Kampi i Tepelenës/ Hapen dosjet e të dënuarve dhe regjistrat, si u bënte presion Sigurimi banorëve të zonës

Aug 21, 2018 | 14:19
SHPËRNDAJE

ALMA MILE/ Ai është një bllok me kapak ngjyrë vishnje: “Tepelena”. Aty është renditja emërore e çdo banori dhe veprimtaria e tij, ka ndihmuar partizanë, ka ndihmuar ballistë, ka bashkëpunuar, ka bërë rezistencë, ka bërë ankesë, është arratisur, ka dëshmuar….

dosje5

Kushdo që mendon se Tepelena ishte e kuqe, “gabohet”. Tepelena ishte nën kontrollin e plotë të Sigurimit të Shtetit. Asgjë nuk i shpëtonte vigjilencës së Sigurimit. Dje, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit hapi ekspozitën “Persekutimi Komunist në zonën e Tepelenës”.

dosje3

Ndonëse në një periudhë pushimesh, të interesuarit për të parë nga afër dhe për të shfletuar me duart e tyre ato dhjetëra fletë dosjesh, ishin të shumtë. Ishin mes tyre të mbijetuar të kampit të Tepelenës, të mbijetuar nga burgjet dhe kampet komuniste, por edhe studiues dhe historianë. Ekspozitat e AIDSSH-së nuk kanë nevojë për ndonjë kurim të veçantë. Aty, çdo fletë e zverdhur flet vetë.

dosje2

Për kryetaren e AIDSSH, Gentiana Mara, hapja e këtyre dokumenteve merr një vlerë të veçantë për të kuptuar atë ç’ka ndodhur jo vetëm në ish-kampin famëkeq të Tepelenës, por në të gjithë atë zonë; për të mësuar për kryengritjet antikomuniste dhe persekutimin komunist të shumë intelektualëve. Sipas drejtorit të Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, qasja ndaj historisë duhet të jetë sa më pranë së vërtetës.

Duke cituar një thënie të Oscar Wilde, ai u shpreh se “askush nuk mund ta blejë të shkuarën e vet”, ndaj edhe aktivitete të këtij lloji shërbejnë për të hedhur dritë mbi ngjarje të rëndësishme të së shkuarës. Kjo ekspozitë do të pasohet në datën 23 nga një tjetër aktivitet: Dita Muze Memorial/Tepelenë, titulluar “N’dritë”, gjatë së cilës do të ketë ekspozita, performancë, simpozium shkencor, dekorime të të mbijetuarve dhe koncert me pjesëmarrës “Tre muskëtjerët”.

dosje1

DOKUMENTET

Të gjitha dokumentet e ekspozuara në ambientet e AIDSSH-së dhe që do të udhëtojnë drejt Tepelenës pas dy ditësh, dëshmojnë përndjekjen e ish-Sigurimit të Shtetit në zonën e Tepelenës, dokumentet e kryengritjes së Zhapokikës, përndjekjes së klerit të krishterë e bektashi, dosjet e Sigurimit të ish-kampit të Bënçës, indekset alfabetike të përndjekjes në Tepelenë, ndër ta ushtarakë, intelektualë, shkencëtarë; dosja e Trifon Xhagjikës, Neim Pashës, Zenel Shehut, Selahudin Totos, etj.

Mes tyre edhe një regjistër emrash të banorëve të Tepelenës, me shënimet përkatëse. Nga një shfletim rastësor i njërit prej regjistrave lexojmë:

M. Qorja: I ka dërguar një lutje Gjykatës së lartë Ushtarake për uljen e dënimit me vdekje të djalit të saj Hekuran Qori, si kriminel i Luftës Nacionalçlirimtare.

M. Beqiri: Ka dëshmuar për veprimtarinë e Shamet Bushit. Shameti, i dënuar.

M. Kerma: Ka Ndihmuar partizanin Skënder Codo, që ballistët kanë dashur ta vrasin.

M. Dede: Është vrarë gjatë Luftës Nacionalçlirimtare.

M. Manxhari: Ka deklaruar për krimet e bëra nga Shamet Bushi. Shameti, i dënuar.

Q. Çobaj: I arratisur në Greqi

Baba Qamil Gllava: Është dënuar me vdekje si kriminel i Luftës Nacionalçlirimtare.

Q. Halimi: Ka dëshmuar për veprimtarinë armiqësore të ballistëve.

Lista emërore është e gjatë për të mbajtur nën presion një zonë të tërë, e cila nuk ishte edhe aq komuniste sa ç’mendohej.

Sadik Bejko: Tepelena, një faqe të ndritur dhe një të turpshme

Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës në AIDSSH, studiuesi Sadik Bejko, duke iu referuar rezistencës kundër ngritjes së memorialit në kujtim të viktimave të kampit të Tepelenës, u shpreh se Tepelena ka aq faj në atë që ndodhte në kamp, aq sa kanë qytetarët e Shkodrës, Mirditës, Lushnjës e me radhë… Pra, ata nuk kanë asnjë faj në gjithë këtë. Ai deshi të sqarojë se ky akt nuk lë aspak në hije kontributin e dhënë nga kjo zonë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. “Kjo nuk hedh pluhur mbi vlerat e LANÇ, nuk ua ul vlerat heronjve që kanë rënë në luftë. Është faqe e ndritur njëra dhe e turpshme tjetra, është turpi ynë dhe duhen pasqyruar”, tha Bejko, duke shtuar se Tepelena nuk ka qenë vetëm komuniste, por në të janë zhvilluar kryengritje antikomuniste që në vitin 1945.

Nevila Nika: Luftën e klasave e kemi nëpër këmbë

Një ndër dosjet e deklasifikuara ishte edhe ajo e shkencëtarit Selahudin Toto. Stërmbesa e tij, historiania Nevila Nika, u shpreh dje se: “Faji i vetëm i atyre burrave që dhanë jetën pa faj, ishte se e donin shumë Shqipërinë, ndaj dhe u ishte destinuar ai fat. Selahudin Toto u pushkatua dhe ne sot nuk i kemi eshtrat e tij. I kemi kërkuar, por nuk i kemi gjetur. Reagimi ishte i ashpër me familjarët, por nuk kursehej as me të vdekurit. Jemi para një feste fetare. Ata njerëz u bënë vetë kurban”, tha Nika, duke u shprehur se në kushtet e mungesës së dokumenteve, po përpiqet të nxjerrë sa më shumë veprimtarinë e njeriut të afërm, i cili krijoi Institutin e Shkencave dhe sot më shumë se kurrë, kërkohet edukim. Duke iu referuar asaj çka tha më herët Sadik Bejko, Nika tha se shqiptarët “luftuan me pushtuesin dhe më pas luftuan me njëri-tjetrin. Është e pafalshme. Një në katër u persekutua. Lufta e klasave është akoma nëpër këmbët tona”, tha ajo.

Uran Kostreci: Po bëhet propagandë për të zbutur krimet

Ish-i persekutuari, poeti Uran Kostreci, u shpreh se tashmë po bëhet shumë propagandë nga qarqet komuniste, madje, sipas tij, “shapllamosja” ka shkuar deri në Amerikë, duke bërë presione që ish-kampin e Tepelenës të mos e quajnë Aushvic. “Çfarë rëndësie ka se si quhet ai kamp: Aushvic apo kamp komunist. Atje janë vrarë fëmijë dhe po bëhet propagandë për ta shuar atë krim”, tha Kostreci. Ai përmendi edhe punën e AIDSSH-së. Sipas tij, ky institucion “për hapjen e dosjeve duhej bërë më parë. Duhej bërë çik më ndryshe, por s’i lejohet. Duheshin hapur më parë dosjet e atyre që vranë, që dënuan ata fëmijë në Tepelenë. Në 27 vjet, ne treguam se nuk jemi hakmarrës dhe pse duhet të ishim, po këtu qëndron ndryshimi mes nesh dhe atyre. Ata duheshin dënuar me një gjyq publik, por nuk u bë”, tha Kostreci, dje në ceremoninë e hapjes së ekspozitës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura