Kapet autori, vrau shokun për lekët e 3 dozave drogë

Nov 3, 2012 | 13:53
SHPËRNDAJE
Viktima Klodian Lumani

ELBASAN/ Autori i kishte borxh Klodian Lumanit 1500 lekë të hashashit.

Vrasja në Elbasan pasditen e së enjtes ndodhi pas debatit për lekët e tri dozave me hashash.  Policia e qytetit arrestoi dje 29-vjeçarin Saimir Muça, i akuzuar për vrasjen me thikë të Klodian Lumanit, 26 vjeç. Sipas Policisë, krimi u shënua në kohën kur Lumani kishte shkuar të takonte Saimirin, të cilin e kishte shok dhe të dy i lidhte shitja dhe konsumimi i lëndës narkotike e llojit Cannabis sativa. Nga të afërm të viktimës mësohet se mes tij dhe autorit të krimit kishte lindur një debat për një borxh që Muça i kishte atij. Bëhet fjalë për një borxh prej 1500 lekësh të rinj që autori i kishte viktimës si pasojë e blerjes së “mallit” nga ky i fundit. Klodian Lumani, i cili kishte pak muaj që ishte bërë baba, kishte ditë që ia kishte kërkuar këtë borxh dhe mesditën e së enjtes, kishte shkuar në lagjen ku qëndronte Saimir Muça, “11 Nëntori”, i shoqëruar edhe nga një shok i tij. Nga të njëjtat burime pohohet se mes tyre ka pasur një debat ku autori i ka thënë se “në rast se nuk më kthen borxhin, atëherë nuk do të kemi më bashkëpunim bashkë përsa i përket shkëmbimit të lëndës narkotike”. Në ato çaste, të dy kanë debatuar dhe mësohet se kanë qenë nën efektin e lëndëve narkotike. Më pas autori ka nxjerrë një thikë në formën e bajonetës dhe ka qëlluar disa herë me thikë 26-vjeçarin. Sipas dëshmitarëve në vendin e ngjarjes, Lumani ka mundur të ecë më shumë se 20 metra në këmbë dhe më pas është rrëzuar pa ndjenja buzë rrugës, në një pallat në këtë lagje, për të humbur jetën gjatë rrugës për në Spitalin Ushtarak. Policia nisi hetimet duke shoqëruar më shumë se 20 veta në komisariat, mes tyre edhe shokun e viktimës. Mbas një periudhe kohe prej 12 orësh është bërë i mundur arrestimi i autorit në një banesë të lagjes “5 Maji”. Pasi është marrë në pyetje nga ekspertë të krimit ai ka deklaruar se nuk mbante mend se si e kishte vrarë shokun e tij, duke pranuar se me viktimën kishin qenë shokë. Policia ka sekuestruar armën e ftohtë me të cilën 29-vjeçari vrau shokun e tij, si edhe dy celularë, ku edhe në vijim të hetimeve do të zbardhen bisedat që kanë zhvilluar autori dhe viktima gjatë ditëve të fundit. Mësohet se në këto biseda ka edhe debate, ku viktima kërkonte të merrte paratë që autori i kishte borxh.

Viktima
Klodian Lumani, 26 vjeç, ishte përfshirë në shpërndarjen e lëndës narkotike si pasojë e gjendjes së rënduar ekonomike. Ai ishte bërë baba vetëm pak muaj më parë dhe vetë ishte i papunë.

ELBASAN/ MIRANDA SADIKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura