Korkuti: Arkeologjia në mjerim, nuk mbështetet nga shteti

May 18, 2011 | 9:10
SHPËRNDAJE
Arkeologu dhe studiuesi Myzafer Korkuti

Kur njeriu mbush 75 vjeç, ka se ç’të kujtojë. Arkeologu dhe studiuesi Myzafer Korkuti ka kaluar plot 50 vjet nga ekspedita në ekspeditë, mbi rezultate e studime.
Nuk ka arsye për të mos u ndierë i kënaqur, ai është një ndër emrat më të njohur të arkeologjisë shqiptare, megjithatë, ai nuk mund t’i kalojë pa u shqetësuar zhvillimet më të fundit në këtë sektor. Dje, në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave, në 75-vjetorin e lindjes së tij, Korkuti prezantoi para kolegëve dhe miqve monografinë e tij “Qytetërimi neolitik dhe eneolitik në Shqipëri”. Rezultati i një pune të gjatë kërkimore dhe studimore. Teksa shprehu kënaqësinë e një pune 50-vjeçare, Korkuti nuk mund të mos vinte në dukje edhe faktin që kohëve të fundit arkeologjia ka dalë prej vëmendjes së shtetarëve. Financimet janë të ulëta, asgjë nga financat e grumbulluara nga shitja e biletave në parqet arkeologjike nuk shkon për gërmime… madje situata është aq mjerane, saqë nuk gjenden dot paratë për të bërë një botim në gjuhë të huaj të “Enciklopedisë Shqiptare”, qoftë edhe për t’iu përgjigjur maqedonasve që në enciklopedinë e tyre i kanë nxjerrë shqiptarët “njerëz të zbritur prej maleve”.

Sapo keni botuar monografinë “Qytetërimi neolitik dhe eneolitik në Shqipëri”, përse ky fokusim në këtë periudhë?
Ishte koha kur punohej për hapjen e kanalit për tharjen e Kënetës së Maliqit. Draga e ekskavatorit ra në gjurmët e gjetjeve të reja. Menjëherë atje shkon një grup i përbërë nga Frano Prendi, Zhaneta Andrea dhe unë, për të punuar gjatë dy muajve, në kushte shumë të vështira, për të shpëtuar atë çka ishte zbuluar nga ekskavatori e më pas, përgjatë 5 vjetëve, kemi punuar për shpëtimin e këtij vendbanimi që ka hyrë në histori si vendbanimi neolitik i Maliqit. Gjatë këtyre 5 vjetëve, fitova edhe profilin tim. Botimi është një përpjekje për të ndriçuar e zgjidhur disa nga problemet më të rëndësishme kulturore e kronologjike dhe hap rrugë për studime të tjera më të thelluara me karakter përgjithësues.
Ju mbushët 75 vjeç, mes të cilave 50 ia keni kushtuar arkeologjisë, si ka evoluar kjo fushë gjatë këtyre viteve?
Në të vërtetë është rritur shumë. Arkeologjia e provon veten në veprimtari të mëdha. Një provë ne e bëmë në vitin 1972, kur për herë të parë në Tiranë erdhën rreth 50 studiues të huaj, arkeologë të shquar nga e gjithë Europa. Mendimi i profesorëve të huaj ishte që arkeologjia shqiptare po hynte nga dera e madhe në arkeologjinë europiane. Prova e dytë, po kaq e madhe, ishin ndryshimet që ndodhën pas ’90-ës. Deri atëherë ne kishim punuar vetëm, nuk kishim bashkëpunim në gërmim dhe hapja e mundësive na dha privilegjin të punonim me studiues të huaj. E fillova ekspeditën e parë në bashkëpunim me Universitetin e Teksasit, pastaj me kolegë francezë, italianë, madje dhe sot, pas 20 vjetësh, kemi 15 projekte në bashkëpunim me të huajt. Duhet të them me plot gojën që niveli i arkeologëve shqiptarë ishte bashkëkohorë. Nëse në pikëpamje të laboratorëve, kolegët tanë kishin përparësi, në njohjen e materialit ne mbeteshim të zotët e shtëpisë dhe ata e kuptuan këtë. Kemi zhvilluar ekspedita shumë të frytshme dhe janë 15 vëllime me rezultatet e tyre, të botuara në gjuhë të huaja. Privilegji i sotshëm është që këto të dhëna i transmetohen edhe studiuesve të huaj.
Por kohëve të fundit duket sikur ritmet janë ngadalësuar, arkeologët ankohen për mungesa të financave…
Realisht jam i shqetësuar. Mundësitë financiare të shtetit tonë janë tepër të kufizuara. Nuk dua të ndalem në shembuj banalë, të tipit që shkohet pa dieta nëpër ekspedita. Ndryshimi i sistemeve solli vështirësi në drejtimin financiar. Arkeologjia ka nevojë për më shumë mbështetje. Po të kuptohet më në thelb, vlerat turistike të saj janë jo të pakta. Mjaft të marrim shembullin e Butrintit, ku venë shumë vizitorë e parku krenohet me këtë. Ai është djersa dhe mundi i arkeologëve që e zbuluan. Dikur ka qenë një ligj, që 50 % të biletave të shkojnë në favor të gërmimeve. Por nuk ndodh absolutisht asgjë dhe kjo nuk është e drejtë. Do të vijë dita që do të shteren fare financat dhe kjo do të bjerë mbi këto qendra arkeologjike, do të pakësohen turistët. Kështu që është e nevojshme që shteti të investojë më shumë. Por në pikëpamje të metodës, të studimeve, ka progres të vërtetë. Ne kemi një brez të tërë që ka mbrojtur Doktoraturën jashtë vendit, pra niveli është shumë i lartë.
Duket sikur nuk është më entuziazmi që ju keni pasur dikur, apo fakti që gjatë diktaturës edhe arkeologjia ishte pjesë e propagandës, e përqendronte vëmendjen kah saj?
Nuk dua të bëj krahasime sistemesh, sepse çdonjëri ka të mirat dhe defektet e veta, por në këtë drejtim, kultura ka ngecje dhe aq më pak shkenca. Nëse më parë ishim pjesë e Akademisë, tani Instituti i Arkeologjisë nuk është pjesë e studimeve arkeologjike dhe kjo e dëmton kërkim arkeologjik. Më vjen keq që të them se është një gjendje me të vërtetë të mjerueshme. Do të vijë koha që do ta kuptojnë që pa kulturë dhe pa këtë vlerësim të traditës, nuk e kemi të gjatë. Brezat e rinj duhet të mësojnë se ç’është ky vend dhe unë po ju them me kënaqësi që në tërësinë e librave që kam botuar, kam edhe disa për shkollën dhe për klasën e nëntë dhe të dymbëdhjetë dhe jam treguar i kujdesshëm që arritje tonat për lashtësinë ilire, për vlerat që ka, të transmetohen. Dhe, shumë i preokupuar, them se ne duhet ta përçojmë tek brezi i ri këto vlera të kulturës sonë…
Gjatë punës suaj jeni përpjekur që zbulimet arkeologjike t’i vini në shërbim të historisë, si i përgjigjeni tezave që shqiptarët jo detyrimisht janë pasardhës të ilirëve?
Tezat në këtë drejtim janë të tejkaluara. Nuk thuhet më që nuk vijmë nga ilirët, por ka teza të moderuara. Për shembull treva ku shtriheshin ilirët është ngushtuar shumë, janë rrudhur ilirët, ashtu si vjen dhe problemi për shqiptarët. Kjo është një vazhdimësi tendence për ta rrudhur gjeografikisht dhe etnikisht këtë trevë, deri sa ta çojnë në zhdukje, për ta trajtuar si një popullsi të zbritur nga malet që edhe mund të asimilohet. Një reflektim i kësaj është edhe enciklopedia maqedonase, por ne duhet që të tregojmë vlerat tona, sepse janë baza e historisë. Unë e ndiej si obligim këtë gjë. Akademia e Shkencave botoi tre vëllime të Enciklopedisë, një punë 10-vjeçare prej 3 mijë faqesh. Dëshira dhe përpjekjet tona serioze janë që këto tre vëllim t’i mbledhim në një të vetme në gjuhë të huaj, që të tregojmë shkencërisht se cili është ky truall, ky vend, traditat që kemi dhe se çfarë kontribut ka në fushën e kulturës ky popull. Por lexuesi i huaj duhet ta marrë në gjuhën e vet. Por në kohën kur privatët nxjerrin botime të tëra, Akademia nuk nxjerr dot një vëllim njëmijë-faqësh. Nxirreni vetë përfundimin…
Sot ka gjuhëtarë që ndiejnë boshllëkun e prejardhjes dhe vazhdimësisë së gjuhës shqipe, mundet që kërkimet tuaja t’i vinë në ndihmë?
Kush është studiues serioz, këtë moment e ka kapërcyer. Nuk mund të mohohet e të vihet në dyshim vjetërsia e shqipes. Në shkencë jo, në propagandë e politikë mund të ndodhë.

 

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura