Lëvizja e Postribës, si u arratis Martin Camaj pas 3 ditësh tortura

Feb 24, 2015 | 21:58
SHPËRNDAJE

Kastriot Mul Delia

Engjëll Gjok Lula është një nga dëshmitarët e ngjarjes së Postribës. Është 92 vjeç, nga Prekali dhe ka një kujtesë mjaft të kthjellët për moshën që ka.

Për organizatorët e projektit “Formësimi i kujtesës kolektive”, Lula ka qenë një nga zërat më të rëndësishëm. Ndryshe nga të gjithë të intervistuarit e tjerë, kujtimet e tij lidhen edhe me dy figura të rëndësishme të letrave shqipe. Bëhet fjalë për Martin Camaj dhe për At Anton Harapin.

Ka qëlluar që Camaj të ishte pikërisht mësuesi i Lulës. Ai kujton se si pas
dështimit të lëvizjes së Postribës, arrestuan edhe Martin Camajn, të cilin e kanë torturuar për tri ditë me radhë dhe kur ai doli prej andej u betua se s’do të binte më kurrë në duar të komunistëve, edhe sikur të vriste veten.

Prej atëherë u arratis fillimisht në ish-Jugosllavi e më pas në Gjermani, në Mynih, ku do të bëhej edhe themeluesi i Katedrës së Gjuhës Shqipe
në Universitetin e Mynihut. Edhe më e trishtë është historia që lidhet me Patër Anton Harapin, të cilin e pushkatuan së bashku me dy djemtë që e strehonin në shtëpinë e tyre. Këta të fundit i rrahën e më pas i pushkatuan.

KASTRIOT MUL DELIA: SI ZHVILLOHESHIN GJYQET DHE EKZEKUTIMET PUBLIKE

Kastriot Mul Delia, 84 vjeç, nga Hoti, është djali i bajraktarit të fundit të Hotit, Mul Delisë. Kujtimet e tij mbi ngjarjet në Malësinë e Madhe dhe në Shkodër gjatë viteve 1945-1946 janë të mbushura me detaje interesante. Ai kujton se si zhvilloheshin gjyqet publike dhe ekzekutimet, si ngriheshin trupat gjykuese dhe si jepeshin dënimet. Atmosfera e gjyqeve dhe ekzekutimet në Shkodër (1945-1946) –

Ekzekutimin e bënin në sy të popullit apo…?

Jo. Ekzekutimin ka pasë rast që këtu në bashki, këta i ekzekutojshin pa zbardhë drita. – Në katër të mëngjesit si të thuash… Në pesë, në pesë, se ishte nandor… Kena kenë tue ba nji xhiro… Kena kenë ku asht ujësjellësi, aty, kërciti automatiku Rrrrrrrrrr… ‘Çfarë asht, çfarë asht… Uuu u ba hataja…’ kuriozë ne, vrap… Kur shofim, këtu te bashkia kishin pru nja shtatë a njimbëdhjetë, nuk e di… Ju banë gjygin aty për aty. Kur shofim na t’pushkatum aty…, n’borë. I kapën… I kam pa aty, i kapën…, nëpër karrocat e plehnave… Ka pasë karroca atëhere n’atë kohë, edhe i ngarkuen aty. I çuen andej, tuj shkue ka rruga andej […], mirpo kanë humbë. Kanë humbë…! Duket e kanë ndërru vendin se atëhere kërkuen boll edhe s’i kanë gjetë. Nuk i kanë gjetë… Ja u banë gjyqin aty për aty…, prej ballkonit. Asht hala ai ballkon aty… Prej ballkonit aty…, dënohen me kaq…, dojshin me i dhanë shembull! –

Si nga ballkoni? Ma shpjego pak… Trupi gjykues rrinte në ballkon? 

Jo. Trupi gjykues… Tash trup gjykues nuk kishte aty, por u ba aty për aty… U dha nji fjalim njiherë…, ai kryetari i Komitetit Ekzekutiv…, edhe [u tha] ‘Ka vendosë trupi gjykues…’ demek. Por s’ishin asnjeni gjykatës, por ishin kryetarë komitetesh e ksi punësh. U vendos që të pushkatohet ky, ky, ky, ky…’Vendimi do të ekzekutohet menjiherë!’ E hapën pak aty…, ku asht tashti avokat aty…, edhe ajo kafja ma knej… Aty i kanë vra. Aty…

– Hapën vendin aty dhe i sollën?

Po. Po.

Martin Camaj

– Po njerëz…, sa njerëz mund të ishin që ishin mbledhur aty?

Mbledhë…! Po nuk e dinte kush se çfarë po bahet! Po u mblodhën…, u mblodhën boll.

– Sa, 200-300…, kishte popull?

Po. Po. Se filloi për tjetër gja, mandej e kthyen për këtë. Se u ba nji kryengritje n’malsi edhe këtë për hakmarrje, për presion n’popull e banë. Aty për aty more i gjykuen!

– Si i mblodhën njerëzit, çfarë thanë?

Njerzit…, lajmërojnë njanitjetrin ata…[qesh] – E u mblodhën… Po, kurioza… Kurioza…! – Edhe asistuan aty në aktin e pushkatimit? N’ pushkatim. Po, po, po…

– Si reaguan njerëzit kur panë këtë gjë?

Ju ba… Po u ba nji gja shumë shumë e keqe, se nuk ishte shpallë se do të bahet gjyqi aty njiherë. Por dhanë nji fjalim kundër… Nuk e di çfarë u ba nji lëvizje që u shtyp shpejt edhe mandej, banë gjyqin, shkuen e i morën shpejt n’burg këta… ‘Merrni këtë, këtë, këtë…’ E kush vendosi aty?! Kryetari i Komitetit, kruetari i Policisë edhe nji tjetër…! I kam pa…, shumicën e gjyqeve kam shku i kam pa… Iksha prej shkollet e shkojshim ndigjojshim.

– Ku i bënin gjyqet?

Te kinemaja… ‘Kafen e Madhe’, e din ku ka kenë? N’atë rrugicë aty, ka kenë ndërtesë dy-tre katëshe, kinemaja ‘Rozafat’.

– Nuk është më kjo ndërtesë?

Joo, gati asht shembë. Te kinema ‘Rozafat’, nj’aty i bajshin… gjyqet] Unë shkojsha me ndigju shpesh. Edhe m’kujtohet njiherë… Shif çfarë poshtërsie…! Si u bante…: Salla kishte dy kate llozhe, edhe aty ishin ato, komunistat. Këta populli tjetër ishin n’plate aty edhe ju banë gjyqin. Ju banë gjyqin… Si sot m’kujtohet nji prej Kazazëve. Shumë i urtë ai… Prej Kazazëve… Tash kishin namin e madh ato, antikomunista e ktej andej, por ky si person nuk ishte ashtu siç…, me u pushkatue… edhe Aranit Çela e dënoi. Kur dha pretencën e dënoi këtë 25 vjet a me burgim t’përjetshëm m’duket. Mirpo varën kryet populli se thirrshin ksi komunistash… Shkrujshin [d.m.th. komunistët] prej llozhës ato vërejtjet e tyne që, filanin do ta vrasësh, ose do ta kesh keq… Edhe e ulën atë dorë-m’dorë, dorë-m’dorë… derisa ia çuen prokurorit. U çue prokurori si me pasë kenë…(…) e ndërroi në mënyrën ma t’paturpshme, ma pa burrnore, përmbys vendimin e parë edhe e dënuen për vdekje. Në atë natë i pushkatuen. Njihetë e fali…, por e dënoi opinioni…, këta komunistat.

ENGJËLL GJOK LULA: DUKAGJINI DHE LËVIZJA E POSTRIBËS, ARRATISJA E MARTIN CAMAJT 

– A mban mend ndonjë gjë nga Lëvizja e Postribës?

Lëvizja e Postribës patlidhje me bajraktarë t’Shoshit edhe me bajraktarë t’Shalës…, me i ra Partisë Komuniste, me i ra n’Shkodër… Edhe…, Lëvizja e Postribës…, këta, deshtën me i ra pa ardhë Shala e Shoshi e Mirdita… Me e ba pushkën…, me e fillue pushkën vetëm… ‘ Me na mbetë ndera ne’. Edhe nisën pushkën…

– Kush e bëri këtë?

Po…, këtë e bani Postriba… E bani Postriba. Edhe bani Pushkë te Ura e Mesit, muarën zyrën e Mesit edhe shkuen e ranë drejt te spitali.

Majtas, Engjëll Gjok Lula. Djathtas, Patër Anton Arapi në gjyq

 – Po Shala dhe Shoshi?

Shala e Shoshi ndejtën n’punë t’vet, nuk hynë në atë luftë. Atëherë bajraktari, po në atë rast, duel kacak n’mal me mashkuj t’vet edhe…, me dashtë avenir t’vet, se ishin kundra Partisë Komuniste. Ishin kundra saj. Edhe duelën në mal. Luftuen n’mal tri vjet rresht…, shpia e bajraktarit. Tri vjet rresht n’mal edhe mbrapa u dorzuen.

– Ju pjesë e bajrakut të Shoshit ishit atëherë?

Po. Atëherë shkojshim me bajrak t’Shoshit se ishte rrethi n’kodër t’Shëngjergjit., Dukagjini, m’vedi. Tash janë shkri Dukagjini.

-Mbasi ndodhi lëvizja e Postribës, a ndodhën gjëra këtu? Çfarë ndodhi këtu, në Prekal?

Jo…, këtu n’Prekal s’ka ndodhë gja.

– S’ka ndodhur gjë?

Jo… Jo, jo, jo. 

– Po ato që the ti, që…?

Kur u ba lëvizja e Postribës, erdhën me na marrë mësuesin… Erdhën me e marrë…, edhe ai duel e iku…

Si quhej?

Martin Kol Camaj

– Martin Camaj…, ishte mësues këtu?

Qe mësues këtu…

– Edhe erdhën me e marrë?

Atëherë, ra…, e thirrën n’Shkodër, n’Degë. Edhe ra [në Shkodër]… Ishte mësues këtu edhe iku e shkoi atje. Edhe e mbajtën tri ditë n’tortura. Atëherë kur erdh, ndejti me mue e me vet t’dytin, me kryetarin e këshillit m’vedi, edhe thotë: ‘Pasha Zotin, kurrë sa t’jem gjallë, s’jam ka shkoj n’dorë të tyne ma sa t’vdes. Le të vras vedin, le të mbytem n’ujë…!’ Edhe duel n’mal… Kish pasë folë me do njerëz që ishin andejna…, e bajshin atë rrugë… Edhe duel e iku…, kaloi. Atëherë shkoi e ndejti n’Jugosllavi 12 muaj… Mbas 12 muajve iku e shkoi n’Belgjikë.

-Në Gjermani.

N’Gjermani…

STREHUESIT E PATËR ANTON HARAPIT

– Po atë që më tregove…, që kanë vrarë 12 vetë the…, kur i kanë vrarë ata?

 Ah…! Ata i vranë n’kohën kur ka hy Partia. Vranë Malsinë e Madhe…, Prek Calin me shokë…, krenët e Malsisë s’Madhe. I lidhshin e i prushin e i qitshin e i mbështetshin për mur t’fabrikës s’birrës, prej Dugajve…, i mbështetshin aty e i grijshin n’mitraloz.

– Ti më the që dy vëllezërit e gruas tënde i kanë pushkatuar.

I kanë pushkatue të dy vllaznit e grues teme.

– Pse?

 Për Patër Anton Harapin… Demek…, ‘I keni ba ju, rrugë…’Ai kish dalë n’mal e kish shkue n’Plan. Atëherë, Patër Anton Harapin e kapën edhe e pushkatuen. Edhe pushkatuen edhe ato dy vllaznit që i zunë mren…

– Ata që e kishin mbajtur…, që e kishin strehuar?

Që e kishin mbajtë e strehue… E i vranë dy djelmt edhe i dogjën shpinë atij… Patër Anton Harapin e muarën e grinë… Atëherë, e muarën vllanë e grues teme, t’madhin, e çuen n’Kodër t’Shëngjergjit edhe e mytën n’hu…, nejt tre muaj. Atëherë e pushkatuen… A e pushkatuen a e mytën n’hu…, nuk e di… ! Edhe mbrapa erdhën…, i vllaj që ish te shpia…, erdhi, lypi nji mushkë n’Prekal. Ndodhi Xhemal Selimi aty…, Operativ i Sigurimit…, ishte me ‘carta bianca’, pushkatonte kë deshte ai… Erdh dhe Tom Mëhill Nikaj i Prekalit. E kapën… ‘Ku shkon ky…? Mirash Nosh Qepuri…’ thanë. E morën e lidhën, ia nisën hunit aty e deri n’vriqe t’Shoshit, nj’atje… Atëhere, u mbet se s’mundej t’ecte ma prej hunit… E pushkatuen dhe e lanë aty mrena nji cubet. Në ma të mirën kohë…!

– Sa vjeç ishte?

Ishte nja 35 vjeç.

– Si quhej…, si e kishte emrin?

Mirash Nosh Qepuri. Shpia e Qepurëve…

– Po vëllai i tij, si e kishte emrin?

Vllau…, Mark Nosh Qepuri. Mark Noshi e Mirash Noshi,vllazën. Ehh! Vllau i vogël, i treti…, e muarën, e dënuen 25 vjet… Njiherë e dënuen me vdekjet… Atëhërë iu apelue s’dytit…, gjyqi. E dënuen 25 vjet. Bani 16 vjet e duel. Mbas 16 vjetëve duel prej burgut… Atëhere u martue e ka lanë dy djelm.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura