Kthehet historia e gjenocidit në Muzeun Kombëtar

Apr 1, 2011 | 12:10
SHPËRNDAJE
Nga ekspozita kushtuar viktimave të diktaturës, shkurt 2009

Erë ndryshimi ndihet në Muzeun Historik Kombëtar. Nuk bëhet fjalë më për projekte në letër, por për zbatime konkrete.Gjatë viteve të fundit, kur dëgjoje të flitej për Muzeun Historik Kombëtar, ndër mend të vinte më së shumti ndërtesa. Ajo ndërtesë kaba në qendër të Tiranës, që ka në ballë një mozaik të mbuluar prej një viti e që kohë më parë është bërë mollë sherri për prishjen ose jo të tij. Kjo sepse prej kohësh, MHK e kishte humbur misionin thelbësor, atë të të rrëfyerit. Prej vitit 1982, kur u ndërtua MHK, në të vetëm janë hequr pjesë, por nuk është përmirësuar asgjë, duke e lënë atë të cunguar. Kushdo që hynte aty (kryesisht turistë të huaj), me shpresën se do të mësonte ndonjë gjë mbi historinë e Shqipërisë, zhgënjehej pa dyshim. Pas një informacioni, le të themi të mirë, por të parifreskuar prej vitit 1982, nga pavijoni i arkeologjisë tek i Mesjetës, çka vijonte ishte tepër e thatë. Në pavijonet e Pavarësisë dhe Luftës Antifashiste, më shumë stenda fotografike se objekte, ndërsa për atë që vijoi pas vitit 1944, asgjë më. Pavijoni i socializmit u shkatërrua në fillim të viteve ’90 dhe më tej kjo periudhë e historisë mbeti bosh në MHK. Nga drejtorë të ndryshëm janë bërë disa përpjekje për të ngritur pavijonin e gjenocidit, janë ngritur e janë mbyllur sërish. Por kësaj here duket se punët janë në rrugë të mbarë. Sipas njërit prej anëtarëve të grupit të punës së ngritur me këtë rast, muzeologut Fredi Gusho, po bëhen përgatitjet e fundit për hapjen e procedurave të tenderimit për shpalljen e firmave fituese për ndërtimin e pavijonit, të stendave, për përpunimin e fotografive dhe të materialeve të tjera që do të përmbajë ky pavijon. Në bazë të platformës, ky pavijon do të ndërtohet në katin e dytë të MHK-së, mbi projektin e hartuar nga inxhinieri Latif Lazimi dhe do të quhet “Pavijoni i gjenocidit dhe terrorit komunist”. Për ngritjen e tij, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka vënë në dispozicion një fond prej 5 milionë lekësh. I gjithë procesi mendohet të mbyllet gjatë këtij viti.
Organizimi
U bë kohë tashmë që flitet për këtë pavijon dhe prej një viti platforma është gati. Mbi të po punon një grup pune, i përbërë nga historianë e muzeologë, të mbështetur edhe nga specialistë e drejtues arkivash. Grupi i punës përbëhet nga Enver Kushi, kryetar, Fredi Gusho, Sotirulla Hoxha, Sali Kadria, Ilir Gusho, Fatmir Boshnjaku, Etleva Demollari dhe Entela Kasemi. Për ta rrokur sa më gjerësisht këtë aspekt të diktaturës shqiptare, do të ekspozohen shumë dokumente, fotografi, objekte, por edhe materiale audiovizuale. Një pjesë e mirë e materialeve i takojnë fondit të MHK-së, por janë zbuluar gjithashtu edhe shumë materiale të paekspozuara më parë në Arkivin e Ministrisë së Brendshme, apo edhe arkiva të tjera. Ka shërbyer si bazë edhe ekspozita në kujtim të viktimave të gjenocidit, e ngritur dy vjet më parë në hollin e MHK-së, ndërkohë që të afërm të këtyre viktimave kanë ofruar objekte e fotografi të njerëzve të tyre të dashur, të cilët kanë vuajtur në burgjet komuniste apo kampet e internimit. I gjithë materiali i grumbulluar do të serviret në 26 seksione. Gjithçka zë fill me formimin e organeve të diktaturës komuniste dhe do të përfundojë me rënien e diktaturës. Bëhet fjalë për 45 vite histori, të mbushura me ngjarje nga më makabret, prej të cilave specialistët janë munduar të qëmtojnë ato që kanë lënë më shuam gjurmë në historinë dhe në jetën e shqiptarëve. Do të jenë aty disa nga gjyqet më famëkeqe ndaj intelektualëve shqiptarë; për të vijuar me eliminimet e njëpasnjëshme të kundërshtarëve politikë, deputetë, apo drejtues të kohës. Një zinxhir që nisi qysh në vitin 1945 e përfundoi në vitin 1991. Një vend të posaçëm zë goditja e klerit dhe shembja e ndërtesave fetare, qofshin këto të krishtera, myslimane, apo bektashiane. Nuk do të mungojë kryengritja e Postribës, kryengritjet në Shkodër e Tiranë, çështja çame dhe ajo e Kosovës. Burgjet dhe kampet e përqendrimit do të vinë me gjithë shëmtinë dhe makabritetin e tyre. Pjesë e këtij pavijoni do të jetë edhe një kënd që do të shërbejë si një minikinema, ku do të transmetohen dokumentarë, kronika, intervista të kohës, seanca gjyqësore që dëshmojnë për një nga diktaturat më të egra në Europën Lindore. Nuk do të mungojë edhe një bibliotekë e vogël me libra e kujtime të të burgosurve.

Struktura

1.  Formimi i organeve të diktaturës komuniste
2.  Terrori komunist në vitet 1945-1948
3.  Proceset e para të mëdha gjyqësore
4.  Gjyqet ndaj kundërshtarëve të regjimit komunist
5.  Gjyqet ndaj inxhinierëve dhe teknikëve të shkollës amerikane
6.  Gjyqi i deputetëve
7.  Shkatërrimi ekonomiko-financiar
8.  Incidenti në Ambasadën Sovjetike
9.  Qëndresa antikomuniste
10. Përndjekja ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe të Çamërisë
11. Goditja dhe shkatërrimi i klerit
12. Shkatërrimi i institucioneve fetare
13. Diktatura ha bijtë e vet
14. Izolimi i thellë i Shqipërisë
15. Reagimi antikomunist ndaj izolimit
16. Vrasjet në kufi
17. Burgjet e shtetit burg
18. Kampet me punë të detyruar
19. Kampet e internimit
20. Torturat dhe mjetet e torturës
21. Intelektualë dhe personalitete të burgosur e të ekzekutuar
22. Gra të ekzekutuara dhe të burgosura
23. Spitalet burgje dhe spitalet psikiatrike
24. Stalinizmi në Shqipëri
25. Vendekzekutimet
26. Rënia e diktaturës komuniste

 

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura