Kaosi në universitet/ Nikolla pranon negociatat, takim me Forumin e pedagogëve

Feb 21, 2018 | 12:15
SHPËRNDAJE

Pas insistimit dhe kërcënimit për grevë në universitet, Ministria e Arsimit ka pranuar takimin me përfaqësuesit e Forumit për Liritë Akademike dhe Autonominë Universitare. Grupi negociator i Forumit pritet të takohet sot me ministren Nikolla në orën 12, në ambientet e Ministrisë së Arsimit.

nikolla

Në takim, përfaqësuesit e forumit do të paraqesin kërkesat e pedagogëve dhe do të diskutojnë për bllokimin institucional të Universitetit të Tiranës. Forumi për Liritë Akademike dhe Autonominë Universitare ndërkohë i është drejtuar pedagogëve, studentëve dhe gjithë aktorëve institucionalë me një draft-platformë për t’u diskutuar në ambientet akademike dhe jo vetëm.

Ky draft propozimesh synon nxitjen e debatit për gjetjen e zgjidhjeve për problemet e sotme të universiteteve dhe sfidave të së ardhmes.

ÇFARË PARASHIKON DRAFTI

Platforma e Forumit parashikon 100 pika në formën e objektivave strategjike për një universitet cilësor, demokratik dhe funksional. E ndarë sipas çështjeve, platforma prek të gjithë sistemin universitar.

Në të propozohet të “Hiqet organizimi i orës pedagogjike në formën e “seminarit” dhe zëvendësohet me atë të “tutorialeve”. Tutorialet konsiderohen si takime me frekuencë të rregullt, që mbështesin studentët, të cilët ndjekin leksionet magjistrale në lëndët përkatëse. Tutorialet drejtohen nga pedagogë që kanë titullin “doktor” ose “profesor i asociuar”.” Nga ana tjetër, parashikohet të ndahen rolet e pedagogut që bën leksionet magjistrale, atij që drejton tutorialet dhe i pedagogëve që marrin në provim në fund të zhvillimit të çdo lënde të veçantë.

“Studenti ka notën që merr përgjatë takimeve tutoriale dhe notën e provimit përfundimtar, të cilin e kryen nën kontrollin e një grupi tjetër pedagogësh dhe vlerësohet, pavarësisht pedagogëve me të cilët ka kryer lëndën. Kjo realizohet kur pedagogu i lëndës i paraqet degës mësimore të çdo fakulteti një listë me pyetje të mundshme, që përzgjidhen nga dekanati në nivel fakulteti.

Edhe korrigjimi i testeve bëhet në mënyrë elektronike nga grupe kontrolluesish, që nuk janë pedagogët e asaj lënde. Studenti, kështu, ka të evidentuar dy nota për çdo lëndë, atë të kontrollit të vazhdueshëm dhe notën e kontrollit përfundimtar. E para vendoset dhe administrohet nga pedagogu i lëndës, kurse e dyta administrohet nga pedagogë ose korrigjues të tjerë. Nota përfundimtare del si rezultat i kombinimit të notave të mësipërme. Sistemi i notave bëhet me 20 ose 30 pikë”.

UNIVERSITETI

“Riorganizimi i strukturave universitare dhe i njësive bazë duke i bërë ato më të zhdërvjellëta dhe më të mbrojtura nga trafiqet e interesave dhe elektoralizmi që dëmton vlerat universitare”.

Kjo është parashikuar për reformimin e Senatit të Universitetit të Tiranës. Forumi mendon se “Senati i Universitetit të Tiranës të kërkojë paraqitjen me platforma të anëtarëve të Bordit Administrativ në procedurat e zgjedhjes së tyre, si edhe të kërkojë angazhimin e tyre për të zbatuar politikat e senatit dhe të asamblesë të universitarëve në Bordin administrativ, duke e verifikuar këtë në mënyrë periodike”.

REFORMIM I MENAXHIMIT FINANCIAR

Universiteti i Tiranës të studiojë mundësinë e matjes, vlerësimit dhe kuotimit financiar të aseteve të tij. Forumi parashikon që UT, të studiojë mundësinë e pjesëmarrjes me investime të sipërmarrjes private në fondin e tij financiar; të studiojë mundësinë e praktikimit të një shkalle të caktuar marrjeje borxhi financiar afatgjatë ose afatshkurtër me objektiva të qarta në shërbim të rritjes së cilësisë së ofertës së tij; të studiojë investimin e limituar ardhur nga kontribute të pedagogëve ose punonjësve të tij; të studiojë mundësinë të praktikojë forma shërbimesh të palimituara për të tretët, kundrejt procedurave dhe transaksioneve të qirasë si dhe të studiojë mundësinë e investimit në aktivitete fitimprurëse për të mbështetur financimin e reformave cilësore të veprimtarisë së tij kryesore”.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura