Kosova dorëzon raportet për fizibilitetin e vizat

Aug 31, 2012 | 19:07
SHPËRNDAJE
Ministrja e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku

Qeveria e Kosovës dorëzoi të premten kontributin final për Studimin e Fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, ndërsa të shtunën do të dorëzojë edhe raportin e gatishmërisë për procesin e liberalizimit të vizave.

Kështu ka njoftuar Ministria e Integrimit Evropian sipas së cilës, raporti final i dorëzuar të premten paraqet aktin përmbyllës dhe kontributin final të institucioneve të Kosovës. Ky raport sipas ministres, Vlora Çitaku përmbledh progresin e arritur në periudhën qershor – shtator.

“Në përgatitjen e raportit kanë kontribuar të gjitha institucionet shtetërore dhe raporti paraqet progresin e arritur në miratimin dhe zbatimin e legjislacionit, avancimit të kapaciteteve institucionale dhe përafrimin me legjislacionin dhe politikat e Bashkimit Evropian”, thuhet në njoftim.

Gjatë takimit të Këshillit të Bashkimit Evropian të 28 shkurtit 2012, Këshilli ka marr parasysh mendimin e Komisionit Evropian për fillimin e Studimit të Fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës.

Në këtë drejtim me 7 maj 2012, Komisioni Evropian ka dorëzuar Qeverisë së Kosovës pyetësorin për përgatitjen e Studimit të Fizibilitetit, ndërsa me 18 maj 2012, Komisioni Evropian ka dorëzuar pyetje shtesë.

Me 8 qershor 2012, Qeveria në afro 2,000 faqe ka dorëzuar në Komision Evropian përgjigjet në pyetësorin për Studimin e Fizibilitetit.

Gjatë 18 – 22 qershor në Kosovë ka qëndruar misioni fakt-mbledhës i cili ka mbledhur fakte rreth gjendjes në vend në raport me mundësinë e zhvillimit të mëtejmë të procesit të Stabilizim Asociimit, gjegjësisht të negocimit dhe implementimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.(zeri)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura