Kryetarja e bashkisë Himarë u zgjodh edhe me tre vota të “rrjedhura” nga opozita, juristi Dhuli: Në ruspën e madhe të pushtetit mund të bjerë kushdo

Mar 29, 2024 | 12:54
SHPËRNDAJE

Blerina Bala u zgjodh kryetare e komanduar e bashkisë së Himarës, ku përvec votave të këshilltarëve socialiste mori edhe tre vota nga opozita.

Në një deklaratë për mediat, juristi dhe zëdhënësi i fushatës së Fredi Belerit, Skerdjan Dhuli tha se “ruspën e madhe të pushtetit mund të bjerë kushdo”.

Dhuli thekson se me vendimin e sotëm socialistët morën me dhunë bashkinë që e humbën në 14 maj.

Sipas tij ky ishte një skenar i përgatitur politikisht nga Edi Rama.

“Skenari i përgatitur politikisht nga Rama shkoi deri në fund.  Pa legjimitetit politik dhe moral këshilli bashkiak përmbysi rezultatin e 14 majit. Në një farë mënyre ata që humbën bashkinë me votë në  14 maj sot e rimorën në një mënyrë ilegjitime. Ne si PD dhe si koalicion opozitar e refuzuam pjesëmarrjen. Ju ishin në dijeni sesi këshilltarë të ndryshëm ranë pre e ruspës së pushtetit.

Ishte qëndrimi personal i tyre. E rithem që në ruspën e madhe të pushtetit mund të bjerë kushdo.

Ajo çfarë ka ndodhur sot së pari me ndryshimin e vendit ku do zhvillohej mbledhja dhe së dyti me objektin cfarë është diskutuar tregon qartë se bashkia Himarë duhej të mbahej me dhunë nga Rama sepse qëllimet për të cilën duhej mbajtur është ajo që sot Jorgo Goro është në burg”, tha Dhuli.

Si u ndanë votat: 

Kryetarja e komanduar e Bashkisë Himarë, Blerina Bala mori 15 vota pro, 9 nga PS, 1 PSD, 1 Mega, 1 Partia e Lirisë, 1 PD zyrtare, 1 Rithemelimi dhe 1 LZHK.

LEXO EDHE: Jorgo Goro dhe Fredi Beleri në qeli, pas mbledhjes me tensione zgjidhet kryetarja e komanduar e Bashkisë Himarë (Emri)

CFARE NDODHI NE MBLEDHJE 

Mbledhja e Këshillit bashkiak të Himarës u shoqërua me tensione të ashpra. Qytetarë dhe mbështetës të Fredi Belerit u futën në ambientet e brendshme të bashkisë Himarë, ku u përplasën edhe me policinë.

Ata kërkuan largimin e prefektit të Vlorës, Vangjel Tavo dhe Sekretarit të Përgjithshëm të PS, Blendi Klosi.

Ndërsa në momentin kur Tavo është larguar, një mbështetës i Fredi Belerit e ka pështyrë në fytyrë atë dhe më pas kanë debatuar edhe me fjalë.

Pas tensioneve të krijuara drejtuesi politik Blendi Klosi dhe prefekti i Qarkut të Vlorës u larguan. Gjithashtu “braktisën” sallën edhe këshilltarët.

Ndërkohë mbledhja u shty për në orën 12:00, pa praninë e qytetarëve, ku u mor edhe vendimi për komandimin në krye të Bashkisë Himarë të Blerina Balajt.

VIDEO/ Mbështetësi i Fredi Belerit pështyn në fytyrë Vangjel Tavon! Çfarë ndodhi në mbledhjen e tensionuar të Këshillit Bashkiak të Himarës

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura