Libra te rinj: Rikthim në “Moshën e pafajësisë”

Oct 8, 2012 | 15:12
SHPËRNDAJE

Romani vjen nën përkthimin e Amik Kasoruhos.

“Pasi u përkthye një ndër pjesët më të bukura të romanit, darka e lamtumirës, mendova se edhe kësaj here më shkau rasti të shkruaja për sakrificën e ndier të një personazhi burrë, për hir të dashurisë. Por e gjithë historia mbeti si një qëndismë e bukur, e rrallë, e papërdorur, në një sënduk të mbushur me aromën e Nju-Jorkut të fillimit të viteve ‘80″. Kështu shkruan përkthyesi Amik Kasoruho në parathënien e romanit “Mosha e pafajësisë”, i cili i rivjen lexuesit përmes shtëpisë botuese “Pegi” e sigurisht nën një shqipërim mjeshtëror. “Mosha e pafajësisë” është romani i 12-të i Edith Wharton, i botuar në 1920. Romani fitoi çmimin “Pulitzer” në 1921 dhe u konsiderua për një kohë të gjatë si “ndjesa” që shkrimtarja i kërkoi shoqërisë amerikane për librin e saj të mëparshëm “The House of Mirth”. Historia e romanit “Mosha e pafajësisë” përqendrohet rreth jetës së një çifti të sapofejuar të shoqërisë së lartë njujorkeze. Një grua e re dhe e bukur, por e damkosur nga një skandal bashkëshortor i mëparshëm, hyn në jetën e tyre. Lumturia e çiftit “të përkryer në sytë e të gjithëve” fillon të lëkundet. Romani hedh një hije dyshimi mbi moralin dhe strukturën e shoqërisë së viteve të fundit të shekullit XIX në New York. Ai përmban një përshkrim të detajuar e të këndshëm të zakoneve të shoqërisë së lartë. “Pasi e mbarova përkthimin, gjykoj se sa vlerë ka pasur çmimi ‘Pulitzer’ që i është dhënë këtij romani dhe autores së tij, të parës grua që fiton këtë çmim. I shkruar në vitin 1920, romani jo vetëm e paraqet shoqërinë e Nju-Jorkut si një varrezë ndjenjash dhe sinqeriteti, por edhe dashurinë e përshkruan si një dhimbje. Është një histori lineare, e rrjedhshme, por njëkohësisht shumë komplekse, e mbushur me figura dhe me përshkrime, të cilat meritojnë vëmendjen dhe vlerësimin e lexuesit”, thotë Kasoruho.

Titulli: Mosha e pafajësisë
Autorë: Edith Wharton
Përktheu: Amik Kasoruho
Tipologjia: Roman
Data e botimit: Shtator 2012
Numri i faqeve: 414
Çmimi: 900 lekë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura