Konkurrencë e fortë te “Kënga Magjike”, cilët janë më të pëlqyerit deri tani

Dec 3, 2017 | 15:26
SHPËRNDAJE

Mbetet edhe një javë që “Kënga Magjike” të ngrejë siparin e një spektakli madhështor në “Pallatin e Koncerteve” për tre netë me rradhë. Nesër do njihemi me këngët e fundit në konkurrim dhe më pas, jemi gati për të shijuar edicionin e 19-të të një kompeticioni të cilin për hir të së vërtetës, të gjithë e presim me kënaqësi. Producenti dhe moderatori i Festivalit, Ardit Gjebrea, duket se nuk ka bërë ndryshime në strukturën e Festivalit për këtë vit. I ka krijuar mundësi të rinjve që të jenë në një lloj kompeticioni me njëri tjetrin, përballë një jurie që i gjykon dhe siç kemi parë edhe vitet e kaluara, numri i atyre që arrijnë të prekin skenën e festivalit, është i vogël, ndërkohë që në natën finale mund të shkojnë një deri në dy emra të rinj. Por le të flasim për këngëtarët Big, ata tashmë e kanë marrë feedback-un e publikut për këngët e tyre. Para se të kalojmë në emra konkretë, të përzgjedhur në këtë shkrim si më të pëlqyerit deri tani, duhet thënë se ajo që bie në sy këtë edicion, është që ka prurje shumë të mira. Ka këngë të bukura, emra të njohur dhe zëra gjithashtu të bukur, edhe rrymat e prezantuara janë të shumëllojshme.

Si janë vlerësuar këto këngë në youtube, që nga shikimet e deri tek komentet.

Kënga më e dëgjuar deri tani është ajo e Stresit, Anxhelo Koçit dhe Flor Bana, me titull “Sa herë e don”. Kënga ka marrë gati 3 milion klikime, duke konfirmuar kështu suksesin e rradhës të “Bad boy for life”, Stresit. Padyshim që kjo këngë i drejtohet një target grupi që janë kryesisht të rinj, ata që më së shumti e ndjekin muzikën në Youtube. Nesë nuk do të kemi ndonjë suprizë gjatë kësaj jave, me siguri kjo do të jetë kënga e çmimit të internetit, nëse ekziston akoma si çmim.

Një këngë shumë e veçantë është ajo e Kastro Zizos dhe Rea Nuhu me titull, “Pa faj”, me muzikë të Gramoz Kozelit dhe Kastro Zizos.

“Jeta kështu e ka, është e vështirë të jesh baba, goja ime këtë fjalë kurrë se tha”. – Këto janë disa nga vargjet e një kënge që mbart një mesazh të fortë, pasi trajton një temë sociale siç është ajo e fëmijëve me prindër të divorcuar, ku gjithmonë viktima janë fëmijët. Pa dyshim që Kastro do marrë ndonjë çmim të rëndësishëm në këtë kompeticion pasi paraqitja e tij është mjaft dinitoze dhe profesionale. Deri tani ka marrë 223 mijë shikime në youtube.

Stine mbetet brenda stilit të tij me këngë romantike, të “veshur” me një timbër zëri shumë të ëmbël, por kësaj here ka shtuar disa motive folk, duke krijuar shumë atmosferë. Prandaj kënga “Ma more zemën” do jetë një rast i mirë për të rritur adrenalinën e spektatorëve e pse jo, për të kërcyer të gjithë me Stinen. Edhe Stine ka patur mjaft sukses në youtube me 1 milion e 700 mijë shikime.

Samanta nuk ka patur kohë që ta popullarizojë këngën e saj, “Humbur” të kompozuar nga Kledi Bahiti, të cilën e prezantoi vetëm një javë më parë, por duket që është pritur mjaft mirë nga publiku. Në përgjithësi baladat e dashurisë janë të pëlqyera, pasi dëgjuesi shpesh gjen veten në ato tekste, prandaj e kemi parë aq shumë të postuar në facebook. Deri tani kënga ka marrë 230 mijë shikime në youtube.

Çiljeta gjatë gjithë karrierës së saj, ka ditur si të orientojë publikun me krijimet e saj. Në verë apo në raste festash, nuk kanë munguar asnjëherë këngët ritmike dhe komerciale, por kur ka ardhur puna për paraqitjet tek “Kënga Magjike”, ajo është prezantuar gjithmonë me këngë shumë profesionale. Kësaj here krijimi i Elgid Dodës “Hajmali”, ka qenë gjetja e duhur për Çiljetën e cila tashmë ka një karrierë të gjatë në muzikë dhe ndjekësit e saj presin shumë. Kënga deri tani ka 700 mijë shikime në youtube dhe komente shumë pozitive.

 Tre “musketieret” e “Kënga Magjike 2017”

Dhe së fundi një analizë për tre këngët të cilat duket se do jenë në një konkurrencë të fortë me njëra tjetrën për të fituar çmimin e parë të Festivalit “Kënga Magjike 2017”. “Musketierja” e parë është Elhaida Dani. Jemi çuditur shumë kur kemi parë Elhaidën të rikthehet në skenat e festivaleve shqiptare, pasi ka fituar “The voice of Italy”, ka dhënë mjaft koncerte në disa vende të Europës dhe mbi të gjitha, ka arritur të marrë nga Çiocante, rolin e Esmeraldës tek opera popullore “Notre Damme de Paris”. Duhet thënë se ajo është një nga veprat më të suksesshme të viteve të fundit ku realisht është fat të gjesh biletë një vit përpara, për ta ndjekur si spektatore. Mendoni çfarë fati është të jesh pjesë e asaj skene si personazh, fat që e ka tashmë Elhaida jonë. Prandaj prezenca e Elhaidës në “Kënga Magjike”, është padyshim një nder dhe një vlerë e shtuar në çdo aspekt. Kësaj here, nëse Elhaida merr çmimin e parë, ky do jetë një sukses të cilin ajo nuk do ta ndajë me askënd, pasi edhe muzika ashtu si teksti, janë krijime të saj. Deri tani kënga “Ngrirë” ka 33 mijë shikime në youtube dhe komente pozitive pa fund, jo vetëm nga shqiptarë, por edhe nga shumë vende të Europës.

Por nga ana tjetër duhet thënë se Elhaida, kur vendosi të rikthehet aty ku e nisi, në një skenë festivali shqiptar, mbase nuk e imagjinoi se në atë skenë do gjente edhe një tjetër “musketiere”, Fifin, një risi e muzikës shqiptare e cila në fillim erdhi nga Kosova në Tiranë, me pretendime modeste, duke kënduar në lokale live-i, më pas në programe televizive ku këndon edhe aty live. Mirëpo tek “Kënga Magjike”, ne mësuam dimensionin e vërtetë të një artisteje si Fifi, e cila ka një zë të shkëlqyer, një krijim gjithashtu të bukur të Kledi Bahitit me titull “Zhurmë”, bën vetë tekste dhe muzikë, madje në të njëjtin festival, konkurron edhe si kompozitore me këngën e Fjolla Morinës. Kënga “Zhurmë” ka marrë deri tani 2 milionë e 700 mijë klikime dhe komente pa fund, duke u konsiderur si një baladë drithëruese, e kënduar nga një këngëtare e talentuar, me një vokal të ëmbël dhe të fuqishëm në të njëjtën kohë. Pra në këtë aspekt, duhet thënë që dueli mes Elhaidës dhe Fifit, do jetë mjaft i fortë.

Dhe meqë thonë se nuk ka dy pa tre, në fakt konkurrencës së fortë të dy “musketiereve” i shtohet edhe “musketierja” e tretë, Anxhela Peristeri, një këngëtare e shkëlqyer, me një ngjyrë vokale shumë të bukur dhe kur bëhet fjalë për tu votuar nga kolegët, siç është formula tek “Kënga Magjike”, me siguri Anxhela do mbledhë goxha vota, pasi në ambientet artistike njihet si një vajzë e dashur dhe jo rrallë këngëtarët kanë votuar më shumë emocionalisht, jo vetëm profesionalisht. Gjithsesi, e parë në të dy aspektet, nëse do të votohej masivisht Anxhela, nuk do shkaktonte asnjë çudi pasi është një artiste profesioniste. Krijimi i Kledi Bahitit me titull “E çmendur”, deri tani ka arritur 240 mijë shikime në youtube.

Me pak fjalë, në garën e tre “musketiereve” të talentuara, shpatat janë prehur mirë, në një beteje të ethshme deri në notën e fundit. Ne i urojmë suksese të gjithëve, ndërkohë që me një çmim të parë të pa parashikuar kësaj here, natyrisht që gara do të dhurojë më shumë emocione për të gjithë.

Më të suksesshmit në Youtube

1.      Stresi & Anxhelo Koçi, Flor Bana “Sa herë e don” 3000000

 2.      Fifi, “Zhurmë” 2700000

 3.      Stine, “Ma more zemrën” 1700000

 4.      Çiljeta, “Hajmali” 700000

 5.      Elhaida Dani, “Ngrirë” 350000

 6.                 Anxhela Peristeri, “E çmendur” 240000

 7.      Kastro Zizos dhe Rea Nuhu, “Pa faj”, 223000

 8.      Samanta, “Humbur” 230000

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura