare të kryeqytetit, me pedagogë dhe infrastrukturë të shkëlqyer dhe kushtet më të mira për mbarëvajtjen e mësimit dhe argëtimin e studentëve, universiteti “Luarasi” është një ndër fakultetet që maturantët e kanë në opsionet e tyre për të ndjekur studimet e larta.

Rektori prof.dr. Ruka, dje me të rinjtë e “Petro Nini Luarasi”
Rektori prof.dr. Ruka, dje me të rinjtë e “Petro Nini Luarasi”

Universiteti “Luarasi” ka tri fakultete: atë të Drejtësisë, Ekonomisë dhe Teknologjive të Informacionit dhe inovacionit, të cilat ngjallin shumë interes te maturantët. Por jo vetëm. Bursat dhe mundësitë për të studiuar jashtë përbëjnë një tjetër përparësi. “U informova se ‘Luarasi’ ofron bursa lidershipi, nga të cilat unë personalisht, në qoftë se do vendos të studioj te ‘Luarasi’, do të aplikoj”, shprehet një maturante e gjimnazit “Petro Nini Luarasit”. Kanë mbetur vetëm tre muaj nga mbyllja e vitit shkollor të maturantëve, të cilët do t’iu nënshtrohen fillimisht provimeve e më pas aplikimit për në universitete.

Në ndihmë të tyre është vënë stafi akademik i universitetit “Luarasi”, i cili ka nisur një fushatë këshillimi karriere në disa shkolla të mesme. Përpos saj, prej pak ditësh, në ambientet e Qendrës Rinore në kryeqytet, për të katërtën ditë, “Luarasi” është pjesë e aktivitetit të organizuar nga Drejtoria Arsimore Rajonale “Ditët e Informimit të Maturantëve”, që do të përmbyllet në datën 2 mars. Që në ditët e para, stenda e universitetit “Luarasi” ka tërhequr interesin e qindra të rinjve, që kërkojnë të dinë më tepër dhe të shuajnë pikëpyetjet e tyre mbi ofertën akademike të këtij universiteti.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura