Kanceri i gjirit, kur duhet të shqetësohemi dhe masat për parandalim

Oct 7, 2019 | 17:56
SHPËRNDAJE

Është tashmë një fakt që shkalla e mbijetesës së kancerit të gjirit është rritur dhe numri i vdekjeve të lidhura me këtë sëmundje është në rënie të vazhdueshme, kryesisht për shkak të faktorëve të tillë si zbulimi i hershëm, një qasje e re e personalizuar ndaj trajtimit dhe një kuptim më i mirë i sëmundjes.

Por sërish duhet bërë më shumë për përmbushjen e një qëllimi të përbashkët: parandalimin e sëmundjes. Doktoreshë Edlira Rehovica, kirurge-senologe, na njeh me masat që duhet të ndërmerren për parandalimin fillestar, por edhe për atë që njihet si parandalimi sekondar apo screening. Regjimi ushqimor dhe aktiviteti fizik mbeten thelbësore për të mbajtur larg këtë sëmundje. Ndërkohë që në momentin kur nisin të shfaqen edhe shenjat e para, rëndësi marrin ekzaminimet dhe trajtimi në fazë të hershme, të cilat në asnjë rast nuk duhet të neglizhohen.

doktoresha

DR. EDLIRA REHOVICA, KIRURGE-SENOLOGE

Kanceri i gjirit është neoplazia më e diagnostikuar ndër femra dhe përbën 1/3 e tumoreve malinje në përgjithësi. Diagnostikohen rreth 700 raste të reja çdo vit, me një prevalencë moshe 41% deri në moshën 49 vjeç, 35% ndërmjet 50-69 vjeç dhe 21% ndërmjet moshës mbi 71 vjeç. Mbijetesa 5- vjeçare nga momenti i diagnostikimit ka ardhur në rritje, kjo për shkak të ndërgjegjësimit dhe ekzaminimeve periodike.

Parandalimi

Të gjitha studimet shkencore konfirmojnë rëndësinë e ndjekjes së një regjimi ushqimor të shëndetshëm. Mbi të gjitha mbajtjen nën kontroll të peshës trupore, sidomos në fundin e moshës fertile. Kërkime të ndryshme tregojnë që kjo lloj neoplazie është e hapur sidomos në popullatat që ndjekin një regjim dietik të pasur në yndyrna shtazore, ndërkohë që ushqimet tipike të dietës mesdhetare (vaj ulliri, peshk, perime dhe drithëra) kanë efikasitet parandalues.

Aktiviteti fizik mund të parandalojë formimin e tumorit. Gratë që merren rregullisht me sport shfaqin një reduktim të riskut deri 15-20%. Ky efekt është më i dukshëm, sidomos për periudhën e post menopauzës. Të qenit nënë është një faktor mbrojtës, qoftë numri, qoftë mosha e shtatzënisë së parë. Kanceri i gjirit është më pak i hasur te femrat që kanë lindur fëmijën e parë përpara moshës 21-vjeçare dhe konsiderohet faktor risku lindja pas të 30. Ushqyerja me gji shërben gjithashtu si faktor mbrojtës, sepse i lejon qelizave glandulare të plotësojnë maturimin, duke i bërë me rezistente. Parandalimi sekondar ose ndryshe screening Qëllimi i parandalimit sekondar, ose ndryshe ekzaminimet periodike te femrat, të cilat nuk kanë shenja të sëmundjes, qëndron në faktin e kapjes së tumorit kur është në fazë të parakohshme dhe mund të jetë i kurueshëm me efikasitet me terapi pak invazive.

doktoresha1

Në mungesë të faktorëve specifikë të riskut,(si p.sh. histori familjare, densitet i shtuar i indit glandular, mutacionet gjenetike) femrat rreth të 25-tave duhet të fillojnë të bëjnë vizitën senologjike dhe ekografinë çdo vit, dhe rreth të 40-tave duke shtuar (jo zëvendësuar) mamografinë çdo 1 ose 2 vjet, sipas rekomandimit të mjekut.

Rezonanca magnetike është e këshillueshme në raste të veçanta, siç është pozitiviteti i geneve BRCA1 dhe BRCA2,ose si kompletim i mamografisë.

Edhe pse autopalpacioni nuk mund të konsiderohet një mjet diagnostikimi i hershëm, është e rëndësishme që çdo grua të mësojë ta bëjë në mënyrë të saktë dhe rregullisht, që të mund të njohë gjirin e saj dhe të dallojë çdo ndryshim të mundshëm.

ë mundshëm. Të vërtetat dhe jo të vërtetat rreth kancerit të gjirit Çdo ndryshim në gjëndrën e gjirit përbën rëndësi. Prania e një gjëndre në gji ose në sqetull, një ënjtje e gjirit ose një pjesë në të, një irritim ose skuqje në kokën e gjirit janë shenja alarmi.

irit janë shenja alarmi. Është e pa vërtetë që traumat, dhimbja dhe volumi i gjirit janë të lidhura me tumorin. Në përgjithësi, format fillestare të tumoreve të gjirit nuk shkaktojnë dhimbje. Dhimbja në përgjithësi është e lidhur me nivelin hormonal gjatë fazave të ciklit menstrual. Që do të thotë: përpara ciklit gjoksi fryhet dhe dhemb, ndërkohë që “qetësohet” me ardhjen e ciklit. Një përqindje shumë e vogël (0,4%) e këtyre dhimbjeve është e lidhur me tumoret. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për dhimbjet traumatike që shpeshherë shërbejnë si iniciuese të diagnostikimit të një malinjiteti ekzistues. As biopsia, mastopatia fibrokistike dhe as protezat e silikonit nuk promovojnë kancer.

Edhe pse mastopatia fibrokistike është një tablo klinike e shpeshtë, sidomos në grupmoshat 25-45, nuk e rrit riskun për tumor. Nuk influencojnë në zhvillimin e tumorit as protezat estetike të silikonit, por mund të vështirësojnë diagnostikimin, duke “fshehur” tumorin.

Vlerat e dy markuesve tumorale CEA dhe CA 15-3 në diagnostikimin e hershëm nuk janë me vlerë, sepse kur këto vlera janë të larta, është tepër vonë për të folur për diagnostikim të hershëm. Nuk ka studime që të vërtetojnë definitivisht se përdorimi i deodoranteve dhe depilimi i sqetullave ndikojnë në shfaqjen e tumorit. Kontrolli periodik ngelet mënyra më efikase për parandalimin e këtij tumori.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura