Ligji i ri, tarifat e urbanëve në dorë të Këshillit Bashkiak

Nov 27, 2015 | 15:22
SHPËRNDAJE

Nëse deri më tani Bashkia e Tiranës monitoronte gjithë veprimtarinë e linjave urbane në kryeqytet, deri te dhënia e licencës, shumë shpejt do të mund të vendosë edhe vlerën që një udhëtar duhet të paguajë për shërbimin që merr.

E diskutuar prej vitesh, një rritje e mundshme e çmimit të biletës interurbane parashikohet të kalojë në dorën e Këshillit Bashkiak, me projektligjin që rregullon disa çështje të transportit rrugor.

autobuzat-Kinostudio-Kombinat

Përveç heqjes së nocionit komunë, e zëvendësuar me një- si administrative, ndryshimet prekin kryesisht transportin urban qytetas. Për rrugëtime më shumë se 8 orë, me patjetër duhet të ketë dy punonjës, ndërsa drejtuesit e autobusëve apo furgonëve duhet të disponojnë edhe certifikatën e aftësisë profesionale.

Transporti i linjave mes qyteteve të ndryshme, sipas ligjit të ri, do të bëhet pa ndalesa, ose me ndalesa në stacionet e përcaktuara gjatë itinerarit të linjës. Një tjetër risi është krijimi i Regjistrit Elektronik Kombëtar të Transportit, që do të përmbledhë për herë të parë të gjitha ndërmarrjet e transportit rrugor.

Brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, ministri i Transporteve miraton rrjetin e ri të linjave ndërqytetëse, ndërsa aktualët mund të operojnë jo më gjatë se përtej këtij afati.

TERMINALI Ky është koncepti që parashikohet të futet rishtazi në ligjin për transportet, nëse ai votohet në Kuvend. Ai zëvendëson atë që në ligjin aktual njihej si agjenci transporti.

“Terminali i autobusëve është infrastruktura e transportit që plotëson kushtet e nevojshme për mbërritjen dhe nisjen e autobusëve, hipjen ose zbritjen e udhëtarëve të bagazheve të tyre dhe për shërbime të tjera që kanë të bëjnë me transportin e udhëtarëve dhe operatorëve të transportit rrugor.

Vendndodhja e terminalit të transportit caktohet me vendim të Këshillit Bashkiak”, përkufizohet në projektligj. Do të jetë ministri ai që do të përcaktojë kushtet që duhet të plotësojë ky objekt, kategorizimin, mënyrën e mbajtjes së dokumenteve dhe detyrimet e tjera të terminalit.

Aktualisht, Bashkia Tiranë ka në plan ndërtimin e dy terminalëve të autobusëve interurbanë, në Laprakë dhe Lundër. Kjo bëhet me synim shmangien e hyrjes në zonën urbane të mjeteve të mëdha të transportit që vijnë nga rrethet.

BESARTA BASHA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura