Konkursi te “Luarasi”, shpallen inovatorët e rinj

May 30, 2019 | 9:00
SHPËRNDAJE

Pas një javë intensive trajnimi nga pedagogët e universitetit “Luarasi” janë shpallur maturantët me idetë më të mira inovatore në Drejtësi, Ekonomi dhe Teknologji Informacioni.

Maturantët pjesëmarrës në konkurs me stafin e universitetit
Maturantët pjesëmarrës në konkurs me stafin e universitetit

Midis 46 gjimnazistëve nga shkollat më të mira të kryeqytetit, projekti E-Gymnasium u finalizua me përzgjedhjen e tre më të mirëve në fushat që ofron “Luarasi”. Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, rektori prof.dr. Ethem Ruka dhuroi bursa për më të mirët. Një politikë favorizuese do të ketë edhe për pjesëmarrësit e tjerë, që do t’ia besojnë “Luarasit” studimet e larta.

“Maturantët që dëshirojnë të vazhdojnë në ‘Luaras’ kanë një paketë stimuluese. Qëllimi i projektit është të afrojë shkollat e larta me shkollat e mesme të Shqipërisë. Është një projekt, i cili do të zgjerohet. Uroj që kjo iniciativë që ndërmori universiteti ‘Luarasi’ të përmirësohet në përfitim të nxënësve dhe bashkëpunimit midis gjimnazeve e universitetit”. Jo vetëm për të inkurajuar maturantët e tjerë, zv.rektorja prof.asoc.dr. Anni Dasho Sharko vlerësoi punën e tyre, ndërsa vitin e ardhshëm do të jenë “ambasadorët” e këtij projekti në gjimnazet ku po mbyllin studimet.

2

“Për ne jeni të gjithë fitues, pasi jeni pjesë e ideve inovative, të cilat nuk do të ngelen vetëm këtu. Ne mendojmë që vitin tjetër ju të bashkëpunoni përsëri me ne. Pra, kudo ku mund të jeni, pranë nesh apo në universitete të tjera, ju do të jeni ata ideatorët që projektin tonë ta çoni në shkollat ku keni mbaruar”. Qëllimi i projektit të ndërmarrë nga “Luarasi” dhe Qendra FAB është eliminimi i hendeqeve midis arsimit të mesëm dhe atij të lartë, ku studentët e ardhshëm të ndihen sa më të familjarizuar me atë çka i pret pas gjimnazit.

ÇMIMET

Dekanët e tri fakulteteve ua ndanë çmimet gjimnazistëve, përkatësisht tre fituesve për çdo klub: Drejtësi, Ekonomi e Teknologji. Duke i dorëzuar çmimin e parë fitueses së esesë më të mirë, dekania e Fakultetit Juridik në universitetin “Luarasi”, prof.asoc.dr. Rezana Konomi, nuk kurseu këshilla për ata që do të studiojnë në Drejtësi. “Duke menduar që do jenë ata që do vazhdojnë studimet në profesionin e juristit, do t’iu uroja shumë mbarësi dhe suksese dhe shpresoj që ta duan këtë profesion dhe ta lëvrojnë atë me integritet dhe ndershmëri në të ardhmen”.

1

Për dekanin e Fakultetit të Ekonomisë, prof.asoc.dr. Mateo Spaho, përmes këtij projekti, urë lidhëse gjimnaz-fakultet, maturantët ia kanë dalë mbanë të mendojnë si profesionistë të ardhshëm. Pavarësisht faktit nëse rrëmbyen apo jo çmimin e parë, në njëfarë mënyre ata janë fitues.

“Tematikat që kishim vendosur ne ishin jo të thjeshta, por studentët ia kanë dalë mjaft mirë të krijojnë ese domethënëse, kanë shkruar problemin shumë mirë, madje dhe duke sugjeruar zgjidhje të mundshme”. Teksa i jepte çmimin e parë maturantit që arriti të krijojë në kohë rekord websit-in më të mirë, dekani i Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit dhe Inovacionit, dr.Indrit Baholli, nxori në pah një aspekt tjetër në këtë fushë, suksesin e vajzave në teknologji.

“Patjetër që teknologjia e informacionit mund të themi me plot gojën që është kryefjalë në ditët e sotme. Ne kemi femra mjaft të zgjuara, të cilat kanë ecur mjaft përpara në fushën e teknologjisë së informacionit”. Në fund të një projekti të lodhshëm, por interesant, edhe pedagogët që ishin pranë maturantëve që aspirojnë të jenë studentët e ardhshëm të “Luarasit” shprehin dëshirën që ky projekt të vazhdojë.

“Edhe për ne si pedagogë të ‘Luarasit’ ishte një eksperiencë shumë interesante, e cila na bëri të ishim edhe më pranë gjimnazistëve, duke qenë se ne i njohim me statusin e studentit. Ishte e vështirë, po aq sa e bukur dhe shpresojmë që të jetë shumë e suksesshme edhe për ta në vazhdim. Iu urojmë suksese gjithë maturantëve dhe i mirëpresim pranë fakulteteve tona në universitetin ‘Luarasi’”, thotë Julinda Gjika, pedagoge në Fakultetin e Drejtësisë.

MATURANTËT FITUES: ‘LUARASI’, ZGJEDHJE SHUMË E MIRË, UA SUGJEROJ DHE SHOKËVE

Pas ditësh të lodhshme e interesante për hartimin e projekteve, maturantët fitues shprehen entuziastë që ia dolën me sukses, duke mos harruar të falënderojnë pedagogët që kanë punuar me ta.

Në prag të plotësimit të Formularit A2 me preferencat e studimeve, “Luarasi” për ta është zgjedhja më e mirë. Henri Shaqia, fituesi në Klubin e Ekonomisë me esenë “Krijimi i vlerës së shtuar nga proceset e inovacionit”, fton edhe shokët e tij të bëjnë të njëjtën zgjedhje. “Kjo ishte një ndër eksperiencat më të mira. Nuk jam ndierë asnjëherë kaq mirë sa te ‘Luarasi’ dhe me pedagogët e këtij universiteti. Besoj dhe ua sugjeroj atyre që janë në moshën time të ndjekin universitetin ‘Luarasi’, sepse është një zgjedhje shumë e mirë”.

Jo më pak falënderuese është edhe studentja fituese në Klubin e Drejtësisë, Esmeralda Gjero, me esenë “Parimi i ndarjes së pushteteve”: “Falënderoj të gjithë pedagogët që na kanë ndihmuar këto ditë duke na dhënë leksione dhe duke e bërë sa më interesant gjithë rrugëtimin”. Ngjashëm shprehet edhe Daniel Stefani, që ka hartuar websit-in më të mirë. “Kam përshtypjet më të mira për këtë event, me mësues shumë të qartë që i falënderoj shumë. Po ashtu, edhe ‘Luarasin’ për organizimin e këtij eventi inovativ”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura