Kundër shpifjes

Oct 14, 2018 | 15:36
SHPËRNDAJE

EDMOND TUPJA

Nuk ka gjë më të shpifur se shpifja! Ky është mendimi i atyre që e urrejnë  shpifjen aq më tepër që, siç thoshte berberi i Seviljes në shekullin XVIII, në Francë, nën penën e dramaturgut Beaumarchais, “Shpifni, shpifni, se gjithmonë diçka do të mbetet”, diçka që u bëhet rrodhe njerëzve të ndershëm dhe i trondit jashtëzakonisht. Këtë përsëriti këto kohët e fundit edhe zoti Kryeministër i Republikës, detyrimisht demokratike të Shqipërisë. Me plot të drejtë. Me zë të plotë prej baritoni, ashtu si tek aria e operës “Berberi i Seviljes” të Rosinit, e njohur si “aria e shpifjes”. Kjo përsëritje kryeministrore nuk qe e rastësishme, ajo u bë publike në kuadrin e një projektligji të mundshëm, që mendohet të kthehet në ligj për të ndaluar dukurinë e shpifjes dhe, sidomos, kryesisht e në veçanti, për të dënuar shpifësit.

Edmond-Tupja

Mirëpo, në gjuhën e bekuar shqipe fjalët “shpifje” dhe “shpikje” vetëm një shkronjë i ndryshon nga njëra-tjetra dhe kjo mjafton për t’i turbulluar ujërat e arsyetimit në këtë rast. Kështu, për shembull, nëse dikush – gazetar, analist, humorist apo shkrimtar – thotë apo shkruan se, bie fjala, zoti Kryeministër ka në kokë 5 678 900 fije floku dhe nëse ky i fundit, pasi i numëron ato me ndihmën e berberit apo, për të qenë krejt i saktë, elektronikisht, vëren se ka një fije më pak, pra 5 678 899, ose një më shumë, pra 5 678 901, rezulton objektivisht se ai dikush ka shpifur kundër zotit Kryeministër, pavarësisht se thjesht është gabuar gjatë numërimit! Imagjinoni sikur të bëhej fjalë jo vetëm për qimet e kokës, por edhe për gjithë qimet e tjera të trupit të njeriut! Rrjedhimisht e për pasojë të pashmangshme, sikur të penalizohen me ligj të gjitha “shpifjet” e mundshme e të përfytyrueshme të tipit thjesht shpikje, sajesa, trillime, lojëra fjalësh (dhe jo shalësh), shakara (me tërë kumbimin erotik të katër germave të fundit), alegori, hiperbola (me “a” në fund dhe jo me “e”), metafora (asgjë të përbashkët me Presidentin e Republikës), do të duhej që mbarë popullit tonë, i cili thashethemet e anekdotat i ka ushqim të përditshëm e sport kombëtar, t’i mbyllet goja një herë e mirë me anë ligjesh të hekurta si ai famëkeqi i agjitacionpropagandës në kohën e diktaturës hoxhiste. T’i mbyllet goja popullit… ose ta përdorë atë vetëm për të marrë frymë, ngrënë, gromësitur, gogësitur, pirë, kafshuar, pështyrë e vjellë.

Mbyllja e gojës me ligj me qëllim penalizimin e shpifjes, më kujton një tregim të kahershëm të turkut Aziz Nesin në kohën e diktaturës ushtarake në vendin e tij, në të cilin bëhet fjalë për dikë që duhej operuar me urgjencë nga bajamet; mirëpo turqve, sidomos intelektualëve, u ndalohej pikërisht të hapnin gojën për të shprehur lirshëm mendimet e tyre, kështu që kirurgu u detyrua t’ia priste e t’ia hiqte bajamet pacientit intelektual, por duke iu futur në gojë që nga anusi, pra, më shqip, nga vrima e prapanicës.

Nga ana tjetër, kam dëgjuar, po lidhur me mbylljen e gojës, edhe një anekdotë me prejardhje nga Bashkimi Sovjetik i kohës së Brezhnjevit, të karakterizuar nga kufizime të rrepta të lirisë së shprehjes: Një ditë dimri, meqë kishte dalë dielli, një pensionist shkoi në një park publik dhe u ul në një stol ku po rrinte një zonjë e panjohur, me gjasë pensioniste edhe ajo. Zotëria, tek po zinte vend, lëshoi një psherëtimë që i doli nga thellësia e shpirtit, por, menjëherë, zonja u kthye nga ai dhe i tha: “Ju lutem, mbajeni gojën, unë nuk merrem me politikë”.

Para shumë vjetësh, kur po përktheja gjatë një seminari ndërkombëtar të organizuar nga Këshilli i Europës me avokatë shqiptarë, njëri nga këta ngriti problemin e shpifjeve që bënin herë pas here disa gazetarë në Shqipëri dhe hodhi idenë se disa ditë burg do t’u shërbenin atyre që të mendoheshin mirë para se të hapnin gojën. Përgjigjja që mori nga njëri prej drejtuesve të huaj të seminarit, një francez, qe kjo: Sigurisht, gazetarët nuk duhet të shpifin, por në regjimet demokratike ata nuk futen në burg për shpifje, sepse deri-diku konsiderohen si fëmijët mistrecë të shoqërive të emancipuara ngaqë kanë guximin të ngrenë ato probleme që shtetet dhe qeveritë përpiqen t’i anashkalojnë, t’i lënë në heshtje ose t’i konsiderojnë pikërisht si shpifje

Së fundi, për t’i vënë qartë pikat mbi “i”, duhet pranuar që, moralisht, shpifja është vërtet fort e dënueshme, mirëpo e keqja është se në Republikën babëzisht demokratike të Shqipërisë dhe në Kuvendin e saj të bindur e të blinduar nga shumica mëngjarashe apo sallakse, ligjin e bën kjo shumicë, duke e vlerësuar gati çdo çështje madhore që ngre opozita si të bazuar në shpifje e vetëm në shpifje. Zoti Kryeministër harron se një ligj i ashtuquajtur antishpifje, që në fakt do të synonte t’ia mbyllte gojën opozitës, do të përbënte një mohim të njërës prej rregullave themelore të demokracisë, pra të lirisë së mendimit. Prandaj, meqë i ka qejf batutat aq sa, jo rrallë, i përdor gabimisht në vend të argumenteve, po marr guximin t’i kujtoj Zotërisë në fjalë këtë batutë të njohur të Voltaire-it: “O Zot, mbromë nga miqtë, se nga armiqtë mbrohem vetë!”, të cilën e kam ndryshuar paksa në mënyrë që zoti Rama ta ketë parasysh, paraveshësh e parahundësh për veten e tij dhe vetëm për atë: “O Zot, mbromë nga vetvetja, se nga armiqtë e miqtë mbrohem vetë!”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura