Kryebashkiaku Veliaj shtron darkë iftari: Muaji i shenjtë, distancim nga çdo gjë e dëmshme

May 26, 2019 | 14:38
SHPËRNDAJE

Me rastin e Muajit të shenjtë të Ramazanit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shtroi dje një darkë Iftari për udhëheqës fetarë dhe shpirtërorë të bashkësive shqiptare, anëtarë të kabinetit qeveritar, deputetë, ambasadorë dhe përfaqësues diplomatikë, si dhe përfaqësues nga komuniteti medias dhe i biznesit.

Veliaj vlerësoi harmoninë dhe respektin e ndërsjellë që ekziston mes komuniteteve fetare në vendin tonë, si një vlerë e shtuar. “Dua të falenderoj imamin e Tiranës, myftiun e Tiranës, imamët e 30 xhamive të ndryshme të Tiranës, që janë pjesë e këtij bashkimi sot, njerëz që ndajnë një vakt se jetojmë në një qytet, kemi hedhur rrënjë në të njëjtën shoqëri. Dua të falenderoj përfaqësuesit e besimeve të tjera që na janë bashkuar sot, për të theksuar se mbi të gjitha jemi shqiptarë, respektojmë njëri-tjetrin dhe mënyra se si falim nuk janë arsye për të na ndarë, janë arsye për të na bashkuar”, tha Veliaj.

veliaj

Ai nënvizoi se ky muaj i shenjtë është edhe një distancim nga çdo gjë e dëmshme, që as Shqipëria dhe as shoqëria shqiptare nuk i meriton.

“Është një distancim nga çdo gjë e dëmshme, nga mendime të dëmshme, nga fjalë të dëmshme, nga energji të këqija që harxhojmë me njëri-tjetrin, nga paudhësi që ndoshta as ky vend s’i meriton, po as shoqëria s’i meriton, po as ata që i kemi pranë nesh nuk i meritojnë. Nëse e kuptojmë si muajin më të shenjtë të besimtarëve myslimanë, muajin kur Perëndia i dha fjalët e para të Kuranit profetit Muhamed, atëherë edhe reflektimi shkon përtej sakrificës ushqimore, për të mbajtur larg çdo tundim për t’i bërë keq dikujt që kemi afër”, tha Veliaj.

“Nuk mund të jemi besimtarë kur respektojmë namazin dhe pastaj marrim prapë gurët dhe zihemi me njëri-tjetrin; nuk mund të jemi besimtarë të krishterë kur mbaron lutja në kishë dhe marrim topin e godasim njëri- tjetrin; kështu, s’mund të jemi besimtarë të asnjë feje, e të asnjë Zoti. Ndaj, shpresoj shumë që ky të jetë një moment reflektimi për të gjithë, edhe për të kuptuar që kjo shoqëri ka evoluar dhe rri në këmbë, sepse tolerojmë njëri-tjetrin”, shtoi kryebashkiaku.

veliaj

 

Një falenderim të veçantë, kreu i Bashkisë e bëri për të gjithë ata që shërbejnë në komunitet dhe përfaqësuesit e besimeve fetare.

“Unë jam duke mbyllur 4 vite shërbimi në këtë qytet, e shumë prej atyre që drejtojnë xhamitë sot këtu më kuptojnë më mirë se kushdo tjetër, se puna me njerëzit është një nga punët më të vështira. Njerëzit kanë ego, kanë aspirata, ambicie, inate, njerëzit janë si këto enët e qelqit që po shërbejmë sot, në momentin që marrin një krisje, nuk ngjiten më. Për të gjithë ata që drejtojnë punën me njerëzit e kuptojnë sesa e vështirë është, prandaj meritojnë respekt maksimal”, tha Veliaj.

Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra tha se muaji i Ramazanit është muaji i drejtësisë dhe theksoi se një shëmbëlltyrë e këtij bashkëshërbimi frymor dhe fizik janë edhe të gjitha mensat sociale ku është shërbyer ndaj njerëzve në nevojë. “Bashkëvëllai im, shërbëtori i parë i Tiranës jo pa qëllim tha se iftaret nuk janë thjesht sofra të përbashkëta të ushqimeve me pjata të ndryshme, por së pari janë sofrat e zemrave, e bashkëvëllazërisë tonë bujare, fetare dhe tradicionale kombëtare, janë një dëshmi e gjallë se ne kemi shumëçka për të bërë dhe për të ndarë me njëri-tjetrin. Muaji i Ramazanit është muaji i drejtësisë. Po ashtu, një shëmbëlltyrë e këtij bashkëshërbimi frymor dhe fizik janë edhe të gjitha mensat sociale ku kam pasur rastin që të ndaj një drekë, një darkë apo iftare me njerëzit”, tha Gurra.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura