Koncesioni i TVSH do të kontrollojë të gjitha llogaritë e bizneseve

Jan 22, 2016 | 8:09
SHPËRNDAJE

Koncesionari që do të merret me administrimin e tatimit mbi vlerën e shtuar do të ketë rrjedhimisht informacion mbi të gjitha bizneset në Shqipëri. Dhënia te privati e menaxhimit të TVSH-së nuk ka të bëjë vetëm me fitimin e kompanisë private, por me rrezikun e krijimit të një situate të paprecedentë.

Cani1Informacionit që i jepet një biznesi mbi të paktën 100 mijë biznese të tjera. Kjo është arsyeja pse tatimet janë një e drejtë sovrane e qeverisë, dhe pse koncesioni i taksave është rasti unik dhe më i rrezikshëm. Këto nuk janë komente të ndonjë eksperti të pavarur.

Janë reagimi zyrtar i Ministrisë së Financave, pasi mori në shqyrtim propozimin e pakërkuar nga një firmë e huaj për administrimin e sistemit të TVSH-së. Në një shkresë të botuar nga revista “Monitor”, shtatorin e kaluar, zyrtarët e Financave e kishin hedhur poshtë propozimin e ardhur për koncesionin e TVSH-së.

SHKRESA E FINANCAVE

Sipas shkresës së botuar nga “Monitor”, Financat kanë qenë kundër këtij koncesioni. Ai ka ardhur si propozim i Ministrisë së Ekonomisë dhe Drejtorisë së Tatimeve, por Memo dërguar Canit qartësisht është kundër kësaj forme të mbledhjes së të ardhurave.

“Kjo formë nënkupton ndryshim të sistemit aktual dhe delegim i autoritetit publik për sa iu përket tatimeve te privati, vë në dyshim shumë elementë dhe qëllime të sistemit aktual që lidhen me rrezikun e keqadministrimit dhe keqpërdorimit të të dhënave, zhveshjen e shtetit nga autoriteti kryesor i mbledhjes dhe administrimit të të dhënave, dhe do të ngrejë pikëpyetje të mëdha për sa i përket sistemit të ankimeve ndaj vlerësimeve tatimore etj., lidhur me subjektin që do të jetë palë e paditur nga tatimpaguesit që ankohen dhe me marrëdhëniet detyrimore koncesionar-shtet-tatimpagues. Po ashtu, është shumë e diskutueshme zgjidhja e propozuar lidhur me pronësinë mbi asetet, pas përfundimit të koncesionit”, thuhet në shkresën e Financave.

NDRYSHIMI I FINANCAVE

Kjo shkresë nuk është e tanishme, por e të paktën një viti më parë, kur Financat ishin kundër. Habitshëm Cani dhe drejtuesit e tjerë të Financave kanë ndryshuar mendim, dhe e konfirmuan vetë publikisht për gazetarët, jo vetëm kërkesën për dhënien me koncesion, por edhe konfirmimin e këtij akti.

Kontrolli me anë të sistemit të ri të kompanisë private, të të gjitha transaksioneve të biznesit, sigurisht që do të ishte një informacion shumë i vlefshëm për konkurrencën në treg. Habitshëm, qeveria ka një histori jo fort të pastër me kontrollin e të dhënave tatimore. E filloi mandatin e saj me një skandal të vjedhjes së serverit të Tatimeve dhe sot po jep me koncesion kontrollin e të dhënave të biznesit.

Ndoshta për ta ligjëruar këtë kontroll. Financiarisht është qesharake që qeveria të japë me koncesion një shërbim të tillë. Investimi që do të bëjë kompania private është 9.57 milionë euro. Për ta qartësuar, Tatimet mbledhin në një vit 1.1 miliardë euro. Nga TVSH-ja rreth 300 milionë USD.

Kuptohet lehtësisht sa qesharak është investimi në sistem prej 9.57 milionë eurosh. Për të kuptuar se qeveria po ndan paratë e taksave me privatin, vlen edhe një shifër tjetër. Deri tani në tatime janë investuar rreth 15 milionë USD për një sistem informatik. Para nga buxheti.

DORINA AZO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura