Kritikat ndaj SPAK, Fatmir Xhafaj kap “mat” Manjën: Ndalohen rekomandimet për çështje konkrete

May 14, 2022 | 10:12
SHPËRNDAJE

MARIGLEN KUME/ Deklaratat e Kryeministrit Rama dhe të ministrit të Drejtësisë javët e fundit drejtuar SPAK-ut për të hetuar ish-Kryeministrin Berisha dhe Presidentin Meta kanë shkaktuar reagimin e ish-kryetarit të Komisionit të Reformës në Drejtësi, Fatmir Xhafaj.

Manja-ne-komisionin-e-ligjeve

Reagimi erdhi pasi ministri Manja mbrojti në Komisionin e Ligjeve qëndrimin e tij duke argumentuar se nuk kishte ndërhyrë në pavarësinë e prokurorëve.

“Reforma në Drejtësi këtë kishte si qëllim: Garantimin e pavarësisë së sistemit të drejtësisë nga politika. Mos të bëjmë histori se ka periudha që keni qeverisur ju dhe tani që qeverisim ne. Kishte një periudhë kohe ku prokurorët rrinin në paradhomat e Kryeministrisë, ministrit dhe drejtorive. Secili nga pushtetet të bëj detyrën që i ka ngarkuar Kushtetuta.

Ne do duhet të dallojmë pavarësinë në dhënien e vendimmarrjes me performancën institucionale të sistemit të drejtësisë. Nëse ju gjeni një rast kur unë si ministër i Drejtësisë ka ndërhyrë në një hetim apo ka kërkuar të hetohet ky apo ai unë jam gati të them po.

Por, t’i kërkosh Prokurorisë që të jap përgjigje se bëhet me 4 çështje që thotë se i kam regjistruar si vepra penale këtu e dy vjet unë besoj se kjo lidhet me detyrat që ka Këshilli i Ministrave. Nëpërmjet ministrit të drejtësisë adresohen rekomandimet mbi organet e sistemit të drejtësisë”, tha Manja.

REAGIMI

Kundërpërgjigja ministrit të Drejtësisë i erdhi nga kolegu i tij brenda së njëjtës forcë politike.

Fatmir Xhafaj duke iu referuar nenit konkret të ligjit i kujtoi Manjës se Këshilli i Ministrave përmes ministrit mund të bëj rekomandime, por jo për të nisur procese për një çështje konkrete.

“Neni 103 i ligjit 97 i vitit 2016 që parashikon qartë të drejtën e Këshillit të Ministrave për të bërë brenda datës 31 mars të rekomandimeve. Këto rekomandime janë të Këshillit të Ministrave. Së treti që ministri i prezanton këto rekomandime te prokurorët.

Së katërti, rekomandimet fokusohen vetëm tek gjendja e kriminalitetit dhe lufta ndaj krimit. Së pesti se ndalohen rekomandimet për të proceduar ose jo për çështje konkrete. Së gjashti detyrimin e Këshillit të Ministrave përmes ministrit të Drejtësisë për të ndjekur zbatimin në vazhdimësi të rekomandimeve.

Këto janë elementët e parashikimit të qartë të kësaj dispozite. Sipas meje, ky është viti i tretë i institucioneve të reja. Reforma tashmë është formësuar dhe kemi rezultatet e para. Ka qenë dhe është momenti për një analizë më të thelluar për të kuptuar problematikat dhe për të reflektuar ndaj tyre dhe për të modifikuar qasjen tonë në këtë proces”, tha Xhafaj.

© Panorama.al

Te lidhura