“Janë shembur 61 objekte”/ Ministri i Brendshëm bën bilancin e operacionit “Bregdeti ynë”: Vlera e gjobave të vendosura deri më tani është…

Jun 21, 2021 | 20:09
SHPËRNDAJE

Që kur ka nisur operacioni “Bregdeti ynë” dhe deri sot janë shembur 61 objekte pa leje. Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi me anë të një postimi në Facebook ka bërë bilancin e këtyre dy javëve të operacionit.

ndertimet pa leje

Sipas tij, vlera e gjobave të vendosura deri më tani ndaj subjekteve llogaritet në rreth 94 milionë lekë. Ndërkohë Policia e Shtetit ka arrestuar 29 persona, si dhe ka proceduar penalisht disa të tjerë.

“Gjatë dy javëve të para të operacionit, Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka shembur 61 objekte pa leje në Velipojë, Shëngjin, Durrës e Ksamil. Vlera e gjobave të vendosura deri më tani ndaj subjekteve llogaritet në rreth 94 milionë lekë. Ndërkohë Policia e Shtetit ka arrestuar 29 persona, si dhe ka proceduar penalisht disa të tjerë”, thotë Çuçi.

Ministri bën të ditur se operacioni do të vijojë në të gjitha zonat e bregdetit ku janë konstatuar ndërtime pa leje, për t’i çliruar këto hapësira nga zaptuesit dhe për të mos lejuar askënd që të bëjë çfarë të dojë me territorin.

“Ka marrë fund koha e të ndërtuarit sipas qejfit në shkelje të ligjit dhe në shumë raste duke dëmtuar mjedisin. Pas vijës bregdetare IKMT dhe Policia e Shtetit do të shtrijnë operacionin e shembjes së ndërtimeve pa leje në pjesë të tjera të territorit”, mbyll postimi i tij, ministri i Brendshëm.

Operacioni “Bregdeti Ynë” nisi më 7 qershor dhe do të vijojë përgjatë gjithë këtij muaji. Më pas IKMT dhe Policia e Shtetit do të nisin shembjen e objekteve pa leje në Zonat e Mbrojtura, si dhe në pjesë të tjera të territorit. Me ndryshimet në Kodin Penal janë ashpërsuar masat ndëshkuese për ata që ndërtojnë pa leje. Për herë të parë penalitetet bien mbi të gjithë zinxhirin ndërtimor.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura