Konferenca e Donatorëve/ Shefja e BB në Shqipëri: 18 shkurti ditë e rëndësishme. E gjithë Shqipëria të jetë e bashkuar me Qeverinë dhe…

Feb 14, 2020 | 15:26
SHPËRNDAJE

Maryam-Selim

Drejtuesja e Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri, Maryam Salim, e cila do të jetë e pranishme gjatë Konferencës së Donatorëve në Bruksel, ka deklaruar se kjo ngjarje do të jetë një histori e suksesshme, për t’u ardhur në ndihmë familjeve të prekura nga tërmeti.

Sipas saj, e gjithë Shqipëria duhet të punojë e bashkuar, me qeverinë dhe partnerët e huaj.

Ju udhëtoni në Bruksel të hënën për Konferencën e Donatorëve të 17 shkurtit. Cilat janë pritshmëritë tuaja?

Ne mendojmë se do të jetë një konferencë e suksesshme. Përmes bashkëpunimit me Qeverinë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, ne mundëm të hartojmë një raport që krijon baza të mira për diskutime të hënën. Unë mendoj se do të kemi përfaqësim të mirë nga institucione të ndryshme. Doja të përmendja se Kryeministri i Shqipërisë kreu një sërë vizitash në vende të ndryshme për të kërkuar mbështetje dhe ai u prit shumë mirë. Në këtë vazhdë, ai gjithashtu pati mundësi  të takohej me Presidentin e Bankës Botërore Malpass dhe ata patën një diskutim shumë të mirë, ku folën për opsionet se si ne si një Grup Botëror mund ta mbështesim Shqipërinë. Kështu që shpresoj për më të mirën të hënën. Unë shpresoj që ne të dalim atje me fushat e prioriteteve se si mund të ecim përpara.

Në të vërtetë, mendoj se 18 shkurti, dita pas Konferencës do të jetë edhe më e rëndësishme, sepse kjo është dita kur me të vërtetë duhet të fillojmë të punojmë. Jo vetëm partnerët ndërkombëtarë, apo Qeveria, por është e gjithë Shqipëria që duhet të punojë e bashkuar për të ecur përpara për rindërtimin dhe rimëkëmbjen.

Vlerësimi i Nevojave pas Katastrofës (PDNA) është një metodologji dhe raport i miratuar nga Deklarata e Përbashkët e Komisionit Evropian, Agjencive të Kombeve të Bashkuara dhe Bankës Botërore, me të cilin ju keni punuar në të gjithë globin prej vitesh. Cili ishte roli i Zyrës së BB në Shqipëri në përpjekjen e përbashkët për hartimin e Raportit të Vlerësimit të Nevojave pas Tërmetit të 26 Nëntorit 2019, i paraqitur disa ditë më parë nga Qeveria Shqiptare, Delegacioni i BE-së, Banka Botërore dhe Agjencitë e Kombeve të Bashkuara në Tiranë?

PDNA u krijua si metodologji dhe raport së bashku me Bashkimin Europian, Agjencitë e Kombeve të Bashkuara dhe siç thatë, u nënshkrua disa vite më parë. Dhe jeni i saktë, ne kemi punuar në shumë vende për të hartuar një PDNA pas katastrofave. Ky është vlerësimi i parë që ne bëjmë për procesin e rindërtimit dhe rimëkëmbjes. Në Shqipëri, siç e dini, Milva Ekonomi ishte koordinatorja për të gjithë procesin, nën udhëheqjen e Ministrit Çuçi. Dhe kjo ishte shumë e rëndësishme, sepse nëse nuk keni  mbështetjen dhe udhëheqjen e Qeverisë, atëherë kjo nuk funksionon. Pastaj, nga ana e partnerëve ndërkombëtarë, secili nga ne ishte përgjegjës për të marrë drejtimin në sektorë të ndryshëm, duke punuar ngushtë me homologët në Qeveri. Nga ana e Bankës Botërore, ne  ishim përgjegjës  për vlerësimet e ndikimit makro-ekonomik dhe shoqëror, si dhe në kapitullin e sektorit të strehimit.

Cili është mendimi juaj për ndikimin e tërmetit në ekonominë e Shqipërisë këtë vit dhe në vitin 2021?

Tërmeti i nëntorit ka ndikuar në parashikimet tona. Kështu Banka Botërore parashikon një rritje ekonomike 3.2 për qind për vitin 2020. Tani, më lejoni të theksoj gjithashtu se këto janë parashikime dhe vlerësime shumë paraprake. Këto bazohen në dëmet dhe humbjet për sektorët kryesorë. Kështu që, në fund të fundit, këto mund të rishikohen në ngritje, në varësi të faktit nëse Qeveria do të jetë në gjendje të mobilizojë shpejt si grantet dhe kreditë, për të mbështetur përpjekjet e rindërtimit, si dhe se sa shpejt fillojnë përpjekjet e rindërtimit. Kjo është arsyeja pse, siç thashë në përgjigjen e mëparshme, 18 shkurti do të jetë më i rëndësishëm, sepse ne duhet të fillojmë punën.

Në cilët sektorë të ekonomisë dhe shoqërisë shqiptare është përqendruar ndihma e Bankës Botërore për këtë vit?

Unë mendoj se ndoshta pyetja më e saktë do të ishte  “Në cilët sektorë të ekonomisë nuk është angazhuar Banka Botërore?”. Ne kemi pasur deri tani një angazhim shumë të gjatë, duke punuar me Shqipërinë dhe me Qeverinë e Shqipërisë. Aktualisht, ne kemi një numër projektesh që mbështesin Qeverinë përmes huave tona në energji, mjedis, në shëndetin publik, në rrugët, në turizëm, në sektorin e ujit, në sistemin e ujitjes, në shërbimet që ofrohen për qytetarët. Jemi duke zhvilluar me Qeverinë një program të ri të mbështetjes për të parë modernizimin e sistemit kombëtar të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve. Kohët e fundit kemi aprovuar një Program për Mbështetje Buxhetore, që është nënshkruar me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, program që mbështet reformat në fushën e barazisë gjinore. Është hera e parë që Banka Botërore realizon një Program të mbështetjes buxhetore për barazinë gjinore, një risi në nivel botëror. Në muajt e ardhshëm, ne do të angazhohemi me Qeverinë dhe partnerët e tjerë për të zhvilluar Strategjinë e ardhshme të Partneritetit për Shqipërinë, për të parë dhe vendosur se ku duhet të jenë përparësitë për vitet e ardhshme dhe cila do të jetë mbështetja jonë për qytetarët e Shqipërisë./EuroNews

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura