Kosova pa Ramush Tahirin

Aug 18, 2021 | 9:35
SHPËRNDAJE

leonidha-mertiri-150x150

LEONIDHA MËRTIRI

E pesta ditë pa Ramush Tahirin. E pabesueshme ikja e tij e parakohshme. Dhimbja është e thellë. Boshllëku që na la po ashtu. Por sëmundja e rëndë nuk të pyet. Ia rrëmbeu familjes, Kosovës, neve – shokëve dhe miqve të tij… Edhe para saj, Ramushi ynëkurajoz e me dinjitet. Ashtu siç ishte ai, pa e dhënë veten para kësaj beteje të egër e tinzare, edhe pse e dinte kë kishte përballë. Shtatë ditë para ndarjes nga jeta, mesazhit tim sesi ishte ato dy-tri ditë, iu përgjigj si gjithnjë, si të mos kishte asgjë: “Mirëmëngjesi Leonidhë. Mirë jam. Të fala të gjithëve”. Ishte mesazhi i fundit. Edhe pse në gjendje të rëndë.

Isha me fat që e njoha atë tridhjetë vite më parë. Dhe tani, tepër e vështirë të mësohesh me mungesën e tij… Ishte viti 1992, kur unë, duke mbuluar sektorin e Kosovës në Ministrinë e Punëve të Jashtme, do të prisja dhe shoqëroja në takimet me autoritetet vendase zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Mbrojtjes në Qeverinë e Kosovës në egzil, Ramush Tahiri. Rreth një vit më vonë, me emërimin tim si Përfaqësues i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, me hapjen e Konsullatave nga të dyja palët, tani do të takoheshim aty. Deputetë të Kuvendit të Kosovës, që shpallën në Kaçanik Kushtetutën e Kosovës, duke u ndjekur nga regjimi i egër serb, u strehuan në Shkup. Me ta ishte dhe Ramush Tahiri. Askush prej tyre nuk mund të hynte në Kosovë. Kurrë nuk më mungoi shkëmbimi i mendimeve me të për çështje shumë të rëndësishme të situatës në vend, të marrëdhënieve dy dhe shumëpalëshe të Shkupit me vendet fqinje, por dhe për probleme me karakter më të gjerë.

Në këto vite të vështira, Ramush Tahiri do të humbiste prindërit e tij të dashur. Dhe pse jo shumë larg tyre, nuk mundte t’u jepte njerëzve të tij të shtrenjtë lamtumirën e fundit. E kam ndjerë nga afër hidhërimin e tij të thellë, ndjeshmërinë e natyrshme, por kam parë dhe forcën e karakterit përballë situatave të tilla.

Kështu, edhe në vitet që do të vinin, do të shiheshin vazhdimisht tek ai vlerat më të mira intelektuale, një politolog dhe analist i mprehtë i zhvillimeve politike dhe atyre në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, me vizion të qartë për të sotmen dhe të nesërmen e Kosovës dhe të kombit tonë në tërësi. Dhe gjithmonë me kurajë për denoncimin e së keqes dhe për t’i thënë gjërat kurdoherë hapur.

Pesë ditë pa politologun, analistin e njohur, pa ish-gazetarin e “Rilindjes” dhe redaktorin përgjegjës të saj, pa ish-këshilltarin politik të Kryetarit të Parlamentit dhe më vonë të Presidentes së Kosovës, njeriun aktiv në proceset më të rëndësishme në vend, në jetën publike në Kosovë, përmes pjesëmarrjes së tij në të, opinioneve dhe analizave.

Me ndikim në politikën e Kosovës, por dhe te njerëzit që e donin dhe besonin tek ai. Fjala e tij zinte vend, sepse Ramush Tahiri, i urtë, i mençur, i pastër në çdo gjë, gjithmonë ishte në këmbë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, pavarësisht rreziqeve që nuk iu ndanë asokohe nga pushteti i egër serb.

Dhe kurdoherë- i kthjellët në mendime, me vizion të saktë për të ardhmen e Kosovës. Të gjitha këto, i kemi parë dhe ndierë gjatë tërë këtyre tridhjetë viteve. Të habiste vizioni i tij, i ngritur mbi themele të një përvoje të pasur dhe të jashtëzakonshme. Teksa fliste për Kosovën, për Shqipërinë, për çështjen shqiptare, sytë, që rrezatonin dukshëm mirësi, sikur i merrnin më shumë dritë.

E lodhnin mllefet, dasitë me njëri-tjetrin, por kurrë nuk e kemi parë me optimizëm të rënë, rrënjët e të cilit ushqeheshin nga dashuria për Kosovën, për bashkëkombësit. Një dashuri pa fund, përballë çdo sakrifice. I mirë në gjithçka Ramush Tahiri. Ndaj dhe ishte i suksesshëm si autor dhe bashkautor në politikëbërje. Ndër intelektualët më të shquar.

Ne, shokëve dhe miqve të tij, por dhe më gjerë, nuk mund të mos na binte në sy diçka që, qoftë dhe një herë të fliste për interesat e veta dhe jo më t’i kërkonte ato. Dhe kur mbi tre muaj më parë u diktua sëmundja e pabesë dhe marrja e pasaportës shqiptare ishte e nevojshme për marrjen e vizës në një nga vendet e Perëndimit për vizitë mjekësore, atij i dukej se rëndonte njerëzit dhe pse shëndeti vinte duke u keqësuar.

Nëpunësit e Presidencës së Shqipërisë bënë veshin të shurdhër para dokumentacionit të rregullt dhe përpjekjeve të shokëve për të marrë këtë pasaportë. Dhe për kë? Për Ramush Tahirin, i cili në kohë të vështira ishte interesuar me organet kompetente në Shqipëri, për pajisjen sipas të gjitha rregullave me pasaportë shqiptare të bashkëkombësve të tij në Kosovë.

Vetë nuk e kishte marrë, edhe pse i kishte të gjitha mundësitë. Ramush Tahiri besonte te demokracia, zhvillimit të së cilës i kontribuoi deri në minutat e fundit të jetës. Brilant përherë, me një kulturë që binte në sy, tepër të admirueshme dhe me vlera shumëdimensionale. Gjithçka në shërbim të çështjes kombëtare.

Kush e ka ndjekur atë në debatet, analizat, intervistat e shumta në mediat vendase dhe të huaja, i ka vënë re lehtësisht ato, të mbështetura në argumentet që sillte për proceset politike, jo vetëm në vend, por dhe ndërkombëtare, në rajon dhe më tej. Pesë ditë që Ramush Tahiri prehet në tokën e Kosovës që e deshi aq shumë, në Dramjak të Ferizajt, pranë prindërve të vet.

Ramush i dashur, do t’i mungosh ndjeshëm Kosovës, ne të gjithëve, shokëve dhe miqve të tu të shumtë.

Pushofsh në paqe, vëlla dhe mik i shtrenjtë!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura