Karburanti i Kuvendit, Prokuroria mbyll dosjen

Nov 27, 2015 | 15:18
SHPËRNDAJE

Prokuroria nuk gjen elementë të veprës penale në shpenzimin e karburantit nga makinat zyrtare gjatë drejtimit të institucionit nga administrata e kaluar.

Sipas kallëzimit të bërë nga Kuvendi i Shqipërisë, ish-drejtori i Transportit në Kuvendin e Shqipërisë, Leonard Kraja, kishte shpërdoruar detyrën. “Ai ka ushtruar detyrën e Drejtorit të Shërbimit të Transportit në Kuvendin e Shqipërisë, gjatë periudhës kohore 21.06.2006 deri më datë 16.12.2013, ku dhe më pas ka dalë në pension të plotë pleqërie”, thuhej në kallëzimin që Kuvendi kishte bërë në prokurori.

Makinat e deputetëve te Parlamenti

Në vitin 2011 deri në vitin 2013, sipas kallëzimit, shërbimi në fjalë ka furnizuar çdo automjet në bazë të kuponëve të firmosur nga “Drejtori dhe Shoferi”, ku është përcaktuar sasia e karburantit për çdo furnizim, por pa verifikuar sasinë e karburantit të konsumuar.

Në padinë e vet, Kuvendi pretendonte më tej se Leonard Kraja nuk ka evidentuar sasinë e karburantit të konsumuar, duke mos administruar dhe mbajtur fletë udhëtimesh përkatëse dhe kilometrat e përshkuar nga automjetet, duke krijuar pamundësinë e verifikimit të destinacionit real të konsumit të karburantit.

PUSHIMI I HETIMIT Prokuroria e Tiranës për hetimin e procedimit penal ka administruar dokumentacionin që pasqyron konsumin e karburantit për kryesinë e Kuvendit dhe stafin e Kuvendit për periudhën kohore të muajve janar- shtator të vitit 2013.

Prokuroria ka marrë edhe dokumentacionin që pasqyron konsumin e pjesëve të këmbimit të automjeteve. Organi i akuzës ka pyetur në cilësinë e personit që tregon rrethana për hetimin edhe të kallëzuarin Leonard Kraja, me detyrën e ish-drejtorit të Shërbimit të Transportit.

Ka pyetur po me cilësinë e personave që tregojnë rrethanat e dobishme për hetimin edhe tre dëshmitarë të tjerë. “Nga analiza e të gjitha provave të grumbulluara, Prokuroria e Tiranës ka arritur në përfundimin se nuk ka elementë të veprës penale të shpërdorimit të detyrës”, thuhet nga burimet e prokurorisë.

Sipas tyre, gjatë hetimit është administruar në dosje edhe raporti i auditit i Kuvendit të Shqipërisë. Sipas këtij raporti, bëhet me dije nga prokuroria se nuk ka pasur vepër penale në veprimet e ish-drejtorit të Shërbimit të Transportit në Kuvendin e Shqipërisë.

KARBURANTI I KUVENDIT Në kallëzimin e bërë nga ana e Kuvendit të Shqipërisë theksohej se ka pasur parregullsi në furnizimin dhe konsumimin e karburantit nga makinat zyrtare.

Sipas kallëzimit, Kuvendi i Shqipërisë ka pasur në përdorim 18 automjete zyrtare që janë furnizuar me karburant nga buxheti i shtetit akorduar Kuvendit. Pasi prokuroria nuk ka gjetur elementë të veprës penale dhe ka vendosur mosfillimin e hetimit, mësohet se është njoftuar edhe Kuvendi i Shqipërisë.

Kallëzuesi nuk ka qenë dakord me vendimin e dhënë nga prokuroria për mosfillimin e hetimeve, duke bërë padi në gjykatë kundër vendimit të organit të akuzës. Në përfundim të gjyqit në Tiranë, togat e zeza mësohet se kanë vendosur të lënë në fuqi vendimin e dhënë nga prokuroria, duke pohuar se hetimet kanë qenë të plota. Gjykata mësohet se ka rrëzuar kërkesën e Kuvendit për rihetimin e çështjes.

 

TRAZHGIM SOKOLAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura