Komisioni Hetimor për zbulimin e ndërhyrjeve në ‘TIMS’ i rikthehet konsensusit, miratohen kërkesat për informacion drejtuar institucioneve

Apr 19, 2024 | 10:48
SHPËRNDAJE

Komisioni Hetimor për trajtimin e të dhënave të sistemit TIMS, i është rikthyer normalitetit. Në mbledhjen e kësaj të premteje (19 prill) është votuar dhe miratuar kërkesat për informacion ndaj institucioneve.

Kërkesat për informacion, të përgatitura nga eskpertët, do t’u dërgohen Besnik Dervishit- komisioner për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Taulant Ballës-ministër i Brendshëm, Muhamet Rrumbullakut-drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, kreut të SPAK Altin Dumanit dhe institucioneve të tjera, informacionet nga të cilët i shërbejnë hetimit parlamentar.

Deputeti socialist Nasip Naço ka kundërshtuar tre pika nga kërkesa drejtuar Altin Dumanit, duke thënë se po i bëhet presion Prokurorisë së Posaçme.

“Në lidhje me kërkesën drejtuar Altin Dumanit, votova kundër dhe nuk isha dakord me pikën dy të kësaj kërkese, sepse  e dyta kundërshton të parën. Te pika e tretë jam dakord sepse është një informacion i përgjithshëm.

Te pika katër, mendoj se e kemi tepruar sepse Prokuroria nuk do na japë asnjë emër për gjërat që ju kërkoni. Ka të bëjë me sekretin hetimor, dhe kërkoj që të mos vihet, ose të ishte më e moderuar, sepse e vini nën presion SPAK për të dhënë e hetimit që nuk ka për t’ua dhënë.

Ajo që nuk ka vend fare është pika e pestë, pasi duket sikur po hetojmë SPAK. Nëse hiqen këto tre kërkesa, e votoj”, tha Naço.

Në përgjigje, Ervin Salianji: “Nuk po çojmë bomba, por kërkesa për informacion. Çdo institucion, në zbatim të ligjit, kthejnë përgjigje. Është në tagrin e tyre të përcaktojnë cili është kufiri për të kthyer përgjigje”.

 

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura