Klajda Gjosha, zv.ministre e Punës dhe Çështjeve Sociale: “Politika ka qenë gjithnjë në interesat e mia”

Jan 14, 2013 | 13:13
SHPËRNDAJE

Vetëm pak javë nga emërimi si zv.ministre në Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Klajda Gjosha, njëkohësisht kryetare e Lëvizjes së Gruas për Integrim, tregon angazhimin e saj në luftën kundër dhunës ndaj gruas. Shkollimi, hyrja në politikë dhe posti në Ministri.

Kanë kaluar vetëm tri javë që kur Klajda Gjosha është bërë zëvendësministre në Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta (MPÇSSHB). Është ende nën hutimin e një mijë e një të trokiturave, që vijnë në zyrën e saj e telefonatave të pafundme që një post si i saji i ka të paevitueshme. Portreti i ëmbël (vazhdimisht e buzëqeshur) i Klajdës të tregon vetvetiu se karriera e saj mirëfilli politike sapo ka nisur. Nuk duket asnjë tipar agresiv, me tendenca burrërore, që jemi mësuar të shohim në portretet e politikaneve femra në Shqipëri. Sidoqoftë, pavarësisht postit ku sapo është emëruar, për Klajdën janë bërë tashmë disa vite që është pjesë e politikës, konkretisht LSI-së, ku është anëtarësuar që prej vitit 2008, fare pak kohë pasi ishte rikthyer nga studimet e saj për Politikë dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, në Angli. Sepse politika, bashkë me karrierën në të, ka qenë gjithnjë synim kokëfortë i Klajdës, që duket se pak nga pak po ngjitet në shkallët e duhura.

Së pari të flasim për emërimin e ri si zëvendësministre. Si është kjo përvojë e re?
Për mua është përvojë e veçantë, duke qenë se është hera e parë që mbaj pozicion kaq të lartë. Është përgjegjësi shumë e madhe, por në të njëjtën kohë përshtatet plotësisht dhe me pozicionin tim partiak si kryetare e Lëvizjes së Gruas për Integrim. Unë mbuloj kryesisht fushën e barazisë gjinore dhe shpresoj që të vë në jetë të gjithë vizionin tim për fuqizimin ekonomik të grave, për pjesëmarrjen e tyre në arenën politike dhe për të luftuar një nga fenomenet më të vështira që ka prekur shoqërinë tonë, dhunën ndaj grave dhe vajzave.
Si dhe sa ka ndryshuar dita juaj që prej këtij emërimi?
Dita ime ka një ndryshim rrënjësor, duke menduar se unë vij nga një familje e thjeshtë dhe tepër e përkushtuar. Kam pasur gjithmonë një jetë normale me një angazhim, ku në fokus ka qenë puna, familja dhe shoqëria. Sot mund të them se 80% e ditës sime i dedikohet pozicionit tim si zv.ministre e MPÇSSHB dhe gjithashtu pozicioneve partiake, të cilat kërkojnë një hapësirë të madhe kohore për të qenë sa më pranë njerëzve, për t’i dëgjuar ata dhe për t’u dhënë zgjidhje problematikave të tyre. Megjithatë mundohem të gjej gjithmonë kohë për njerëz të afërm të familjes dhe për shoqërinë, të cilët luajnë një rol shumë të rëndësishëm në jetën time. Janë pikërisht këta dy komponentë që më japin forcë për të vazhduar më tej dhe për të mos u ndalur, pavarësisht lodhjes.
Si mori drejtim politik karriera juaj… pra, si u përfshitë në të?
LSI ka qenë partia e parë dhe e vetme në të cilën unë kam bërë pjesë dhe më vjen mirë që zgjedhja ime ka qenë e drejtë jo vetëm në pikëpamjet politike, por edhe në ambientin tepër miqësor që mbart LSI brenda saj. Jam anëtarësuar në vitin 2008 dhe kam qenë një anëtare relativisht e re, duke menduar që LSI është themeluar që në vitin 2004 e megjithatë arrita të përshtatesha mirë brenda strukturave, gjë e cila solli dhe zgjedhjen time si kryetare të LGI-së. Është një pozicion tepër i lartë dhe për mua do të thotë nder dhe përgjegjshmëri e madhe. Drejtimi politik që unë zgjodha, nuk është gjithmonë vendim i thjeshtë dhe privat. Patjetër që mbështetja ka qenë shumë e madhe si nga shumë anëtarë të LSI-së, por kryesisht nga lideri i kësaj force, z.Meta.
Të kthehemi te koha e studimeve, përzgjedhja e degës në universitet, aspiratat tuaja, ndikimet që mund të kenë pasur familjarët… të gjitha këto, të para me syrin e atëhershëm, premtonin të sillnin deri këtu ku jeni sot?
Zgjedhja e degës për studimet universitare dhe pasuniversitare nuk kanë qenë rastësore. Unë kam qenë gjithmonë e bindur se politika ka qenë fusha e duhur për mua dhe ku unë mund të përshtatesha më shumë. Kam studiuar në Britaninë e Madhe për Politikë dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe me pas studimet “Master” për Studime Europiane. Familja ime nuk ka qenë kurrë imponuese, përkundrazi ka mbështetur në çdo hap dëshirat dhe prirjet e mia. Mund të them se babai im ka qenë gjithmonë mbështetësi kryesor i imi, duke e shoqëruar këtë me një kërkesë të lartë llogarie ndaj rezultateve të mia. Edhe pse unë sot mbaj një pozicion kaq të lartë, ai vazhdon ende të jetë pjesë e arritjeve dhe e punës sime të përditshme. Besimi që unë kam në vetvete, vendosmëria dhe mbështetja e madhe e të gjithë njerëzve që më rrethojnë, patjetër që premtonin të sillnin një sukses në karrierën time profesionale.
Kur dhe pse u kthyet nga Anglia, ku studiuat? Ç’terren prisnit të gjenit këtu?
Unë jam kthyer nga Anglia në 2006-n, kur përfundova edhe studimet “Master”. Në fillim kam qenë shumë skeptike dhe ndjenjat ishin të dyfishta. Shpeshherë isha e lumtur që do të vija pranë familjareve dhe shoqërisë sime dhe, nga ana tjetër, nuk e dija nëse do mundesha të përshtatesha sërish me mënyrën e jetesës dhe në përgjithësi me mentalitetin shqiptar. Por pas pak kohësh kuptova se Shqipëria është vendi im dhe jo vetëm që e kuptoj mjaft mirë situatën në të cilën ndodhet vendi dhe mënyrën e funksionimit të jetës, por u mundova ta alternoja atë me gjithë kulturën strikte britanike, të cilën e barta nga ai vend. Fakti që unë e kisha ruajtur me shumë fanatizëm shoqërinë e shkollës së mesme, më ndihmoi shumë të bëhesha menjëherë pjesë e rrjedhës së përditshme në Tiranë.
Cilat ishin përvojat e para të punëve këtu?
Pasi u ktheva në Shqipëri, kam punuar gjatë në administratën shtetërore, duke fituar kështu një eksperiencë të mirë në disa fusha, siç janë media, turizmi, punësimi dhe problemet sociale. Për sa i përket angazhimit partiak, siç e përmenda edhe me parë, unë jam pjesë e LSI që nga viti 2008 dhe detyrat politike kanë ardhur gradualisht pas një angazhimi tepër aktiv gjatë këtyre viteve. Sot unë jam kryetare e Lëvizjes së Gruas për Integrim dhe njëkohësisht nënkryetare e LSI.
A mendonit se nga ato përvojat e para, një ditë do të mbërrinit këtu?
Unë kam menduar gjithmonë se çdo eksperiencë do të më shërbente për diçka më të mirë. Askush nga ne nuk mund ta dijë se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, por e rëndësishme është që të gjitha detyrat e ndërmarra i kam bërë me pasion dhe përkushtim, duke u munduar të marr më të mirën nga çdo vend pune.

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura