Gjykata e Lartë konstatoi shkelje/ Regjistrohet në GJKKO çështja për ish-ministrin Saimir Tahiri

Nov 25, 2021 | 9:15
SHPËRNDAJE

Çështja për ish ministrin Saimir Tahiri regjistrohet pranë Gjykatës së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Saimir Tahiri konfeernca reagimi SMS Rama- gjykata-vendimi-tahiri-droga-habilajt (13)

Kujtojmë që Gjykata e Lartë konstatoi shkelje procedurale gjatë gjykimit të ish-ministrit të Brendshëm, dhe për këtë arsye vendosi kthimin e çështjes për rigjykim në shkallë të dytë, me një tjetër trupë gjykuese.

Në vendimin e zbardhur të Gjykatës së Lartë, argumentohej se ka shkelje procedurale gjatë gjykimit të Saimir Tahirit dhe ish-drejtorit të Policisë së Vlorës, Jaeld Çelës.

Sipas Gjykatës, gjyqtarja Albana Boksi ishte në konflikt interesi pasi ka shqyrtuar çështjen e Taulant Haxhiraj në një procedim të lidhur, duke nënkuptuar kështu se trupa gjykuese kishte në përbërje gjyqtarë që s’mund të merrnin pjese në gjykim.

Tashmë çështja e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri do të rigjykohet nga Shkalla e Dytë, e cila do të marrë një vendim përfundimtar, por kësaj radhe nga një tjetër trupë gjykuese.

Dënimi i fundit që mori Tahiri ishte me 5 vite burg i konvertuar në 3.4 vite shërbim prove. SPAK e ka akuzuar për trafik droge, por deri më tani ish-ministri i Brendshëm është dënuar vetëm për “shpërdorim detyre” dhe asnjë nga 3 akuzat e tjera të ngritura nga Prokuroria.

VENDIMI I ZBARDHUR I GJYKATES SE LARTE

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, i përbërë nga: Sokol Sadushi, kryesues, Ilir Panda e Ervin Pupe, anëtarë, në seancë gjyqësore të datës 28.09.2021, mori në shqyrtim çështjen penale që i përket të gjykuarve, Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela. Pasi dëgjoi relatimin e gjyqtarit Ilir Panda, prokurorin pranë Gjykatës së Lartë, i cili kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Mbrojtësin e të pandehurit Saimir Tahiri që kërkoi prishjen e vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe kthimin e çështjes për rigjykim në po atë gjykatë, me tjetër trup gjykues dhe Mbrojtësin e të pandehurit Jaeld Çela, që kërkoi prishjen e vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, zgjidhjen e çështjes pa e kthyer për rishqyrtim, me pasojë deklarim të pafajësisë për rekursuesin Jaeld Çela dhe në rast se nga Gjykata nuk do të konstatohet mundësia e shqyrtimit të kësaj çështjeje, kthimin e saj për rishqyrtim në po atë Gjykatë, me tjetër trup gjykues, vëren:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, në kuadër të procedimit penal nr. 134/5, viti 2016, ka paraqitur për gjykim para asaj gjykate, në datë 10.3.2019, kërkesën për gjykimin e të pandehurve Saimir Tahiri, Jaled Çela, Gjergji Kohila dhe Sokol Bode, nën akuzën “Trafikimi i narkotikëve”, në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 283/a/1, 28/4, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal. Çështja është dërguar në gjyq me vendimin nr. 42, datë 26/03/2019, të gjyqtarit të seancës paraprake të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë. Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë, me vendimin e datës 10.07.2019, ka vendosur pezullimin e gjykimit për të pandehurit Sokol Bode dhe Gjergji Kohila dhe ndarjen e çështjes penale në ngarkim të tyre nga çështja penale në ngarkim të pandehurve Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela. Ky disponim i Gjykatës bazohet në faktin se për të bashkëpandehurit Gjergji Kohila dhe Sokol Bode është marrë vendim për mosgjetjen e tyre, në konformitet me kërkesat e nenit 141 të KPP, pasi masat e sigurimit “Arrest në burg” caktuar ndaj tyre, vijojnë të jenë të paekzekutuara. Në datë 08/07/2016 ka regjistruar procedimin penal nr. 134, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuara nga nenet 284 dhe 333/a të KP. Regjistrimi i këtij procedimi penal është kryer mbi bazën e informacioneve të përcjella në lidhje me aktivitetin e kundërligjshëm të disa personave në kultivimin e lëndëve narkotike; Nga të dhënat e verifikuara në kuadër të këtij procedimi penal, rezulton se janë identifikuar si të përfshirë shtetasit Gjergji Kohila, Renaldo (Rinaldo) Avdylaj (punonjës policie në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë), Artan Habilaj, Moisi Habilaj, Florjan Habilaj etj., të cilët vepronin si grup i strukturuar kriminal në fushën e kultivimit të bimëve narkotike. Në datë 29/04/2017, ka regjistruar procedimin penal nr. 164; Nga të dhënat e grumbulluara evidentohet fakti se shtetasit Nazer Seitaj, Moisi Habilaj, Florian Habilaj, Matan Matani, në bashkëpunim me njëri tjetrin, janë përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike nga Shqipërisë në Itali dhe në vendet e Bashkimit Europian. Këta shtetas kishin në pronësi një mjet lundrueses, tip gomone, të paregjistruar, me të cilin realizonin trafikimin e narkotikëve. Në këto rrethana, ky procedim penal është regjistruar në lidhje me veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 283/a/2 të KP-së.

Në datë 17/10/2017 ka regjistruar procedimin penal nr. 313 në lidhje me veprën penale ‘Trafikim i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 283/a/2 dhe 333/a të KP, si dhe në lidhje me veprën penale “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë ose i të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 260 i KP. Ky procedim është urdhëruar mbi bazën e të dhënave dhe fakteve të publikuara në media, për arrestimin nga autoritetet italiane të drejtësisë, të shtetasit shqiptar Moisi Habilaj, si pjesë e një grupi kriminal, që ushtron aktivitet në drejtim të trafikimit të narkotikëve. Sipas medias arrestimi i tij ka lidhje me kapjen dhe sekuestrimin e sasisë prej 3,5 ton lëndë narkotike e llojit kanabis sativa. Në datë 25/02/2019, është vendosur ndarja e procedimit penal nr. 134/2016 në procedimin penal nr. 134/5 në ngarkim të të pandehurve Saimir Tahiri, Jaeld Çela, Gjergji Kohila dhe Sokol Bode, për veprat penale të parashikuara nga nenet 283/a/1, 28/4, 333/a/2, 334 të Kodit Penal dhe në procedimin penal nr. 134/2016 në ngarkim të shtetasve të tjerë, subjekte të procedimit penal, për të cilët është vlerësuar se hetimet duhet të vijojnë. Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë, gjatë zhvillimit të gjykimit të çështjes me procedurën e gjykimit të shkurtuar, komfor nenit 406 të KPP, ka pranuar rrethana të çështjes. Nëpërmjet disa letërporosive radhazi, Prokuroria për Krime të Rënda, gjatë hetimit paraprak, ka marrë nga Prokuroria e Republikës pranë Gjykatës së Katanias aktet e hetimit penal të kryer ndaj shtetasve shqiptarë Moisi Habilaj, Nezar Seiti, Meridian Sulaj, Florian Habilaj, etj.

Kundër vendimit të mësipërm ka ushtruar rekurs i gjykuari Saimir Tahiri, përfaqësuar nga avokat Maksim Haxhia, i cili kërkon prishjen e vendimit penal të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe kthimin e çështjes për rigjykim në po atë gjykatë, me tjetër trup gjykues, duke parashtruar këto shkaqe:

Vendimin e Gjykatës së Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e konsiderojmë si të marrë në zbatim të gabuar dhe shkelje të rënda të rregullave procedurale, si të tilla që kanë cenuar procesin e rregullt ligjor dhe njëkohësisht kanë rëndësi thelbësore për njehsimin dhe zhvillimin e praktikës gjyqësore. Shkelje procedurale që kanë shkaktuar shkeljen e të drejtës për një proces të rregullt ligjor, si rezultat i papajtueshmërisë së anëtarëve të trupit gjykues. Vendimi objekt rekursi i Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar është dhënë nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët A. Boksi, Dh. Lara dhe N. Kosova. Me caktimin e çështjes për shqyrtim, në datë 20.2.2020, gjyqtarja kryesuese A. Boksi, duke vlerësuar se kishte pengese ligjore dhe papajtueshmëri për shqyrtimin e saj (për shkak se ka qenë në përbërje të trupit gjykues që ka disponuar me vendimin nr. 69, datë 19.9.2018 në ngarkim të të pandehurit Taulant Haxhiraj, i pandehur në procedimin penal të lidhur nr. 134/2017, i cili është bashkuar nga prokuroria me procedimin penal nr. 1645/ viti 2017, pjesë e të cilit është dhe i pandehuri Saimir Tahiri dhe është veçuar me pas në datë 22.9.2017) ka paraqitur kërkesë për heqje dorë nga shqyrtimi i çështjes. Kërkesa e gjyqtares kryesuese Albana Boksi për dorëheqje është refuzuar nga Zv/kryetarja e gjykatës znj. Saida Dollani, ndërkaq, në datë 27.4.2020 i pandehuri Jaeld Çela ka paraqitur kërkesë për përjashtimin e gjyqtareve Albana Boksi, Nertina Kosova dhe Nure Dreni për shkak të pjesëmarrjes së tyre në shqyrtimin e kërkesave të palëve gjatë fazës së hetimeve paraprake në procedime të lidhura, si dhe pjesëmarrjen në gjykimin e themelit për këto çështje. Kjo kërkesë u shqyrtua nga zëvendëskryetarja e Gjykatës znj. Saida Dollani, tashmë në cilësinë e gjyqtares, e cila me vendimin nr. 3, datë 29.4.2020 ka vendosur shpalljen e papranueshme të kërkesës për përjashtimin e gjyqtarëve Albana Boksi, Nertina Kosova dhe Nure Dreni.

Pengesa ligjore e gjyqtares Albana Boksi në gjykimin e çështjes në ngarkim të të pandehurve Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela është pasi ajo gjyqtare ka shqyrtuar me vendimin nr. 69, datë 19.9.2018 çështjen në ngarkim të të pandehurit Taulant Haxhiraj, i pandehur në procedimin penal të lidhur nr. 134/2017, i cili është bashkuar nga prokuroria me procedimin penal nr. 1645/viti 2017, pjesë e të cilit është dhe i pandehuri Saimir Tahiri dhe është veçuar me pas në datë 22.9.2017. Në atë gjykim i pandehuri Taulant Haxhiraj është deklaruar fajtor për akuzat e ngritura ndaj tij dhe gjyqtarja ka shfaqur mendim mbi fakte dhe prova të cilat janë shqyrtuar prej saj edhe në çështjen në ngarkim të Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela veçanërisht, lidhur me kultivim të lëndëve narkotike, përgjimet e bisedave telefonike etj. Ndryshe nga sa ka argumentuar zv/kryetarja e Gjykatës së Posaçme të Apelit në vendimin e saj për refuzimin e kërkesës për dorëheqje të gjyqtares Albana Boksi, rezulton se gjyqtarja Albana Boksi ka pasur njohje për aktet dhe provat e atij procedimi, pasi një pjese e tyre janë shqyrtuar dhe vlerësuar në gjykimin që i përket vendimit nr. 69, datë 19.9.2018 të kësaj gjykate, në çështjen në ngarkim të të pandehurit Taulant Haxhiraj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura