LISTA/ KQZ gjobit 106 parti, pasi s’kanë dorëzuar bilancet! Sot miratohet edhe vlera 85 lekë e një vote në zgjedhjet e 25 prillit

Jul 22, 2021 | 11:14
SHPËRNDAJE

MARIGLEN KUME/ Mbi 100 parti të vogla do të gjobiten deri në 2 milionë lekë të rinj, pasi nuk kanë dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve Raportin Vjetor të Financave për vitin 2020.

kqz

Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi miraton sot vendimin që do të detyrojë partitë e vogla të paguajnë deri në 2 milionë lekë gjobë. “Marrja e masës administrative, gjobë në masën 1 000 000 deri në 2 000 000 lekë për 106 (njëqind e gjashtë) partitë politike që nuk kanë dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve raport vjetor financiar, duke refuzuar për të bërë transparente burimet e financimit apo për të lejuar ushtrimin e kontrollit nga ana e ekspertëve kontabël të licencuar, pasi nuk kanë dorëzuar raportet vjetore financiare për vitin kalendarik 2020”, thuhet në projektvendimin e KQZ-së.

Në listën e gjatë të partive që janë gjobitur nga KQZ-ja bën pjesë edhe Partia e Punës Shqiptare. Po ashtu, bashkë me Partinë Komuniste është gjobitur edhe Partia Balli Kombëtar me kryetar Adriatik Alimadhin. Kujtojmë që Alimadhi u fut në Parlament si deputet që nga 2019-a, kur Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim dogjën mandatet. Por, megjithëse në Parlament, Alimadhi duket se nuk i ka zotëruar të gjitha rregullat administrative për partinë që drejton. Në listën e partive të gjobitura qëndron edhe Partia e Pensionistëve e deputetit që spikati për prezencën veçantë në Parlament, Selami Jenisheri.

FONDET

E ndërsa 106 parti duhet që të paguajnë gjobën deri në 2 milionë lekë, në një tjetër projektakt Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, miraton edhe vlerën e një vote në zgjedhjet e 25 prillit. Në bazë të nenit 180 pika 4 të Kodit Zgjedhor të ndryshuar, në zgjedhjet e para pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, fondi nga Buxheti i Shtetit për financimin e partive pjesëmarrëse në zgjedhje përcaktohet se do të jetë 2 herë më i madh, se fondi i alokuar për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017.

Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi miraton sot shumën që do të përfitojë çdo parti politike që mori pjesë në këto zgjedhje, ndërsa formula do jetë si më poshtë. “Fondi i vënë në dispozicion në vitin zgjedhor 2017 ishte 65,000,000 lekë, pra rrjedhimisht u caktua që për vitin zgjedhor 2021 fondi i përgjithshëm i miratuar të ishte 130,000,000 lekë.

Pjesëtimi i fondit të përgjithshëm të miratuar me numrin në total të votave të vlefshme të grumbulluara nga partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhje, që kanë marrë jo më pak se 1 për qind të votave të vlefshme në shkallë vendi, sjell si rezultat vlerën në para të një vote të vlefshme. 130,000,000 (njëqind e tridhjetë milionë) lekë / 1,533,334 (një milion e pesëqind e tridhjetë e tre e treqind e tridhjetë e katër) vota = 84,78 ( H” 85) lekë”, thuhet në projektvendimin e kryekomisionerit.

SA PËRFITOJNË

Partia Socialiste, si partia që siguroi më shumë vota në zgjedhjet e 25 prillit, do të jetë edhe subjekti që do të marrë edhe pjesën më të madhe të fondit që do të shpërndajë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Rreth tre muaj më parë, në zgjedhjet parlamentare Partia Socialiste që mori për herë të tretë mandatin për të qeverisur vendin, çoi në kutitë e saj 768134 vota.

Për të nxjerrë shumën që do të përfitojë PS-ja, numri i votave shumëzohet me 85 lekë, sa është përllogaritur një votë. Sipas përllogaritjes me këtë formulë, maxhoranca do të çojë në arkën e partisë rreth 65 milionë lekë të reja ose e thënë ndryshe 650 milionë lekë të vjetër. Ndërkohë, partia e dytë që do të përfitojë më shumë lekë nga fondi që do shpërndajë KQZ-ja është Partia Demokratike Aleanca për Ndryshim. PD-ja mori 622187 vota në zgjedhjet e 25 prillit.

Të shumëzuara më 85 lekë për çdo votë të vlefshme, PD-ja çon në arkat e partisë së saj 52 milionë lekë të reja ose 520 milionë lekë. Partia Lëvizja Socialiste për Integrim mori 107.538 vota, të cilat përkthehen në 9 milionë lekë ose thënë ndryshe 90 milionë lekë të vjetër. Në borderonë e KQZ-së për të marrë pjesën e saj nga zgjedhjet është edhe Partia Socialdemokrate e Tom Doshit, e cila mori 3 mandate deputetësh në zgjedhjet e fundit. PSD-ja mori gjithsej 35475 vota që përkthehen në të ardhura në 3 milionë lekë të reja afërsisht, ose e thënë ndryshe 30 milionë lekë të vjetër.

Partitë e gjobitura

1. Partia Punës Shqipërisë;
2. Partia për Europianizim dhe Integrim të Shqipërisë;
3. Partia Liri, Demokraci dhe Etikë;
4. Partia Balli Kombëtar;
5. Partia Aleanca për Demokraci dhe
Solidaritet;
6. Partia Ora e Shqipërisë;
7. Partia Bashkimi Demokrat Shqiptar;
8. Partia Përparimi Kombëtar i Shqipërisë;
9. Partia e Blertë Shqiptare;
10. Partia Uniteti Kombëtar;
11. Partia e Prosperitetit Demokratik
të Shqipërisë;
12. Partia Universale Shqiptare;
13. Partia Agrare Ambjentaliste e Shqipërisë;
14. Partia Liberale Shqiptare;
15. Partia Ekologjike;
16. Partia Socialpunëtore e Shqipërisë;
17. Partia Socialreformiste e Shqipërisë;
18. Partia Besëlidhja Kombëtare
Demokratike Shqiptare;
19. Lëvizja Demokratike për Vlera,
Mirëqenie, Progres;
20. Partia Alternative Republikane;
21. Partia Konservatore;
22. Partia Bashkimi Demokristian Shqiptar;
23. Partia Bashkësia Kombëtare Shqiptare;
24. Partia Triumfi i Legalitetit;
25. Partia Rimëkëmbja Kombëtare;
26. Partia Centriste Mirëqenies Popullore Shqiptare;
27. Partia Pajtimit Kombëtar;
28. Partia Demokracia e Re Europiane;
29. Partia Lidhja Kombëtare Shqiptare;
30. Partia Qytetare Shqiptare;
31. Partia Alternativa Liberale e Shqipërisë;
32. Partia Komuniste e Shqipërisë;
33. Balli Kombëtar Demokrat;
34. Partia Kombëtare Konservatore Albania;
35. Partia e të Majtës Demokratike Shqiptare;
36. Partia Ambientaliste;
37. Partia Aleanca Nacionale Shqiptare;
38. Partia Reformave Demokratike Shqiptare;
39. Partia Lëvizja Monarkiste Demokrate
Shqiptare;
40. Partia Rruga e Vërtetë Shqiptare;
41. Partia Demokrate e Re;
42. Partia Mendimi i Djathtë Liberal;
43. Lëvizja për Zhvillim Kombëtar;
44. Partia Demokracia Paqësore e Shqipërisë;
45. Partia për Mbrojtjen e të Drejtave
të Emigrantëve;
46. Partia Aleanca Socialiste Shqiptare;
47. Partia Sigurisë Kombëtare Shqiptare;
48. Partia Shpresa Demokrate;
49. Partia Ardhmëria Shqiptare;
50. Partia për Mbrojtjen e të Drejtave
të Punëtorëve të Shqipërisë;
51. Partia Emigracioni Shqiptar;
52. Partia Komuniste e Shqipërisë 8 Nëntori;
53. Partia Demokratike Peza
Gjirokastër e Shqipërisë;
54. Partia Integrimit Social Kombëtar
Shqiptar;
55. Partia Lidhja e Blertë Shqiptare;
56. Partia Aleanca e Maqedonasve
për Integrim Europian;
57. Partia Lëvizja për të Drejtat e Njeriut;
58. Partia Shqiptare Atdheu;
59. Partia Demokracia e Re e Djathtë Shqiptare;
60. Partia e të Drejtave të Mohuara;
61. Partia e Çështjeve Shqiptare;
62. Partia Fronti i Majtë;
63. Partia Shqipëria e Re;
64. Partia Lëvizja Elitare Kombëtare;
65. Partia Shqiptare e Rindërtimit;
66. Partia Lidhja Demokristiane Shqiptare;
67. Partia e të Drejtave të Mohuara
– e Re;
68. Lista për Shqipëri Natyrale;
69. Partia Aleanca Kombëtare;
70. Partia Progresi Social Kombëtar;
71. Partia Aleanca për Europën;
72. Partia Demokratike e Bashkimit Mysliman të Shqipërisë;
73. Partia “Ligj dhe Drejtësi”;
74. Partia Socialiste e Vërtetë 91;
75. Partia G99;
76. Partia Toleranca e Re e Shqipërisë;
77. Partia Aleanca Europiane Ekologjike;
78. Partia Aleanca Arbënore Kombëtare;
79. Partia Lëvizja për Drejtësi e Shqiptarëve;
80. Partia Personat me Aftësi të Kufizuar;
81. Partia Lëvizja Shqipëria e Re;
82. Partia Bashkimi Popullor i Pensionistëve Shqiptar;
83. Partia Lidhja për Drejtësi dhe Progres;
84. Partia “Aleanca Kuq e Zi”;
85. Partia Lëvizja Demokratike për
Ndryshim;
86. Partia Popullore Kristiandemokrate e Shqipërisë;
87. Partia “Forca Rinia”;
88. Partia “Shkodra 2015”;
89. Partia “Sfida për Shqipërinë”;
90. Partia Bindja Demokratike;
91. Partia “Lëvizja Demokratike Shqiptare”;
92. Partia Indipendentëve (Centriste) të Shqipërisë;
93. Partia Nacional Demokrate e
Shqipërisë;
94. Partia Lidhja Popullore Shqiptare;
95. Partia Nacionaliste Shqiptare;
96. Partia e Djathtë Demokratike
e Shqipërisë;
97. Partia Drejtësia Shoqërore;
98. Partia Progresi Demokratik;
99. Partia Mbrojtja e të Drejtave
Kombëtare;
100. Partia e Re Socialiste e Shqipërisë;
101. Partia Ideali Demokratik Shqiptar;
102. Partia Lëvizja për Demokraci;
103. Partia Ideali komunist;
104. Partia Aleanca Demokristiane
e Shqipërisë;
105. Partia e Biznesit Shqiptar;
106. Aleanca Popullore për Drejtësi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura