Linda Morina: Pse bëra këngë për Edi Ramën, projekti i radhës është Ilir Meta

Jul 15, 2015 | 10:00
SHPËRNDAJE

Linda Morina nga Kosova është kthyer në hit ne “Youtube” dhe rrjetet sociale, e rrjedhimisht, edhe ne media. Eshte brune me kacurrela dhe me forma seksi, dhe u kendon ngjarjeve apo personazheve patriotike vetem me nje çifteli në dorë. Kryesisht, ajo ka bërë bujë me këngët kushtuar politikanëve të Kosovës apo personaliteteve të tjera publike, por tashmë ka “kaluar” edhe në Shqipëri.

Linda Morina

Këto ditë po qarkullon një këngë kushtuar Kryeministrit Edi Rama, me tekst dhe muzikë nga Linda Morina, ndërsa projekti i radhës së këngëtares është Ilir Meta. Më parë, siç thotë ajo për “Panoramën”, ka publikuar edhe një këngë për Enver Hoxhën, e cila u publikua në përvjetorin e vdekjes së tij, më 11 prill 2015. Por teksti për Edi Ramën dhe Enver Hoxhën ngjason shumë, pasi i krahason herë me yll, e herë me rreze drite, pa harruar të theksojë krenarinë që ndien për ta.

Por, duket se Linda nuk e ka bërë qëllimisht, e ka thjesht nga sasia e madhe e teksteve që shkruan. Ndërkaq, për mënyrën e të kënduarit me çifteli dhe për numrin e madh të këngëve që prodhon, shpesh e quajnë jo pa ironi edhe “legjenda”, por Lindës nuk ia ndien se çfarë thonë të tjerët. Ajo e ka plot me fansa faqen e Facebook-ut dhe me shumë klikime kanalin e saj në YouTube, ku edhe ka hedhur me dhjetëra këngë….

Linda, pse vendosët të bëni këngë për Edi Ramën?
Asnjë Kryeministër deri më tani nuk ka punuar si ai për bashkim konkret me Kosovën: Dogana është liberalizuar maksimalisht dhe bëri mbledhje të përbashkëta me Qeverinë e Kosovës. Ndërkaq, Edi Rama i dha goditje të madhe Vuçiçit në Beograd dhe shumë arsye të tjera patriotike më bënë që t’i kushtoj këngë Edi Ramës.

Po për ish-kryeministrin Sali Berisha apo për kryetarin e PD-së, Lulzim Basha…
Po, po, do të bëj këngë edhe për Sali Berishën, edhe për Lulzim Bashën. Do të bëj këngë për të gjithë ata që kanë punuar për kombin shqiptar.

Mjaft popullor është edhe Ilir Meta në Shqipëri. A bën pjesë ai te projektet tuaja të këngës, a ka punuar ai për kombin shqiptar?
Po, patjetër. Edhe Ilir Meta bën pjesë te projektet e mia të këngës, te projekti i radhës.

Po ndonjë femre nga Shqipëria, do t’i këndoni?
Ende nuk e kam vendosur se kujt do t’i këndoj prej femrave në Shqipëri.

Cili është shqiptari që adhuroni?
Shqiptari që më së shumti e adhuroj është Hashim Thaçi.

Kush jua bën tekstet dhe melodinë, pasi i realizoni në kohë rekord?
I bëj vetë, edhe tekstet, edhe melodinë. Gjithçka realizoj në këngë, i kam nga vetja.

Kur u këndoni politikanëve apo VIP-ave të ndryshëm, a ju falënderojnë ata, a ju janë mirënjohës?
Unë nuk këndoj që të më falënderojnë, por të gjithë atyre që u kam kënduar, kam dashur t’i nderoj. Secili i ka veprat e mira për veten e tij. Por deri më sot, nuk më kanë falënderuar ende asnjë nga ata që u kam kënduar.

Jeni femër e bukur dhe e famshme tashmë. A ju ngacmojnë VIP-at, të cilëve u kushtoni këngë?
Jo, asnjëherë nuk më kanë ngacmuar asnjë nga ata VIP-a që u kam kushtuar këngë.

Bëni shumë këngë, i shoqëroni me fotografi, por nuk realizoni videoklipe. Pse?
Nuk kam para për videoklipe. Por, me kalimin e kohës, do t’u bëj edhe videoklipe, meqenëse i kam disa video live.

Trepikëshi i Kombëtares, Linda publikon këngën për 8 orë
Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë i dha tri pikët Shqipërisë në tavolinë për ndeshjen e ndërprerë me Serbinë, më 14 tetor 2014, pas dhunës së tifozëve vendës ndaj lojtarëve të Kombëtares në fushë. Por, vetëm 8 orë pas këtij vendimi, Linda Morina i dedikoi një këngë kësaj ngjarjeje që është përcjellë me mjaft entuziazëm, si në media, ashtu edhe në rrjetet sociale.

“Këtë këngë, Linda Morina ia kushton marrjes së 3 pikëve nga Serbia, pas shumë peripecive që kaloi Kombëtarja jonë e futbollit!”, shkruan ajo në YouTube, ku edhe ka publikuar këngën që e ka krijuar në kohë rekord, për vetëm 8 orë.

TEKSTI I KËNGËS PËR EDI RAMËN
Këndoj trimin o nga Tirana,
Kryeministrin Edi Rama
Edi Rama, djali i Kristaqit,
trim i madh o i idealit
Ti punove o me drejtësie,
Shqipëria o ta dha votën tye
Rroft Partia o Socialiste,
me Edi Ramën o Kryeministër
Edi Rama o yll epoke,
rreze drite o vepra jote
Edi Rama o vizionare,
Shqipëria o jonë krenare
Po feston o Shqipëria,
me Edi Ramën o lulëzon qeveria
Ty të don o kombi shqiptare,
oooo Edi Ramaaa,
është legjendë e gjalleee

TEKSTI I KËNGËS PËR ENVER HOXHËN
Gjirokastër lindi trimi
Enver Hoxha, djali i Halilit
Shqipëri ka qenë krenare
me Enver Hoxhën kryetare
I ka pri o gjithë shqiptarve
lumja shqipja që t’pat djale
legjendar, luftëtar lirie
Enver Hoxha, o emri i tije
Enver Hoxha, o yll bote
rreze drite o vepra jote
krenari o komb shqiptare
zemra shqipeeeee, je i gjalle

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura