“Kjo qeveri, më mirë ta harrojë shëndetësinë….”

Aug 16, 2018 | 12:28
SHPËRNDAJE

tritan shehuTRITAN SHEHU

Të them të drejtën, u befasova ndërsa një miku im, njohës i sistemit shëndetësor, para pak ditësh, gjatë një  takimi midis kolegësh, shqiptoi një shprehje të tillë, shumë domethënëse duke shtuar: “…derisa të largohet, sepse sa herë do të kujtohet e do të fusë duart në atë, veçse do ta përkeqësojë gjendjen”. Në pamje të parë, kjo mund të duket e çuditshme, si është e mundur t’i kërkohet një Qeverie ta “harrojë” sistemin shëndetësor të vendit të saj? Por, po të gjykosh më thellë, po të analizosh rrjedhën e zhvillimeve të sistemit tonë shëndetësor prej 2013-s, konstaton se sa e mençur dhe transmetuese është kjo shprehje e hedhur në një bisedë miqësore e të hapur.

Prandaj, menjëherë bëra një postim të shkurtër të saj, gjë që realisht nuk mjafton, por që kërkon disa rreshta më shumë, të cilat po ulem e po i publikoj sot. Për të qenë i sinqertë, dua të them në fillim se sistemi ynë shëndetësor nuk është se shkëlqeu edhe deri më 2013-n, veçanërisht ai spitalor e kryesisht për sa u takon politikave menaxhuese, indekseve të kostos, decentralizimit, cilësisë e larmishmërisë së shërbimit që ofronte, përzgjedhjeve të drejtuesve të institucioneve të tij, që me futjen “shqiptarçe” të konceptit jo realist për Shqipërinë, “menaxher”, veçse u dëmtua.

Por, sidoqoftë kishte sektorë, që u konsoliduan e u vunë në themele premtuese, si p.sh. sistemi ynë sigurativ, që, me gjithë timiditetin e hapave, po bëhej gati për “kapërcime” pozitive. Po kështu, ishte sistemi parësor, ku u rrit decentralizimi, duke u përgatitur për hapin e madh të kalimit drejt “profesionistit të lirë”, sistemi farmaceutik që u përqendrua më fort të siguria medikamentoze, edhe duke kufizuar me përmirësimet ligjore akseset e importeve nga vendet jashtë EMA dhe FDA. Po kështu, filloi të artikulohej qartë koncepti “spitali-ndërmarrje”, u krijuan dhe modele “pilote” për atë dhe indekset e kostos si në Durrës e diku tjetër.

Pra, megjithëse shumë ngadalë, jo me vendosmëri e dinamizëm, u zyrtarizuan ide e koncepte pozitive, që u artikuluan e filluan të implementohen duke dhënë disa rezultate, megjithëse larg asaj që duhej për një vend europian. Por ajo që ndodhi prej qershorit 2013, është vetëm një dizastër, një kthim mbrapa, një mungesë koncepti e strategjie reale, gjë që u shpalos nga Rilindja që gjatë asaj fushatë elektorale. U ndesha atëherë për herë të parë gjatë një debati politik me termin “shëndetësi falas” dhe e godita me forcë menjëherë. Në fakt, që atë çast, kuptova qartë mungesën e një vizioni të Rilindjes për shëndetësinë, dëshirën e tyre vetëm për “fasadë” e slogane, rrezikun e kolapsit të plotë të atij sistemi, që dhe deri atëherë qëndronte mbi “paterica”.

Më pas, jo vetëm që nuk konkretizuan asnjë alternativë progresive, por shpërthyen edhe me “mrekullitë” e tyre të mëdha. E para ishte tentativa e dështuar për të zhdukur edhe atë sistem rudimentar sigurimesh që ekzistonte në vend, më tej goditja e decentralizimit të parësorit, heqja e barrierave mbrojtëse të nevojshme për të pasur një nivel të pranueshëm sigurie medikamentoze në vend, duke “shqyer portat” për produktet nga vende e prodhues të origjinës të pasigurt etj., etj. Më tej, në fund të dhjetorit 2014, si dhuratë për Vitin e Ri, u ofrua me pompozitet “Check app-i” famëkeq i pasuar nga disa PPP të tjera shumë të dyshimta apo të papranueshme strategjikisht si dhe për raportin kosto\efektivitet të tyre.

Por, sidoqoftë, në krye qëndron ai ‘Check app’ me këtë raport jashtë çdo eficience, e me shpenzime gjigantë për buxhetin tone, që megjithëse unë dhe kolegë i argumentuam që ato ditë dhjetori këto; ishte si të flisje më “murin”. Siç duket, interesat i kishin ngurtësuar kaq shumë qeverisësit! Fatkeqësisht, koha na dha krejtësisht të drejtë neve për sa thamë. Kështu, çuditë vazhduan… megjithëse së fundmi termin “Shëndetësi Falas” e shpallën “heretik” vetë rilindësit. Të ngelur në këtë mënyrë pa “kalin e betejës” së tyre, ata tashmë filluan e vazhdojnë të kërkojnë “mekanizma të rinj”, nga më të çuditshmit apo dhe të dështuar këto në vendet e origjinës, duke rrezikuar t’i heqin edhe themelet e këtij sistemi.

Për pasojë, ky nuk mund të mos fiksohej si ndër më të varfrit në botë, me një financim rreth 22 herë nën mesataren europiane, me numër shtretërish sa gjysma e saj, me specialitete të ngushta rreth 10 herë më pak, me shërbime të tëra shumë të rëndësishme që nuk ofrohen te ne, me një tendencë koncentrimi të spitaleve vetëm në pak qendra të mëdha e jo vetëm duke lënë bosh periferinë, por dhe duke rritur pengesat burokratike të kontaktit të popullsisë me shërbimet e specializuara. Më tej, u arrit deri sa u kthyen mjekët “në një specie në zhdukje” me numrin e tyre 1,1 për 1000 banorë, shifër kjo katër herë nën të mesmen europiane.

Ndërsa lista e medikamenteve të rimbursueshme mbeti jo vetëm një nga më të shkurtrat, me rreth 440 principe aktive, e jo mjaftueshëm të rimbursuara në vlerë për popullsinë, por dhe me një nivel sigurie shumë larg asaj që duhet, veçanërisht kjo për zgjedhjet e para. E gjithë kjo tablo tregon që ky sistem jo vetëm nuk është përmirësuar sadopak siç duhej të ndodhte normalisht, por në të vërtetë është përkeqësuar në mënyrë galopante e progresive edhe për indekset kryesore të tij, për t’u renditur aktualisht të fundit në Europë dhe për “Kujdesin ndaj Pacientit”.

Megjithatë, ka diçka, për të cilën mund të krenohet kjo Qeveri, vërtet kështu jemi të fundit në Europë, por janë të gjitha premisat që se shpejti të kalojmë ndër të parët në një “kategori” tjetër, në atë të Afrikës Qendrore, tiparet e së cilës i ka marrë e po i konsolidon për çdo ditë sistemi ynë shëndetësor. Dhe për të influencuar në arritjen e këtij “objektivi ambicioz” u miratuan dy VKM-të e fundit radhazi, këto pikërisht për sistemin tonë shëndetësor.

E para ishte ajo për krijimin e “Operatorit Shëndetësor” kombëtar. Një “eksperiment” i ri për shëndetësinë tonë, krejt i kundërt me modelin që duhet implementuar te ne, i dështuar ky edhe në vendet ku është përdorur, por që tashti ose e kanë abandonuar, ose po përpiqen ta bëjnë ketë. Një model i tillë tashmë rekomandohet të ndërtohet në vendet e pazhvilluara, si ato të Afrikës Qendrore dhe që te ne do të “varrosë” sistemin sigurativ, (me i suksesshmi ne botën e zhvilluar), do të anashkalojë edhe Ministrinë e Shëndetësisë (që me “emrin” e ri që i kanë vendosur është larguar shumë nga shëndetësia), do centralizoje çdo gjë (spitalet e parësorin) në një dorë, do të dëmtojë më tej marrëdhëniet e brishta edhe sot publik-privat, do të bëjë të vështirë konkurrencën për të krijuar kështu premisa më të favorshme korruptive.

Nga ana tjetër, të gjitha këto do largojnë më shumë shërbimin nga qytetari edhe për shkak të thellimit të varfërisë ekstreme, që ne e kemi aktualisht në shëndetësi. Pra, në fund të fundit, ai që do të dëmtohet, do vazhdojë të jetë pacienti e qytetari. Sidoqoftë, e gjithë kjo ka diçka “pozitive” për qeverisësit, sigurisht jo për qytetarët; kjo rrugë zgjeron shumë hapësirat jo vetëm ato thjesht korruptive, por veçanërisht hap horizonte të reja e të gjera për të bërë realitet “ëndrrën” e madhe qeverisëse, atë të PPP-të.

VKM-ja e dytë që u firmos si dhuratë para pushimeve, pikërisht më 31 korrik, pra, kur Universiteti Mjekësor ishte mbyllur, në Qendrat Universitare, shumica e kolegëve ose ishin larguar me pushime ose do largoheshin ato ditë, larg vëmendjes se opinionit, pra, si skuthat, ishte ajo e Përzgjedhjes së Shefave të Shërbimeve Universitare. Ky dokument shpreh në vetvete një filozofi ‘Lei Fen’- iste ndaj intelektualizmit, vlerave, traditave, gjë që transmeton pa dyshim një “armiqësi” të fshehur ndaj të gjithë atyre që janë lartësuar nëpërmjet dijes, shkencës, studimit.

Për hir të së vërtetesës, dua të theksoj se dhe diktatura nuk arriti deri këtu, sa të trajtonte drejtuesit e këtyre shërbimeve me kaq arrogancë. Shefat e shërbimeve universitare mjekësore; edhe atëherë caktoheshin personalitete nga profesoriati, të elaboruar dhe të kultivuar keta, edhe pse mbasi në shumicë kalonin sitën politike. Sot, duke hequr edhe kriteret e Aneksit 1 të VKM-së së mëparshme, të miratuar po nga kjo e majtë, kur dhe vete ajo linte shumë hapësira subjektivizmi, “steka” e përzgjedhjes ulet përtokë.

Kështu, i hapen krejtësisht “portat” klientelizmit, politizimit, korrupsionit në përzgjedhje, mundësisë së mbajtjes së atyre nën presion, gjë që pa dyshim do të dëmtojë rëndë këto shërbime fondamentale në planin mjekësor, didaktik, shkencor e rrezatues për të gjithë sistemin. Dhe sa e sa shembuj, vendime, qëndrime të tjera ka, të marra këto ndaj sistemit tonë shëndetësor në këto vite, të cilat veçse e kanë dëmtuar rëndë atë, duke e bërë të vështirë edhe në të ardhmen korrigjimin e përmirësimin e tij, megjithëse jo të pamundur, nqs do të dihet të aplikohen me kreativitet modelet produktive, do të respektohet pozitivja e arritur, do të përfshihen në atë proces zhvillues mjekët, drejtuesit klinikë e universitarë të tij, të gjithë ata që kanë vlera e dëshirë për ndryshime.

Kjo batërdi që po ndodh nuk është përgjegjësi e personelit tonë mjekësor e universitar, siç duan të transmetojnë Rilindësit, duke tentuar të krijojnë një “urrejtje” të opinionit ndaj tyre. Është përgjegjësia e plotë dhe e vetme e atyre që qeverisin jo vetëm pa ditur ta bëjnë këtë, por edhe duke pasur vetëm një objektiv, përfitimet dhe vetëm përfitimet. Prandaj, kolegu im kur tha që.. “gjëja më e mirë që mund të bëjë kjo Qeveri është ta harrojë krejt shëndetësinë derisa të largohet…” veçse shqiptoi një të vërtetë, se është ashtu siç ai shtoi: “…sepse sa herë do të kujtohet e do të fusë duart në atë, veçse do ta përkeqësoje gjendjen”.

Dhe kjo nuk do të këtë limit. Tashmë q¡ jemi vendi i fundit në Europë edhe për parametrat kryesore të shërbimit shëndetësor, ka vetëm një “shpresë ngushëlluese”, ajo që përmenda më lart, që shumë shpejt të konkurrojmë në kategorinë Afrikano Qendrore, ku besoj se do të vendosemi në dhjetëshen e parë të saj, duke arritur kështu atë “sukses”, që u arrit në fund të viteve ‘80, kur u kurorëzuam me çmimin e parë për “Ushqimin e popullsisë”!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura