Ekzekutimi i vëllezërve Haxhia në Durrës, arrestohen edhe dy persona të tjerë si të përfshirë në vrasje (EMRAT)

Jun 17, 2021 | 8:44
SHPËRNDAJE

Policia ka arrestuar edhe dy persona të tjerë për vrasjen e vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia në prill të vitit të kaluar në Durrës.

vellezerit haxhia

Panorama.al mëson se në pranga kanë rënë Besian Xhixha dhe Enver Diva, të cilët dyshohet se mund të jenë bashkëpunëtorë në krim.

Keta dy persona u kontaktuan nga Nuredin Dumani për të vrarë vëllezërit Haxhia.

Deri tani të pandehur për vrasjen e vëllezërve Haxhia janë Talo Çela, Nuredin Dumani si dhe Altin Ndoci. Ky i fundit është një ndër autorët e dyshuar të ekzekutimit të vëllezërve.

Ndoci akuzohet nga Prokuroria gjithashtu edhe për vrasjen e dyfishtë të Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdylit në qytetin e Durrësit në Mars.

Në pranga për këtë ngjarje ka rënë edhe Klevis Alla, i cili tashmë ka pranuar të bashkëpunojë me policinë e Durrësit, duke treguar mënyrën se si kanë kryer vrasjet, vendin e hedhjes së armëve, braktisjen e makinës së krimit dhe emrat e personave që kanë marrë pjesë në vrasje.

RREFIMI I TE PENDUARIT

E gjithë akuza bazohet kryesisht në rrëfimin e të penduarit, i cili shpjegon se ishte Nuredin Dumani, ai që i dërgoi foton e Besmir Haxhisë dhe i tha se do ta vriste. Ai thotë se automjetin që përdorën në vrasje e bleu dhe Nuredini në zonën e Astirit, ndërsa i kishin premtuar 10 mijë euro që të kishte rolin e shoferit në vrasje, por kur ai refuzoi e morën nën kërcënim. Para hetuesve ai tregon edhe takimin me ekzekutorët te tuneli në Shënavlash, pak minuta para se të qëllonin për vdekje dy vëllezërit. “Kur mbërrita te tuneli në Shënavlash, aty ishte Talo Çela, Altin Ndoci e Nuredini. Talo kishte maskë me fytyrë njeriu. Nuredini kapuç si RENEA, xhup pa krahë me mbishkrimin ‘OFL’. Ata zbritën nga makina e tyre dhe morën 3 armë në bagazh.

Unë shkova deri aty t’ju dërgoja makinën. Por, Talo me kërcënoi: Ma ke thënë, ti do vish me se s’bën dhe me ka kërcënuar. Hipa në ‘Toyota’-n me targa ‘AA 375 XN’. Të tre u futën në automjet. Unë telefonova Besmir Haxhinë dhe lashë takimin”. Pas krimit ai thotë se u përpoq të fshihte provat. “Armët i hodha në kanalin përballë xhamisë me dy minaret. Makinën e lashë te varrezat në Arapaj. Të nesërmen kam shkuar me biçikletë te makina dhe kam mbledhur gëzhojat dhe i futa në një qese, të cilën e hodha në një rezervuar”.

I penduari rrëfen edhe momentin kur oficeri i zonës i kërkoi të paraqitej në Polici dhe arsyet përse vendosi të fliste… “Më telefonoi polici, Arbeni më kërkoi të shkoja në Polici. U tremba, por vendosa të shkoj. Tregova ngjarjen. Dërgova Policinë te vendi ku hodha armët. Palombarët i gjetën. I tregova dhe vendin ku hodha qesen me gëzhojat dhe vendin ku lashë makinën e çelësin e saj”. Klevis Alla tregon edhe motivin e vrasjes së dy vëllezërve si dhe miqve të tyre…. “Pas ngjarjes në Rinas, filloi përçarja e grupit të Talo Çelës, Dorian Shkozës, Altin Ndocit e Besmir Haxhisë. Përçarja filloi pasi hyri në lojë lek i madh nga vjedhja e Rinasit”. Fillimisht, Alla është përpjekur të mos e implikojë Nuredin Dumanin në krimet e rënda duke rënduar pozitën e Altin Ndocit, për të cilin fillimisht tha se kishte qëlluar ai dhe Talo Çela mbi dy vëllezërit, por më pas shpjegoi se ai kishte qenë në makinë, porse nuk kishte përdorur armë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura