Vrasjet që tronditën vendin, lirohet nga detyra Gjovalin Loka, Drejtor i Departamentit për Sigurinë

Jul 1, 2021 | 12:34
SHPËRNDAJE

Pas paralajmërimeve për ndryshime dhe reformim në radhët e Policisë së Shtetit kanë ardhur edhe lëvizjet e para. Kështu mësohet se Gjovalin Loka është liruar nga detyra si Drejtor i Departamentit për Sigurinë, ndërkohë që pritet që ai të emërohet në një tjetër detyrë.

gjovalinloka

Ristrukturimi i policisë së shtetit u paralajmërua tre ditë më parë nga ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, i cili u shpreh se brenda kësaj jave ndryshimet do të prekin jo vetëm drejtoritë e qarqeve, por edhe kapilarët e saj në komisariate.

Po ashtu kjo lëvizje vjen edhe pas ngjarjeve të fundit në Velipojë, ku pas një konflikti për territorin e vendosjes se shezlongëve u vranë 4 persona dhe dy të tjerë u plagosën.

Loka e mbante këtë detyrë që prej 15 shkurtit të vitit 2018, ndërsa më herët ka mbajtur edhe disa pozicione të tjera drejtuese.

Nga shef i Komisariatit nr. 1 në Tiranë,  Loka vijoi më pas në disa nga drejtoritë më të rëndësishme të vendit, si ajo e Lezhës, Shkodrës dhe Vlorës.

CFARE THA MINISTRI I BRENDSHËM

“Po përgatitemi për një fazë të re të reformës dhe të forcës parandaluese dhe goditëse të Policisë së Shtetit.

Brenda kësaj jave, do të nisë një ndryshim i thellë me titullarët e strukturave të Policisë së Shtetit në nivel qarku, që do të shtrihet hap pas hapi në nivel kapilar në çdo komisariat të territorit të Republikës së Shqipërisë.

Po ashtu, do të krijojmë një kuadër rregullator të ri, për të futur praktika të hetimit të të ardhurave të drejtuesve të makinave të shtrenjta që kapen në mënyrë të përsëritur në kundërvajtje ligjore në qarkullim. Nga ana tjetër, do të çohet më tej dhe do të përfundojë pajisja e efektivëve të qarkullimit me kamera trupi”, u shpreh Çuçi në konferencën per gazetaret.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura