Lika në krye të Vllaznisë: Plani im për ringritjen, kalimi në Superiore nuk diskutohet

Aug 13, 2018 | 21:00
SHPËRNDAJE

Vllaznia zgjedh Hasan Likën si trajnerin e ri që do ta drejtojë në sezonin e ardhshëm në Kategorinë e Parë. Atë që gazeta “Panorama Sport” e kishte lajmëruar më shumë se tri javë më parë, është zyrtarizuar dje nga klubi shkodran. Vllaznia ka lajmëruar se gjithçka është finalizuar pas një gare të hapur ku trajnerë të ndryshëm kishin dorëzuar CV-të e tyre, duke pretenduar stolin e skuadrës.

Lika

“Klubi i Futbollit Vllaznia sh.a. njofton opinionin futbolldashës për përfundimin e procesit të përzgjedhjes së Drejtorit Sportiv dhe trajnerit. Përzgjedhja është bazuar në vlerësimet e CV-ve e të kandidatëve dhe në platformën e propozuar për punën e tyre. Vendimmarrja është realizuar përmes një procesi kolegjial të Këshillit Mbikëqyrës, administratorit, pas konsultimeve me shumë specialistë të mirënjohur të futbollit nga brenda Shkodrës dhe jashtë saj. Klubi i futbollit Vllaznia sh.a. ndërmjet kandidaturave të përzgjedhura në fazën e parë, Baldo Ranieri, Dervish Haxhiosmanoviç, Edi Martini, Ergin Firat dhe Hasan Lika, bazuar në vlerësimin për 1. formimi i përgjithshëm dhe profesional; 2. përvoja në punë, 3. arritjet profesionale, 4. pastërtia e figurës, 5. besueshmëria dhe serioziteti, që ishin kriteret mbi të cilat është bërë vlerësimi, shpall fitues në pozicionin e trajnerit, z. Hasan Lika”, shkruhej dje në njoftimin zyrtar të klubit Vllaznia. Në një intervistë për gazetën “Panorama Sport”, tekniku i ri i kuqebluve flet për planet, takimin me kryebashkiaken Voltana Ademi dhe objektivin që ka skuadra për t’u rikthyer në Superiore.

Tashmë është zyrtare dhe ju jeni trajneri i ri i Vllaznisë. Si ndihet Hasan Lika, ndërsa kjo çështje u zgjat disi?

Pritej që të zyrtarizohej kjo çështje dhe ashtu ndodhi. Pak me vonesë, pasi koha që do të kemi në dispozicion është paksa e shkurtër, por shpresoj se do të bëjmë më të mirën.

E njihni skuadrën dhe lojtarët që do të keni në dispozicion?

Lojtarët që kanë qenë pjesë e Vllaznisë në kampionatin e kaluar sigurisht që i njoh. Mund të ketë ndryshime dhe largime, por do të preferoja që skuadra të qëndronte ashtu siç ishte. Por, kjo është një çështje që nuk varet nga unë, pasi do të shohim se si i kanë kontratat lojtarët.

Ka nevojë skuadra për përforcime dhe nëse po, keni menduar për emrat?

Fillimisht, më duhet të shkoj një herë në Shkodër dhe të nisim punën. Më pas, duke parë se si do të shkojnë gjërat, sigurisht që do të shohim për të përforcuar skuadrën nëse do të ketë mangësi në këtë drejtim. Do të drejtoni në një kampionat që nuk e njihni, keni drejtuar më parë në Kategorinë e Parë? E kam provuar më parë me Partizanin për një pjesë të shkurtër, por sigurisht që gjërat kanë ndryshuar shumë nga ajo periudhë.

E keni ndjekur kohët e fundit dhe a i frikësoheni punës në një terren të panjohur?

E kam ndjekur disi. Jam në dijeni që është një kampionat i fortë dhe i vështirë. Në çdo kampionat, pavarësisht nëse quhet Superiore apo Kategoria e Parë, të gjitha ekipet kërkojnë që të japin më të mirën në çdo takim. Sigurisht që ka lojtarë dhe ekipe të mira edhe në atë kategori.

Dihet që objektivi i Vllaznisë është ngjitja në Superiore. Parashikoni surpriza?

Sigurisht që nuk e diskutoj që do të ngjitemi në elitë, për vetë kontingjentin e lojtarëve dhe atë çfarë përfaqëson Vllaznia. Janë lojtarë shumë të mirë që ka në dispozicion dhe nuk e diskutoj që do të ngjitemi në Superiore.

I keni ndjekur lëvizjet e rivalëve ku Besa dhe Besëlidhja kanë shprehur hapur objektivat e tyre që synojnë ngjitjen në Superiore? I

kam ndjekur. E kam parë që kanë bërë shumë afrime dhe sipas atyre që lexojmë, kanë ende nevojë. Kanë filluar më herët se Vllaznia me përgatitjet dhe ne kemi më pak kohë në dispozicion, por besoj se do të bëjmë më të mirën.

Keni folur me drejtuesit e klubit?

Po, kam lënë një takim nesër (sot) paradite me kryebashkiaken e Shkodrës, Voltana Ademi. Do të ulemi të flasim për shumë gjëra.

Për sa i përket Drejtorit Sportiv, Vllaznia ka përzgjedhur turkun Engin Firat. Si e parashikoni bashkëpunimin me të?

Si me të gjithë të tjerët, nuk besoj se do të ketë ndryshim të madh. Shpresoj që të bëjmë më të mirën të dy për Vllazninë. Kjo është detyra jonë. Objektivi kryesor është që ta ngjisim skuadrën në Superiore dhe për këtë do të punojmë të dy. Gjithashtu, do të kontribuojnë të gjithë në Shkodër për ta rikthyer sërish Vllazninë aty ku e ka vendin.

Si e parashikoni punën në një ambient të tillë si Shkodra ku trajnerët e mëparshëm kanë pasur probleme?

Pavarësisht gjithçkaje, ambienti në Shkodër është fantastik, për më tepër për sa i përket futbollit. Dihet tashmë që në Shkodër janë shumë të ndjeshëm dhe të pasionuar pas skuadrës së tyre. Sigurisht, tifozët dhe i gjithë opinioni kanë marrë një goditje me rënien e skuadrës në Kategorinë e Parë, por me kontributin e të gjithëve, do të synojmë ta kthejmë skuadrën aty ku e meriton.

Vitet e fundit, tifozët e Vllaznisë i janë larguar shumë skuadrës. Keni një thirrje për ta?

Sigurisht që tifozët janë të mërzitur dhe të shqetësuar për atë që i ndodhi Vllaznisë dhe ata nuk mund ta pranojnë kurrsesi që ekipi i tyre të zbresë një kategori më poshtë. Por, besoj se në këto momente të vështira, ata do të jenë më pranë skuadrës për ta mbështetur dhe ndihmuar. Prandaj them që të gjithë së bashku do ta ngjisim Vllazninë në Superiore. Puna bëhet nga të gjithë së bashku dhe jo veç e veç.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura