Kuvendi jep autorizimin për arrestimin e dy deputetëve Doshi dhe Frroku. PD-PS me dy raporte

Mar 26, 2015 | 8:02
SHPËRNDAJE

UPDATE/  Këshilli i Rregullores dhe Mandateve pas një seancë që zgjati rreth 5 orë, miratoi dje kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për të vendosur masën e arrestit dhe për të lejuar ushtrimin e kontrollin e banesave ndaj dy deputetëve, Tom Doshi dhe Mark Frroku. 

Mbledhja e Keshillit per Rregulloren dhe Mandatet

Por, palët janë përçarë për votimin e raportit që do t’i kalojë për miratim seancës së sotshme plenare. Pas zhvillimit të seancës dëgjimore në prani të deputetit Tom Doshi dhe avokatëve të tij dhe prokurorit të Krimeve të Rënda, Adnan Xholi, drejtuesi i komanduar i seancës, Vangjel Dule, vendosi për të ndërmarrë një seancë vetëm me anëtarët e Këshillit të Mandateve.

Gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura, përfaqësuesit e pakicës kanë kërkuar që Këshilli i Mandateve duhet të shqyrtonte “video përgjimin” ambiental e deklaruar në publik nga Tom Doshi dhe e konfirmuar nga Prokurorët se është e vërtetë. Por, Këshilli i Mandateve ka hedhur poshtë kërkesën e demokratëve për të administruar dhe për të parë video-përgjimin. Katër deputetët e maxhorancës, Fatmir Xhafaj, Vasilika Hysi, Namik Dokle dhe Armando Subashi, kanë votuar kundër kërkesës së tre deputetëve demokrateve, Eduard Halimi, Arben Ristani dhe Kastriot Islami.

Në këtë votim nuk ka marrë pjesë Vangjel Dule, cili ka deklaruar se nuk mund të votonte. “Unë s’kam të drejtë vote sepse jam i deleguar në këtë funksion”, mësohet të jetë shprehur Dule.

Në raport, deputet e opozitës kanë kërkuar që të shënohet qëndrimi i tyre: “Pakica është dakord nga ana procedurale që Prokuroria të hetojë për këdo qoftë, deputet apo qytetar i thjeshtë. Por opozita e konsideron përmbajtjen e çështjes një farsë, pasi Prokuroria ka qenë nën presionin e autoriteteve të larta që janë të implikuar në këtë çështje”.

Ky qëndrim nuk është pranuar nga anëtarët e maxhorancës, të cilët kanë përpiluar të vetëm raportin që do t’i kalojë për miratim seancës plenare të ditës së sotshme. Deputet i Eduard Halimi i kontaktuar nga “Panorama” theksoi se: “Partia Demokratike do dalë me një raport të vetin për këtë çështje. Kemi 4 javë kohë për këtë çështje sipas Rregullores së Parlamentit”.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura