Lirohet Elvis Roshi, Gjykata: Arrestim i paligjshëm

Mar 13, 2013 | 12:46
SHPËRNDAJE
Elvis Roshi dje në Gjykatën e Kavajës

Gjykata e Kavajës nuk ka marrë parasysh asnjë nga faktet e paraqitura nga Prokuroria për incidentin e ndo-dhur të dielën mes kryebashkiakut Elvis Roshi dhe trajnerit të Tiranës, Nevil Dede. Përballë akuzës për dhunë dhe kërcënime ndaj Dedes dhe zv.trajnerit Sokol Bulku, gjykata vendosi që arrestimi i Rroshit të dielën ishte i paligjshëm. Në këtë mënyrë, pas seancës 1 orë e gjysmë, u urdhërua lirimi i kryebashkiakut Elvis Roshi. Atmosfera ka qenë e tensionuar për shkak të grumbullimit të shumtë të qytetarëve të Kavajës, ndërsa godina e Gjykatës ishte e rrethuar nga forca të shumta të Policisë së qytetit, të FNSH-së dhe RENEA-s.
Gjykata: Nuk ka prova
Në fjalën e tij, prokurori i çështjes, Ylli Dhimitri, kërkoi masën e sigurisë detyrim paraqitjeje, pasi sipas tij ka prova dhe dëshmi të mjaftueshme që tregojnë se pas përfundimit të pjesës së parë të ndeshjes Besa-Tirana, kryetari i Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi, i shoqëruar dhe nga disa persona të tjerë, është futur në ambientet e stadiumit dhe pikërisht në korridor ka goditur dhe kërcënuar trajnerin e ekipit të Tiranës, Nevil Deden, po ashtu dhe Sokol Bulkun. Ndërkaq ai ka pohuar se disponon një raport të Mjekësisë Ligjore, në të cilin është theksuar se Nevil Dede është goditur dhe për këtë është i paaftë për punë 9 ditë, duke e cilësuar arrestimin në flagrancë si të ligjshëm. Gjatë leximit të raportit të Mjekësisë Ligjore nga ana e organit të akuzës, ka ndërhyrë avokati mbrojtës i kryetarit të Bashkisë, i cili ka replikuar me të, duke pohuar se prokurori nuk ka të drejtë ligjore të paraqesë para trupit gjykues një provë me të cilën nuk është njohur më herët avokati. Kërkesa e avokatit Plarent Ndreca është mirëpritur edhe nga gjykatësi i çështjes. Avokati kundërshtoi dhe arrestimin e Roshit, duke thënë se nuk është bërë në kushtet e flagrancës, por vetë kryebashkiaku u paraqit me dëshirë para policisë, 40 minuta pasi mësoi mbi denoncimin që kishte depozituar pranë këtyre strukturave Nevil Dede. “Dëshmitarët, të cilët konsiderohen si e vetmja provë që ka organi i akuzës, nuk janë të mjaftueshëm për të ngritur një akuzë të tillë, pasi nuk janë të bazuar në prova shkencore”, deklaroi avokati Ndreca. Pasi ka dëgjuar të dyja palët, organin e akuzës si dhe mbrojtjen, trupi gjykues i kryesuar nga Osman Aliu e quajti të paligjshëm arrestimin në kushtet e flagrancës së kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi, ndërsa urdhëroi lirimin e tij të menjëhershëm nga salla e gjyqit. Dhënia e vendimit u prit me entuziazëm e fishekzjarrë nga një numër i madh mbështetësish të kreut të Bashkisë. Ata kanë përsëritur sërish ritualin e zgjedhjeve të 8 majit, duke e mbajtur në krahë Roshin për më shumë se 300 metra.

Kryebashkiaku Elvis Roshi pas lirimit nga Gjykata

Roshi: Hakmarrje e Berishës për 8 majin
Sapo doli nga policia ku firmoi fletën e daljes, kryebashkiaku deklaroi për mediat se do të vazhdojë të punojë për qytetin e tij. Më pas u shpërnda një deklaratë e imtësishme prej tij, ku si fillim u kërkoi ndjesë qytetarëve për këtë ngjarje, që sipas tij u zmadhua qëllimisht. “Nuk kam ushtruar asnjë lloj dhune mbi trajnerin e Tiranës, për të cilin kam pasur dhe do kem respekt si ish-futbollist i shkëlqyer i kombëtares dhe si përfaqësues i një skuadre mike në Kavajë. Kam zbritur poshtë për të qetësuar gjakrat e ndezur nga një gjest i nxituar i tij dhe jo për arsye tjetër”. Vetë Rroshi e ka cilësuar këtë si “sebep të vogël për ata që nuk i zë gjumi për fitoren e 8 majit. Konkretisht për Sali Berishën, i cili përmes Flamur Nokës dhe Agron Kuliçajt ka organizuar forca të tëra survejimi e provokimi ndaj meje. Është e qartë që Sali Berisha nuk e gëlltit dot faktin që Kavaja e përzuri me votë më 8 maj, pas 20 vjet premtimesh të pambajtura. Ai kërkon të hakmerret me çdo kusht me Kavajën, por në fakt ai me Kavajën nuk lahet gjithë jetën”. Sipas Roshit, kjo burgosje e tij kriminale me qëllim politik do të ndëshkohet me votë nga Kavaja më 23 qershor.

Fishekzjarrë në qytet për lirimin
Vendimi i djeshëm u dha në një sallë të mbushur plot me mbështetës të kryebashkiakut Elvis Roshi. Dhjetëra të tjerë prisnin jashtë dhe sapo mësuan faktin e lënies së lirë hodhën fishekzjarrë dhe lëshonin thirrje. Pasi ka kryer një procedurë të fundit ligjore, atë të firmosjes së një dokumenti pranë Komisariatit të Policisë së qytetit, kreu i Bashkisë së Kavajës i është bashkuar turmës.

Trajneri Dede: Nuk duam pikët, keqardhje që mori ngjyra politike
Reagon Klubi: Tani e ka në dorë drejtësia dhe FSHF-ja
Nevil Dede ndien keqardhje që incidenti mori ngjyra politike. Nisur nga gjithçka ka ndodhur, ai ka reaguar një ditë më parë me anë të një komunikate për mediat. Trajneri i Tiranës në këtë deklaratë u shpreh se i vjen keq që incidenti me kryebashkiakun e Kavajës, Elvis Roshi, ka marrë ngjyrime politike. “Klubi i futbollit Tirana nuk e ka në moral dhe në traditë të kërkojë pikët e ndeshjes me Besën, për të vetmin fakt sepse brenda fushës u luajt futboll i vërtetë. Ne denoncojmë fenomenin dhe gjithashtu duam të jemi të fundit. Ndërkohë, nëpërmjet emrit tonë të madh e të rëndë në futbollin shqiptar të bëjmë ndryshimin e duhur për hir të sportit, investimeve serioze, korrekte dhe të pastra. Unë personalisht si trajner i Tiranës e quaj kapitull të mbyllur dhe jo personal. Gjithashtu më vjen shumë keq që ky incident ka marrë ngjyra politike. Më intereson vetëm ekipi dhe kundërshtari i radhës: Flamurtari”, përfundoi Nevil Dede në deklaratën e lëshuar një ditë më parë për mediat. Pas lirimit të kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Roshi, reagon klubi i Tiranës. Ka qenë vetë administratori i bardhebluve, Salih Tagani, i cili në një deklaratë të dhënë për gazetën “Panorama Sport” ka komentuar këtë vendim të gjykatës. Kreu i klubit nuk ka dashur që të futet në detaje, por e ka thënë hapur se tashmë pret veprimet e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe të Drejtësisë. “Nuk dua të bëj komente për lirimin e kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Roshi dhe për arsye të qartë. Ne tashmë presim vetëm vendimin e federatës, që është institucioni më i lartë i futbollit tonë dhe organeve të Drejtësisë. Janë këto dy institucione që mund të vendosin mbi këtë çështje”, tha fillimisht administratori. Më tej, ai shpjegon se klubi kryeqytetas dhe vetë trajneri i Tiranës e bënë hapin e tyre duke denoncuar aktin, tashmë në dorë e ka vetëm FSHF-ja dhe drejtësia.

KAVAJE/ LEONIDHA MUSAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura